Kërko

Vatican News
Rruzarja Rruzarja 

Papa: lutje, që udhëheqësit e Mianmarit të ecin në udhët e paqes

Në përfundim të Mbretëreshës Qiellore, Françesku kujtoi nismën e Kishës birmane dhe i shprehu afërsinë e tij popullsisë së Izraelit për aksidentin mbi Malin Meron. Kujtoi edhe lumnimin e besimtarit laik José Gregorio Hernández. Një urim i ngrohtë drejtuar Kishave ortodokse e Kishave katolike lindore e latine, të cilat sot, sipas kalendarit julian, kremtojnë solemnitetin e Pashkëve.

R. SH. - Vatikan

Në përfundim të lutjes së Mbretëreshës Qiellore, Papa kujtoi lumnimin  e Josè Gregorio Hernández Cisneros, besimtar laik, mjek përplot me shkencë e fe. Diti - kujtoi Papa - të shikojë fytyrën e Krishtit në të sëmurët që mjekonte e, si Samaritan i Mirë, i ndihmoi me dashuri ungjillore. Në vijim Françesku u drejtoi të gjithëve ftesën të ecin në gjurmët mjekut të të varfërve:

“Shembulli i tij na ndihmoftë të kemi kujdes për ata që vuajnë në korp e në shpirt!”.

E më pas kërkoi një duartrokitje për mjekun e lum, që tundi menjëherë  Sheshin e Shën Pjetrit, sot përplot me besimtarë, si të mos ishte edhe kjo, e dielë e prekur nga pandemia.

Gëzuar Pashkët, ortodoksëve e Kishave lindore

Pastaj, urimet e Papës drejtuar ortodoksëve, që i kremtojnë sot Pashkët:

“U dërgoj urimet e mia më të mira vëllezërve e motrave tona të Kishave ortodokse e të Kishave katolike lindore e latine, të cilat sot, sipas kalendarit julian, kremtojnë solemnitetin e Pashkëve. Zoti i ngjallur i mbushtë me dritë e paqe e i ngushëlloftë bashkësitë, që jetojnë në situata posaçërisht të vështira. Për shumë vjet Pashkët!”.

“Kemi hyrë në muajin maj - vijoi t’u kujtojë Papa besimtarëve - muaj në të cilin përshpirtëria popullore e shpreh në mënyra nga më të ndryshmet devocionin për Zojën e Bekuar. Sivjet ky muaj do të karakterizohet nga maratona e lutjes përmes shenjtëroreve të mëdha mariane: lutje për fundin e pandemisë.

Një lutje Zojës, për Mianmarin

 Filloi mbrëmë kjo maratonë, në Bazilikën e Shën Pjetrit. Në këtë kontekst - kujtoi Papa - bën pjesë një nismë, që e kam shumë për zemër: është ajo e Kishës Birmane, e cila na fton të lutemi për paqen, duke i kushtuar Mianmarit një falemimëri gjatë rruzares së përditshme:

“Secili prej nesh i drejtohet nënës, kur ka nevojë ose kur ndodhet para ndonjë vështirësie. Në këtë muaj - vijoi Papa -  t’i kërkojmë Nënës sonë qiellore t’i flasë zemrës së të gjithë drejtuesve të Mianmarit, që të kenë guximin për të  ecur në rrugën e takimit, të pajtimit e të paqes”.

Afërsi popullsisë së Izraelit

Së fundi, me trishtim të thellë, Papa i shprehu afërsinë popullsisë së Izraelit për aksidentin e së premtes së kaluar, në Malin Meron, që shkaktoi vdekjen e 45 vetëve e plagosjen e shumë të tjerëve:

“Siguroj kujtimin tim në lutje për viktimat e kësaj tragjedie si dhe për familjarët e tyre”.

Mendimi i Papës shkoi edhe tek Shoqata Meter, të cilën e inkurajoi  të vijojë angazhimin në favor të fëmijëve, viktima të dhunës e të shfrytëzimit.

E, në përfundim, një përshëndetje e përzemërt drejtuar gjithë të pranishmëve, posaçërisht anëtarëve të Lëvizjes politike për unitetin, themeluar nga Chiara Lubich, 25 vjet më parë.

E sërisht të gjithëve, urimi për një të diel  të gëzuar- e një lutje për Papën!

02 maj 2021, 13:25