Kërko

Vatican News
Zoja e Luján Zoja e Luján   (Vatican Media)

Zoja e Lujan. Françesku: kujtesa garanton të ardhmen e sigurt

Videomesazh i Papës drejtuar ipeshkvijve, që do të mblidhen në Shenjtëroren e Lujanit me rastin e kremtimit të Rruzares dhe të Meshës, që t’i kërkojnë Zojës hirin e shëndetit për popullin argjentinas. Takim, pohon Papa, në të cilin duhet kujtuar gjithçka bëri Virgjëra Mari në Atdheun tonë”.

R. SH. - Vatikan

Videomesazh  i Papës drejtuar ipeshkvijve, që do të mblidhen në Shenjtëroren e Lujanit me rastin e kremtimit të Rruzares dhe të Meshës, që t’i kërkojnë Zojës hirin e shëndetit për popullin argjentinas. Takim, pohon Papa, në të cilin duhet kujtuar gjithçka bëri Virgjëra Mari në Atdheun tonë”.

Zoja e Lujan. Françesku: kujtesa garanton  të ardhmen e sigurt

Papa dëshiron t’i shoqërojë të gjithë ipeshkvijtë e Argjentinës gjatë dy takimeve të rëndësishme, të parashikuara në Shenjtëroren e Lujan më 7 e 8 maj, e posaçërisht gjatë atij, në të cilin do të kremtohet festa kushtuar Virgjërës. Takimi i parë është ai i Mbrëmësores kushtuar Rruzares; i dyti, i ndërrimit të mantelit.

Në shtigjet e kujtesës: përgatitjet për 400-vjetorin

Papa e nis këtë videomesazh drejt Atdheut të tij, në atmosferën e përgatitjes për 400-vjetorin e mrekullisë së parë, parashikuar për vitin 2030. Pohon Françesku:

“Është udhë shumë e gjatë, po që kalon shpejt, e duhet kryer. Udhë për të kujtuar atë që bëri Zoja aty, ku deshi edhe të rrinte. Udhë, që të kujton shtegtimet e shumta në rrjedhë vitesh, kërkimet, mrekullitë, bijtë e bijat që ecin për të parë Marinë”.

Papa, pra, fton për të ecur në shtigjet e kujtesës, prijëse e sigurt për një ardhmëri të qartë:

“Në këtë takim, kujtesa qoftë prijësja juaj, sepse kujtesa e fortë garanton ardhmëri të sigurt! Kujtojeni gjithçka bëri Virgjëra Mari për atdheun tonë”.

Përvoja, që jetoi Papa në Lujan

Përvoja e Françeskut në Shenjtëroren e Lujan tregohet në librin e Atë Alexandre Awi Mello, titulluar: “Është Nëna ime-takimet me Marinë”. Papa kujton, në mënyrë të veçantë rrëfimet e njerëzve, në pritje të marrjes së Sakramentit të Pajtimit, para shtatores së Zojës. Arrinin në rrëfyestore  për të rrëfyer gjithë jetën e tyre - tregon Françesku - me zemrën e tronditur thellë, të prekur deri në lot. E pikërisht për këtë - komenton atë Awi Mello - Papa përsërit shpesh lutjen:

“Nënë, dhurona  vështrimin  tënd. Erdhëm të të shikojmë. Shikona edhe ti ne, si popull, si vëllezër: ndihmona ta shikojmë edhe njëri-tjetrin me syrin e vëllait e të motrës”.

Shtatorja e vogël e Lujan

Shtatorja  e Zojës së Bekuar arriti në Argjentinë në maj të vitit 1630, me anijen e ardhur nga San Paolo i Brazilit. E shoqëronte Manueli, skllav afrikan. Sipas traditës, qerrja që transportonte arkën, ku ndodhej Shtatorja,  si pati arritur në brigjet e lumit Luján, u ndalua. Më kot u munduan ta vinin përsëri në lëvizje. Prandaj shtatorja mbeti në qytetin që sot shtrihet në rrethinat e Buenos Ajres. Shumë shpejt vendi ku u ndal, u bë cak shtegtimesh. Mijëra njerëz ngarendën për ta nderuar. E  në maj 1887 Papa Leoni XIII e kurorëzoi, duke e caktuar edhe festën  e Virgjërës së Luján për të shtunën që i paraprin së Dielës IV pas Pashkëve. Zoja e Lujan njihet edhe si Pajtore e Argjetinës.

07 maj 2021, 10:24