Kërko

Vatican News
Papa pret një grup të burgosurish të burgut romak Rebibbia Papa pret një grup të burgosurish të burgut romak Rebibbia  

Françesku takohet me një grup të burgosurish: “Faleminderit, na jep shpresë”

Disa “banorë”, të burgut Rebibbia u pritën sot, në Shën Martë, së bashku me drejtoreshën, me dy gjykatëse e disa funksionarë. Më pas, vizita në Muzetë e Vatikanit, ku u pritën nga drejtorsha, Barbara Jatta. Kapelani: mirënjohës ndaj Papës për afërsinë dhe mbrojtjen e dinjitetit të njeriut, edhe kur mbyllet në burg.

R. SH. - Vatikan

I sollën një shportë me bukë të freskët Papës, në Shtëpinë e Shën Martës, sot paradite, në orën 8.45, dymbëdhjetë të burgosur në burgun Rebibbia, që vizituan, më pas, Muzetë e Vatikanit. Bukën e përgatitën mbrëmë, me duart e veta, në shenjë mirënjohjeje. Falënderim i heshtur, që i foli Françeskut “me gojën e bukës së mbrume”. Dhanë bukën -  e morën nga Ati i Shenjtë dhuratën e shpresës për një të ardhme më të mirë, kur do të mund ta thyejnë bukën të lirë, në sofrën e familjes.

 E pikërisht një klimë familjare u krijoi Papa, atyre që e ëndërrojnë këtë atmosferë, duke u kujtuar edhe vizitat, që bëri në burgjet e Argjentinës e duke i siguruar se do të lutet për ta e për familjarët e tyre.

Përvojë e paharrueshme

“Sot e gjithë bashkësia e burgut jetoi një përvojë shumë të rëndësishme: nuk e fsheh emocionin atë Moreno Versolato, Rregulltar i Shërbëtorëve të Marisë, kapelan në polin më të vogël të burgut romak. Po, Atë Moreno  flet për “bashkësi”, sepse - ngulmon - sot, këtu, në Vatikan, erdhëm së bashku: 12 të burgosur, drejtoresha e shtëpisë së tretë të burgut Rebibbia, Anna Maria Trapazzo, tri edukatore, policë dhe dy gjykatëse të mbikqyrjes.

Pikërisht prania e dy gjykatëseve - vijon kapelani - është shumë domethënëse. Janë ato, që nënshkruajnë lejet për rikthiminin në jetën shoqërore, përmes masave të gjysëm lirisë, e të duket krejt e jashtëzakonshme kjo vizitë që bëjnë së bashku me të burgosurit. Përvojë  e bukurisë, që është “shkollë jete për të gjithë”.

Fjalëve të kapelanit i bëri jehonë drejtoresha e Muzeve të Papës, Barbara Jatta, që i priti me një mirëseardhje të përzemërt, tipike për të, “ambasadorët” e burgut:

“Këto galeri janë shtëpia e të gjithëve. Këtu secili, me ndjeshmërinë e tij, mund të gjejë diçka, që do t’i shërbejë për jetën e vet, duke ia bërë më të mirë. Sepse bukuria, që “bredh” në këtë botë magjike, nuk mund të mos e prekë zemrën njerëzve, deri në thellësitë më të fshehta të saj. Të gjitha zemrat! E aq më shumë, atë të njeriut të burgosur që, duke ecur nga salla në sallë thith ajrin e lirisë. E edhe të një hapësire, që ua mbush kraharorin me frymë të gjithë atyre, që e përshkojnë, aq më tepër këtyre njerëzve, që jetojnë në izolim e që vuajtën shumë edhe nga pandemia.

Situata të jashtëzakonshme - kujton kapelani - Kur tundohesh për t’i hapur rrugën zemërimit e ndeshjeve:

“Mund të pohoj me plot gojën, si kapelan, sa e madhe dhe e sinqertë është dashuria e të burgosurve për Papën Françesku. Sot e falënderuam  personalisht, të gjithë së bashku, për afërsinë që dëshmon vazhdimisht e në raste të ndryshme. Por, më shumë se për çdo gjë tjetër, e falënderojmë për lutjen e për kërkesat, që u drejton autoriteteve politike, që t’i përmirësojnë kushtet e jetesës në burgje, e sidomos, të mbrojnë dinjitetin e njeriut, që në këto mjedise, shpesh shkelet rëndë”.

Drejtoresha e burgut kujtoi se “Dhurata e bukës së Papës kishte vlerë të veçantë për të burgosurit: në kulmin e lockdown - shpjegoi -  krijuam një punishte për prodhimin e bukës e shtatë të burgosur nisën punën si bukëpjekës. Buka, që e poqën me kujdes të jashtëzakonshëm - nuk është aspak e zakonshme: është falënderim për Papën!”.

E s’ka simbol më të shenjtë se buka e përditshme, që e kujtojmë sa herë shqiptojmë lutjen kryesore, Atynën: “Bukën tonë të përditshme epnae neve sot…!. Bukë që shndërrohet në hoste!

21 qershor 2021, 16:34