Kërko

Vatican News

Toka Shenjte, Papa i kërkon gjithë Kishës të lutet për paqen

Papa Françesku fton të gjithë barinjtë kishtarë të botës të bashkohen me lutjen e Natës së Rrëshajëve, organizuar nga ipeshkvijtë katolikë në kishën e Shën Shtjefnit në Jeruzalem

R.SH. - Vatikan

Kisha universale bashkohet me lutjen e Natës së Rrëshajëve në Jeruzalem. Sot paradite, në fund të fjalës për ambasadorët e rinj jo-rezidentë, të akredituar në Selinë e Shenjtë, Papa Françesku e ftoi gjithë Kishën, kudo në botë, të lutet e t’i përgjërohet Zotit për paqen në Tokën Shenjte. Lutja është organizuar nga ipeshkvijtë katolikë të Qytetit Shenjt.

“Mendimi im - tha Papa Françesku – shkon tek gjithçka po ndodh këto ditë në Tokën Shenjte. Falënderoj Zotin për vendimin e ndalimit të ndeshjeve me armë dhe uroj të ndiqen rrugët e dialogut e të paqes. Nesër mbrëma, ipeshkvijtë katolikë të Tokës Shenjte do të kremtojnë, së bashku me besimtarët, Natën e Rrëshajëve, në kishën e Shën Shtjefnit në Jeruzalem, duke u lutur për dhuratën e paqes”.

“Shfrytëzoj rastin - shtoi Papa – t’u kërkoj të gjithë barinjve dhe besimtarëve të Kishës Katolike të bashkohen me ta në lutje. U lartoftë nga çdo bashkësi lutja drejtuar Shpirtit Shenjt, që izraelitët dhe palestinezët të gjejnë rrugën e dialogut dhe faljes, të jenë ndërtues plot durim të paqes dhe drejtësisë, duke ia hapur zemrën, hap pas hapi, shpresës së përbashkët, bashkëjetesës ndërmjet vëllezërve”. Këto fjalë të fundit i bëjnë jehonë thirrjes së Françeskut për paqe në Tokën Shenjte, bërë që të dielën e kaluar.

21 maj 2021, 11:45