Kërko

Vatican News

Françesku: shëlbimi i Jezusit nuk është episodik, por i plotë. Nuk jemi kurrë vetëm

Në katekizmin e fundit kushtuar lutjes Papa, gjatë audiencës së përgjithshme, mbajtur në Oborrin e Shën Damasit, në Vatikan, i nxiti besimtarët të kenë guxim e shpresë, ta ndjejnë praninë e Krishtit në shpirt e “ t’i japin lumni Zotit”.

R. SH. - Vatikan

Është një fjalë, që e gris errësirën! Fjalë, që lind si pëshpëritje e lehtë në buzët e Jezusit: “Abbà, Atë!”. Është thirrje. Dialog. Siguri. Papa Françesku, pasi i përshëndeti të pranishmit në Oborrin e Shën Damasit, e përfundoi katekizmin kushtuar lutjes, duke u ndaluar tek çastet më tragjike të jetës së Jezusit. Tek mundimet dhe vdekja e Tij. E u drejtoi besimtarëve një ftesë: të mbështeten tek Zoti që, edhe pse në heshtje, bëhet i pranishëm, i afërm. E ta thërrasin me besim Birin e Tij, si në çastin e Darkës së Mbrame, “me bindjen se nuk jemi kurrë vetëm, edhe në vuajtjen tonë që dhemb më fort”:

“Lutja e Jezusit është e thellë! Lutja e Jezusit është e pashoqe. Ndaj bëhet model i lutjes sonë. Jezusi u lut për të gjithë, edhe për ty, edhe për mua. Për të gjithë. Secili prej nesh mund të thotë: ‘Jezusi mbi kryq u lut për mua’. U lut. E edhe Jezusi mund t’i thotë secilit prej nesh: ‘U luta edhe për ty, në Darkën e Fundit, e u luta edhe mbi drurin e Kryqit’. Edhe në vuajtjet tona, që dhembin padurueshëm, nuk jemi vetëm. Zoti është pranë nesh. Zoti lutet për ne”.

Shëlbimi mesianik

Françesku rikujtoi se lutja është dialog me Atin, prej këndej, mbetet “bërthama  e zjarrtë e gjithë jetës sonë”. Në Ungjijtë - shtoi - tregohen,  edhe me hollësira, ngjarjet më të rëndësishmet të jetës së Jezusit, që e ndriçojnë çdo orë e çdo çast të jetës së Zotit:

“Ai nuk ishte filantrop, që kujdesej për vuajtjet dhe sëmundjet njerëzore: ishte shumë më tepër. Ishte edhe kështu, por shumë më tepër. Në shpirtin e Tij nuk kish vetëm mirësi, kishte diçka më tepër, kishte shëlbimin, e jo një shëlbim episodik - atë që mund të më shpëtojë nga ndonjë sëmundje ose nga ndonjë çast shqetësues. Ai kishte shëlbimin e plotë - mesianik, që të bën të shpresosh në fitoren përfundimtare të jetës mbi vdekjen”.

Nga errësira, në dritën e Atit

Në vijim Papa kujtoi një nga lutjet më të dhimshme të Jezusit; lutjen në Kopshtin e Gjetsemanit, të pushtuar nga ankthi “Abbà, Atë”! Kjo fjalë aramajke - që ishte gjuha e Jezusit - shpreh gjithë afërsinë e mundshme, gjithë besimin. Pikërisht në çastin kur ndjen sesi retë e zeza dynden mbi kokën e tij, Jezusi e kalon këtë çast të pashoq, duke shqiptuar këtë fjalë të vogël: “Abbà! Atë!”.

Mbi kryq, për të përmbushur dhuratën e Atit

E të njëjtën fjalë e shqipton edhe mbi Kryq. Është lutja më e zjarrtë, pikërisht sepse e thënë përmbi kryq - shpjegoi Papa - Jezusi është ndërmjetësi absolut; lutet për të  tjerët, për të gjithë, edhe për ata, që e dënojnë, në një kohë kur askush, përveç një bakeqi, nuk radhitet nga ana e Tij. Lutet me fjalët e psalmit, për të varfëritë e botës, për të harruarit nga të gjithë, për ata, të cilët i quan bijtë e vet, edhe në çastin kur e dorëzon shpirtin në duart e Atit:

“Mbi kryq përmbushet dhurata e Atit, që dhuron dashuri, domethënë, që përmbush shëlbimin tonë. E edhe një herë Biri e thërret ‘Zoti im’. E fjalët e Tij të fundit janë: ‘Atë, në duart tua po e dorëzoj shpirtin tim’. Kështu, në tri orët e Kryqit, gjithçka, gjithçka, është lutje”.

Hiri i lutjes për ne

Françesku e përfundoi katekizmin me një mendim të bukur, për t’u kujtuar:

“Hiri është se jo vetëm lutemi ne, por, nëse mund të shprehemi kështu, edhe luten për ne, domethënë, pranohemi në dialogun e Jezusit me Atin, në bashkim me Shpirtin Shenjt. Jezusi lutet për mua: secili prej nesh mund ta  ruajë këtë në zemër: mos e harroni! Edhe në çastet më të këqija. Pranohemi në  dialogun e Jezusit me Atin, në bashkim me Shpirtin Shenjt”.

Jeta është “lavdia e Zotit”

Duke e përfunduar katekizmin, Françesku ftoi për guxim e shpresë:

“E atëhere me lutje e me jetë nuk na mbetet tjetër, veçse të kemi guxim, shpresë!”. E me këtë guxim e këtë shpresë,  ta ndjejmë fort lutjen e Jezusit e të shkojmë me guxim përpara. Të shkojmë! E jeta jonë të jetë lavdia e Zotit, me bindjen se Ati lutet për mua, Jezusi lutet!

Vera, kohë kundrimi

Në gjuhën italiane Papa përshëndeti besimtarët e dioqezës së Forlì-Bertinoro, kryesuar nga ipeshkvi, Livio Corazza që - kujtoi Françesku - kremton 40-vjetorin e meshtarisë. Më pas, një mendim për Shoqatën e Bashkëpunëtorëve Familjarë të ACLI si dhe Shoqatën Kombëtare të Ambulantëve:

“Uroj që periudha verore të jetë kohë prehjeje dhe rast i bukur për të kundruar Zotin, në kryeveprën e  Tij, krijimin!”.

16 qershor 2021, 12:59