Kërko

Vatican News
Lutja e Mbretëreshës Qiellore Lutja e Mbretëreshës Qiellore 

Papa: të krishterët kinezë, gjithnjë më të bashkuar në dashuri e në fe

Pas lutjes së Mbretëreshës Qiellore, Françesku përshëndeti besimtarët kinezë, të cilët nesër kremtojnë festën e Zojës, që nderohet në Shenjtëroren e Sheshanit. Papa: ju kam në thellësi të zemrës!

R. SH. - Vatikan

Papa kujtoi, pas lutjes së Mbretëreshës Qiellore, katolikët e Kinës, që nesër kremtojnë festën e Zojës Ndihmëtare, Pajtore qiellore e vendit, e cila nderohet posaçërisht në Shenjtëroren e Sheshanit, në Shangai. Zoja e Sheshanit është tejet e dashur për familjet e krishtera, të cilat i luten në çaste shprese e provash të përditshme:

“Sa gjë e mirë dhe e nevojshme që anëtarët e familjes e të bashkësisë së krishterë të jenë gjithnjë të bashkuar në dashuri, në fe, që prindër, gjyshër fëmijë e barinj të mund të ndjekin shembullin e dishepujve të cilët, në solemnitetin e Rrëshajëve ishin në lutje të njëzëshme me Marinë, në pritje  të Shpirtit Shenjt”.

Këtë theksoi Papa, i cili në vijim i ftoi të gjithë t’i shoqërojnë me lutje besimtarët  e krishterë të Kinës “që i kam në thellësi të zemrës” - shtoi. E më pas iu lut Shpirtit Shenjt, protagonist i misionit të Kishës në botë “t’u prijë e t’i ndihmojë të jenë mbartës të lajmit të mirë, dëshmitarë të mirësisë dhe të dashurisë  si dhe ndërtues të drejtësisë e të paqes në atdheun e tyre”.

23 maj 2021, 14:05