Kërko

Vatican News
Our Lady of Walsingham Our Lady of Walsingham 

Rruzare pa kufij, shumë theksime, për të njëjtin ndjet

Maji sivjet nis me maratonën e lutjes drejtuar Virgjërës Mari, sipas dëshirës së Papës Françesku, organizuar nga Dikasteri për Ungjillëzimin e Ri, që i bashkon të gjithë tempujt marianë të botës në lutjen e përbashkët për ta çliruar njerëzimin nga tragjedia e pandemisë.

R. SH. - Vatikan

Nga “W” e Walsingham - tek “P” e Pompeit. Është alfabeti i Rruzares, alfa e omega e maratonës mariane planetare, që nis sot, me thirrjen e Françeskut në një lutje të përbashkët, për fundin e pandemisë. Një zinxhir feje e devocioni, simbolizuar nga Rruzarja, që do të fillojë çdo ditë në orën 18.00, me orën e Romës, në 30 shenjtërore të të pesë kontinenteve, duke nisur nga tempulli i rrethuar me blerim i Norfolk, në Angli ku, më 1061, Zoja iu duk fisnikes Richeldis de Faverches, në fshatin Walsingham. Një nga kapelat më të lashta kushtuar kultit marian, rrafshuar nga Enriku VIII e rindërtuar në vitin ‘800, së cilës Papa, më 2016, i njohu titullin e “bazilikës”.

Devocion, ndërmjet ikonave të botës

Nis kështu muaji i majit 2021, me rruzaren e transemtuar drejtpërdrejt në mbarë botën, përuruar nga vetë Papa Françesku, në orën 18.00, në Bazilikën e Shën Pjetrit, para figures të Zojës së Ndihmës - përfunduar po nga Papa, më 30 maj, me kremtimin e Rruzares para Shpellës së Lurdës, në Kopshtet e Vatikanit. Sivjet lutja bëhet polifoni, me gjuhë e thekse nga më të ndryshmet - nga Koreja, në Brazil; nga Sydney, në Washingrton, duke kaluar nëpër shenjtëroret më të famshme të botës, si Fatima, Cestochowa, Loreto - gjë që do ta bëjë edhe më të kuptueshëm  titullin e zgjedhur për nismën Nga e gjithë Kisha i lartohej paprerë lutja Zotit” ,organizuar  nga Këshilli Papnor për Ungjillëzimin e Ri.

Për viktimat e për kë vuan nga pandemia

“Kjo thirrje komunitare synon të realizojë një lutje të vazhdueshme, të përhapur në meridianet e botës” - shpjegon dikasteri i kryesuar nga kryeipeshkvi Rino Fisichella. “Çdo shenjtërore e botës ftohet të lutet në atë mënyrë e në  atë gjuhë, që shprehet populli vendas, për rifillimin e jetës shoqërore, të punës e të një mori veprimtarish, mbetur pezull nga shkaku i Covid-19. Njëlloj, sipas zakonit të Françeskut vitin e kaluar në fillim të Meshëve, transmetuar drejtpëdrejt në Shën Martë - çdo Rruzare do t’i kushtohet një a më shumë kategorive të njerëzve më të prekur nga coronavirusi. Do të niset nga lutja për të vdekurit nga pandemia, për të rikujtuar, më pas, me radhë, mjekët, të pastrehët e këdo vuajti nga kjo tragjedi njerëzore. “Kundrimi së bashku i fytyrës së Krishtit, me zemrën e Marisë, Nënës sonë - pati shkruar Papa në letrën drejtuar besimtarëve në vitin 2020 - do të na bëjë edhe më të bashkuar si familje shpirtërore e do të na ndihmojë ta kapërcejmë edhe këtë provë”.

01 maj 2021, 11:55