Kërko

Vatican News

Papa bekon Michael-in, misionar për klimën, pa marrë parasysh kufizimet

Libanez, ambasador për klimën në programin për Zhvillimin pranë Kombeve të Bashkuara, sot në audiencën e përgjithshme, në Oborrin e Shën Damasit që t’i kërkonte Papës bekimin për “sfidën e tij” të ardhshme: të përshkojë për 100 kilometra Arktikun. Françesku: “Lutu për mua në Polin e Veriut”.

R.SH. - Vatikan

75%  e trupit të tij mbeti i paralizuar kur ishte vetëm 6 vjeç, por  dëshira  e pashuar për jetën nuk u paralizua kurrë. Michael Haddan, libanez në zonat e Mount Lebanon, atlet profesionist dhe ambasador i vullnetit të mirë të OKB-së për tematikat ambientale - që u takua sot me Papën, në përfundim të audiencës së përgjithshme - ishte fëmijë, kur një aksident me ski i shkaktoi një dëmtim të rëndë të shtyllës kurrizore, që ia paralizoi gjysmën e trupit, nga beli e poshtë.

“Gjymtimi është vetëm gjendje mendore”

Këtë ngjarje tragjike, që do ta kishte flakur këdo në dëshpërim, fëmija e shikoi si fillim të një jete të re. Kështu edhe e përshkruan. Puna qe e vështirë; lodhja, e pafundme; sfidat, të panumërta; karrigia me rrota, si mundësia e vetme për të lëvizur; patericat, hapat e para, krejt të pasigurta… Po ai i kapërceu të gjitha këto pengesa. E falë mjekësisë dhe kërkimit shkencor, sot mund të rrëshqasë me ski, të ngjitet në maje të maleve, të thyejë rekorde botërore. E falë fesë, flakën e së cilës e ushqen me lutje, jeton me moton: “Gjymtimi është vetëm gjendje mendore”:

“Asgjë nuk është e pamundur - thotë Michaeli në Vatican News -  E kjo, falë dy gjërave; besimit e vendosmërisë. Besimit në Krijuesin tonë, e besimit në vetveten. Vendosmërisë, me sigurinë se brenda nesh janë të pakufizuara forcat për të shkuar përpara e për ta shembur çdo lloj muri, që na pengon”.

Ecje, falë një esoskeleti

Haddad lëviz falë një ezoskeleti, krijuar nga një skuadër inxhinierësh, mjekësh e kërkuesish, që ia stabilizon trungun, shpatullat e krahët. Kështu arrin ta shtyjë trupin përpara e të lëvizë, duke bërë hap pas hapi Në Sheshin e Shën Pjetrit kërkon ta bëjë intervistën gjithë kohën në këmbë. Pa asnjë shenjë dhimbjeje. Në vend të dhimbjes, buzagazi e shprehja: të qeshësh! Është edhe ky mision. Eshtë simptomë e lumturisë, që e kam në shpirt. Një nga qëllimet, që kam  në jetë, është të jem i lum. Na fton vetë Jezusi ta shndërrojmë frikën në gëzim”.

Takimi me Papën: “Lutu për mua në Polin e Veriut”

Sot, në radhë të parë të audiencës së përgjithshme në Oborrin e Shën Damasit, i shoqëruar nga Theresa Panuccio, përfaqësuese zyrtare e Programit të Zhvillimit të Kombeve të Bashkuara (Undp),  i kërkon Papës vetëm bekimin për misionin në Arktik:

“Kur ia rrëfeva Papës historinë time, ai ma vuri dorën mbi kokë. I thashë se do të provojmë të drejtojmë një mesazh humanizmi, në favor të tokës e të ambientit. Ai më bekoi e unë iu gjegja: “Atë, lutu për mua!”. “Lutu ti për mua, në Polin e Veriut” - ma ktheu. Këto fjalë nuk mund t’i shlyej kurrë më nga kujtesa. Më dhanë forcë dhe shumë shtytje për reflektim. Ndjehem më i angazhuar. Nuk jam më vetëm, por së bashku me Papën, në provën për ta kryer këtë ndryshim”

Michaeli i solli Papës dy dhurata: një degë kedri, simbol i tokës së tij, Libanit. Vend, që Gjon Pali II e quajti “mesazh”. E edhe fotografinë e një Kishe në pyjet më të lashta të kedrave. Druri i këtyre kedrave u lidh me tokën dhjetë mijë vjet më parë. Prej këndej, ka një kuptim të dyfishtë: historia është lidhje e ngushtë e njeriut me planetin. “Ne jetojmë ndër pyje,  është koha ta kujtojmë këtë, sepse pa planetin nuk mund të ketë njerëzim të shëndetshëm. Duhet t’ia çojmë këtë mesazh botës”.

“Faleminderit”- përsëriti disa herë Papa. E Michaeli i kërkoi një selfie. Një foto, që e tregon me krenari nga smartphoni i tij!

02 qershor 2021, 19:56