Kërko

Vatican News

Thirrja e Papës për Jeruzalemin dhe mendimi për Kolumbinë

Papa Françesku shprehu dje shqetësimin e tij të thellë për shkallëzimin e tensionit në Qytetin Shenjt, duke rikujtuar edhe një herë identitetin e tij shumëfetar e shumëkulturor. Siguroi edhe se lutet që Jeruzalemi të jetë “vend takimi, jo konflikti”, duke kërkuar edhe “rrugëzgjidhje me pëlqimin e përbashkët”. Më pas, edhe mendimi ‘për Kolumbinë, ku vijon ushtrimi i dhunës”.

R. SH. - Vatikan

“Ndjek me shqetësim të veçantë  ngjarjet, që po ndodhin në Jeruzalem”: me këto fjalë, pas kremtimit të lutjes së Mbretëreshës Qiellore, Françesku tërhoqi vëmendjen e mbarë botës mbi Qytetin Shenjt, duke u lutur “që ai  të jetë vend i takimit e jo i konflikteve të dhunshme; vend i lutjes e i paqes”.

Thirrje për rrugëzgjidhje të  përbashkëta në Qytetin Shenjt

“I ftoj të gjithë të vihen në kërkim të rrugëzgjidhjeve të përbashkëta, që kështu të mund të respektohet identiteti shumëfetar e shumkulturor i Qytetit Shenjt e të mund të  fitojë fryma e vëllazërimit - theksoi Françesku -  duke pohuar më pas se “dhuna lind dhunë” e duke u drejtuar palëve në konflikt thirrjen: “Mjaft më me ndeshje!” .

Përsëri dhunë në Jeruzalem

Shqetësimi i Papës buronte nga dhuna, që shpërtheu në Jeruzalem, të Premten e lutjes islamike, posaçërisht në Sheshin e Xhamive, për t’u shtrirë, më pas, në të gjithë  qytetin e vjetër, e posaçërisht, në kompleksin e xhamive Al-Aqsa. Policia ndërhyu gjatë një manifestimi palestinez. “Qeveria izraelite është përgjegjëse për ngjarjet në Jeruzalem e edhe për pasojat  e tyre” - pohoi presidenti Abu Mazen, në një fjalim televiziv. Arriti ndërkaq kundrakuza nga ana e Shtetit hebraik drejtuar liderit palestinez, i fajësuar si “shkaktar i sulmeve, që ndodhën në Jeruzalem dhe i pasojave të tyre”. Si të mos ishin të tepërta këto trazira, forcat izraelite  gjuajtën me armë zjarri nga baza ushtarake Salem e Izraelit, pranë Jenin, në veri të zonës, ku u vranë dy palestinezë e një tjetër u plagos rëndë, duke lënë pas një atmosferë aspak paqësore! Tejet shqetësuese për Papën!

Mendimi i Papës për Kolumbinë

Papa Françesku kujtoi dje, gjatë lutjes së Mbretëreshës Qiellore, edhe Kolumbinë: “Dua të shpreh shqetësimin tim për tensionet dhe ndeshjet në Kolumbi, me pasojë një mori të vdekurish e të plagosurish. Janë të shumtë kolumbianët këtu - kujtoi Papa e, duke soditur flamujtë e tyre që valaviteshin në Shesh plot shpresë - i ftoi në një lutje të përbashkët për atdheun e tyre”.  

10 maj 2021, 11:06