Kërko

Vatican News

Papa Françesku: në qendër të Ungjillit janë të varfrit

Në një videomesazh për dioqezën argjentinase Mar de la Plata, Papa vë në dukje rëndësinë e shërbimit të laikëve, barinjve e bamirësve të Kishës, që ia kushtojnë jetën kujdesit për të pastrehët

R.SH. - Vatikan

Një punë e pandërprerë, ditë-natë në ndihmë të atyre, që nuk kanë asgjë dhe jetojnë në rrugë. Këtë bëjnë vullnetarët e dy organizatave bamirëse argjentinase të dioqezës Mar de la Plata, në juglindje të Buenos Ajresit. Quhen “Noche de Caridad” (Nata e Bamirësisë) dhe “Hogar de Nazareth” (Shtëpia e Nazaretit) e prej vitesh ndihmojnë më të varfrit me çdo mjet në dispozicion: në këto ditë, përparësia për ta është emergjenca e të ftohtit, që ka përfshirë zonën e hemisferës jugore, ku tani është dimër. E pikërisht këto përpjekje lavdëron Papa Françesku, duke i falënderuar anëtarët e shoqatave më një vidoemesazh të shkurtër në spanjisht:

         “Dëshiroj të përshëndes në mënyrë të veçantë anëtarët e ‘Noche de Caridad’ dhe ‘Hogar de Nazareth’ të dioqezës Mar de la Plata për vëmendjen e tyre ndaj njerëzve të pastrehë. Faleminderit për atë që bëni!”

Në qendër të Ungjillit janë të varfrit

         Në veçanti, Papa u referohet fjalëve të ipeshkvit, imzot Gabriel Mestre, i cili shpjegon nismën e solidaritetit të këtyre ditëve: janë marrë me qira dy hotele, nga 21 qershori deri më 21 shtator, për t’u siguruar strehimin dhe ushqimin rreth 130 njerëzve, që jetojnë në rrugë. Falënderimet e Papës Françesku u drejtohen gjithë atyre, që punojnë me të varfrit, duke vënë në pah edhe arsyen, që i nxit:

         “Ipeshkvi Gabriel më tha se keni marrë me qira dy hotele, që të keni më shumë hapësirë​​për të gjithë, në dimrin e ashpër dhe të lagësht të bregdetit marplatens. Falënderoj të gjithë, - laikë, barinj, dashamirës të Kishës dhe të gjithë sektorëve të tjerë - për ndihmën që i jepni Krishtit, parë në fytyrën e vëllezërve më të varfër dhe më të mënjanuar. Aty është Krishti. Në qendër të Ungjillit janë të varfrit. Faleminderit, faleminderit shumë për atë që bëni!”

         Siç nënvizon ipeshkvi, realiteti i të pastrehëve lidhet me arsye ekonomike, psikologjike e me varësi të ndryshme. Vitin e kaluar, në dioqezën argjentinase, askush nuk ka vdekur nga të ftohtët, por më parë janë hasur probleme, pikërisht për shkak të temperaturave të ulta. Kështu, duke filluar nga një vit më parë, u kërkuan fonde e sivjet u arrit të merreshin ndërtesa me qira për të pastrehët. Vullnetarët e këtyre shoqatave, tregon imzot Mestre, dalin çdo ditë për të kërkuar të pastrehët në rrugë e për t’i ftuar në këto hotele, ku ata regjistrohen edhe për t’u dëshmuar bamirësve punën e bërë, në mënyrë që gjithçka të jetë transparente, por edhe për të gjetur furnizimet me rroba, ose me objekte të tjera, më të përshtatshme për këta njerëz.

24 qershor 2021, 12:30