Kërko

Vatican News
Drejtuesit  dhe studentët e Institutit "Ambrosoli", të Codogno-s Drejtuesit dhe studentët e Institutit "Ambrosoli", të Codogno-s  (Vatican Media)

Papa studentëve të Codogno: rroftë shkolla “e fytyrave”, për t’u rritur me zemër

Françesku u takua sot, në Vatikan, me dyzet studentë të klasës së pestë të Institutit profesional “Ambrosoli”, nga qyteti lombard, ku u regjistrua rasti i parë i Covid-19 në Itali. Papa u kujtoi se shkolla është vend “që të mëson të bëhesh qytetar i vetëdijshëm e plot përgjegjësi. Edhe të jetosh lidhje miqësish të vërteta, jo virtuale”.

R. SH. - Vatikan

Studentëve të Codogno-s, qytezës lombarde të të “sëmurit n.1”, zona e parë e kuqe, Papa Françesku u kërkoi të mësojnë diçka edhe nga përvoja negative e pandemisë Covid-19. Të mësojnë marrëdhëniet ndërpersonale reale, jo virtuale, të ndërmjetësuara nga mjetet e komunikimit e të mbajnë një  qëndrim më kritik ndaj këtyre mjeteve.

Nuk mungoi as urimi për ta mbyllur mirë këtë vit shkollor, “jo vetëm në planin e notave, por  edhe, e posaçërisht, të fytyrave”.

Të  rriten “me kokë, me duar e me zemër

Të rriten “me kokë, me duar e me zemër”. Kjo, porosia kryesore, që u dha Papa 39 studentëve të klasës së pestë të Institutit profesional “Ambrosoli”, që ndjekin tri degët kryesore të kësaj shkolle: atë mekanike, financiare e të mbarshtimit të hoteleve, shoqëruar prej disa profesorëve e anëtarëve të personelit shkollor. Me ta, edhe  kryeipeshkvi Rino Fisichella, kryetar i Këshillit Papnor për Nxitjen e Ungjillëzimit të ri, i lindur në Codogno. Papa u kujtoi tri përmasat kryesore të shkollës:

 “Këto tri përmasa duhet të ndërlidhen gjithnjë në shkollë, ashtu si janë të lidhura në jetën e njeriut, në udhën e jetë. Koka, zemra, duart: një rreth, që duhet mbajtur gjithnjë i hapur e dinamik”.

E i porositi edhe të ruhen nga rreziku i mbylljes në vetvete e i prirjes për ta parë realitetin gjithnjë përmes një filtri, që e rrit lirinë tonë vetëm në dukje!

E, në përfundim, porosia për ta mbyllur mirë vitin shkollor jo vetëm me notat, por edhe me fytyrat, që do të thotë të jenë më të pranishëm në shoqëri, e cila pa ta do të ishte e vdekur. Ju  sillni jetën e re - u kujtoi Papa  - që, në përfundim i uroi ta mbyllin mirë këtë vit shkollor e ta falënderojnë Zotin për shkollën:

“.. vend ku rritesh me kokë, me duar e me zemër; vend ku mëson t’i jetosh marrëdhëniet në mënyrë të hapur, të respektueshme,  konstruktive: vend për t’u bërë qytetarë të vetëdijshëm e të përgjegjshëm”.

Ndërsa profesorëve u drejtoi ftesën të jenë “mjeshtra” në kuptimin më të fisëm të kësaj fjale.

22 maj 2021, 13:55