Papa: një udhëzues për të dëgjuar propozimet e Shpirtit Shenjt
R. SH. - Vatikan
“Ta kërkosh e ta gjesh vullnetin e Zotit”: ky, titulli i librit, shkruar nga jezuiti atë Miguel Ángel Fiorito, studiues i përshpirtërisë injaciane. Papa Françesku, në parathënie, e quan “libër për të ndihmuar, atë që bën ushtrime shpirtërore”. Shkruan Papa në parathënie: “Ndihmës”, është fjala kyçe e Prologut, me të cilin jezuiti atë Miguel Ángel Fiorito i paraprin librit të tij, titulluar “Ta kërkosh e ta gjesh vullnetin e Zotit”.
Ndihma, që propozon mësuesi - kështu, e thërrisnim familjarisht ne, dishepujt e tij - në thjeshtësinë e tyre mund të kalojë pa u vërejtur fare nga njeriu i pamësuar me lexime të tilla. Sidoqoftë, udhëzimet janë të nevojshme, nëse duam ta lexojmë me përfitim një libër si ky, që i shërben shumë “lidhjes ndërmjet atij, që i propozon - me atë, që i zhvillon ushtrimet shpirtërore”. Këta dy njerëz shoqërohen gjatë një udhe të paracaktuar, në të cilën kush i jep ushtrimet, propozon temat e lutjes, garanton karakterin e zhvillimit të ushtrimeve dhe udhëheq ushtruesin, përmes shoshitjes shpirtërore”.
Në parathënie Papa ndalohet posaçërisht tek disa nga këshillat, që përbëjnë zemrën e prologut. Ndihma e këtij teksti - ashtu si ajo e vetë Ushtrimeve Shpirtërore, arrin deri në një pikë, në të cilën tjetri, në lirinë e tij, dëshiron sinqerisht të ndihmohet. Gjëja e parë, të cilën Shën Injaci i Lojolës ia kujton atij, që duhet t’ia propozojë ndokujt Ushtrimet, është të dallojë ndërmjet dy tipe subjektesh: “Atij që dëshiron ndihmë - e atij, që dëshiron të ketë sa më shumë fryte të mundshme”.
Në këtë hyrje, Papa kujton edhe shembullin e Shën Injacit i cili, në fillim të kthesës së tij, bënte jetë vetmitare, ndonëse ishte oshënar i shoqërueshëm, të cilit i afroheshin shumë njerëz. I afroheshin e ia besonin problemet e tyre e i kërkonin edhe këshilla. Ai vetë, në autobiografinë e tij, tregon se gjithçka bënte, e mendonte si ndihmë për të tjerët. (Autobiografia, 26). Kështu shkoi duke i shkruar Ushtrimet, si njeri “që kundron Zotin, në veprim. E jo në ndonjë veprim të çfardoshëm, por në aksion të një Zoti, që e ndihmonte, duke e mësuar si mund të ndihmohet tjetri”.
E ky shpirt frymëzon gjithë ndihmën, që propozon Fiorito. Siç na kujton Gaudete et exultate: “Krishterimi është bërë për t’u praktikuar e nëse është edhe objekt reflektimi, kjo ka vlerë vetëm kur na ndihmon ta jetojmë Ungjillin në jetën e përditshme”(GE109).
Këtë e shumë sqarime të tjera u jep Papa në parathënien, atyre që duan të përfitojnë nga libri “Ta kërkosh e ta gjesh vullnetin e Zotit”, shkruar nga jezuiti atë Miguel Ángel Fiorito, studiues i përshpirtërisë injaciane, në përfundim të së cilës kujton:
“Në se shikojmë shembullin e Shën Pjetrit, vërejmë se sa herë e quan veten mëkatar, Zoti e thërret menjëherë ta ndjekë pas, për ta mësuar si duhet t’i hedhë rrjetat në emër të Tij e për t’i kullotur delet e Tij”. Zoti nuk e fton Pjetrin për t’i ndrequr të gjitha të metat e jetës së tij të kaluar, por për të dalë nga vetja, për të kumtuar Ungjillin, mision gjatë të cilit e kaluara, në disa gjëra, do të reformohej, në të tjera, jo edhe aq shumë. Sipas modelit të Ungjillit - përfundon hyrja e Papës, që i paraprin librit “Ta kërkosh e ta gjesh vullnetin e Zotit”- zjarri dhe forma e brendshme e Ushtrimeve, siç na e thotë Fiorito - qëndrojnë në veprimin e brendshëm për të njohur - përmes shoshitjes, “vullnetin hyjnor mbi temat më të rëndësishme të jetës sonë shpirtërore”.