Kërko

Vatican News

Papa: takim me Lidia Maksymowicz, që shpëtoi gjallë nga Birkenau

Edhe një zonjë, që kaloi nëpër skëterrën e kampit nazist të përqendrimit, në Birkenau, ishte sot pranë Papës në këtë audiencë kushtuar lutjes së dëgjuar: asaj lutjeje, të cilën ajo ia kishte drejtuar, me zjarrin e zemrës Zotit, që ta shpëtonte, duke besuar në forcën e saj.

R.SH. - Vatikan

Në përfundim të audiencës së përgjithshme , sot paradite në Oborrin e Shën Damasit në Vatikan, Papa Françesku u takua me Lidia Maksymowicz, që doli e gjallë nga kampi i vdekjes, Birkenau. Ati i Shenjtë Bergoglio shkëmbeu me të ndonjë fjalë, e përqafoi e, më pas, puthi krahun e gruas, në atë vend, ku lexohej edhe sot e kësaj dite numri i vulosur mbi lëkurë në kampin e përqendrimit, kur ajo nuk ishte më fëmijë, por thjesht numër.

Një fëmijë, shpëtuar gjallë nga lutja

Zonja Lidia Maksymowicz u internua në Auschwitz-Birkenau, kur ishte vetëm tri vjeçe. Atje u bë viktimë e doktorit Mengele, “engjëllit të vdekjes”, që i përdorte fëmijët si kafshë për eksperimentet e tij tragjike. Është protagoniste e doku-filmit “70072”, vogëlushja, që nuk dinte të urrente”. Në Auschwitz - kujtoi Maksymowicz - qenë mbyllur 200mijë fëmijë. Pak prej tyre dolën gjallë prej asaj skëterre. E edhe më pak jetojnë akoma. Tmerret e kampit vijojnë të peshojnë me gjithë barrën e tyre tragjike mbi jetën time - kujtoi gruaja e shpëtuar mrekullisht - që sot mori si kujtim puthjen e Mëkëmbësit të Krishtit, simbol jete, pikërisht mbi atë numër që simbolizonte vdekjen.

26 maj 2021, 13:46