Kërko

Vatican News
TAKIMI SCHOLAS OCCURRENTES TAKIMI SCHOLAS OCCURRENTES 

Papa: ku ka luftëra, humbet politika

Françesku vizitoi selinë romake të Scholas Occurrentes, në Pallatin e Shën Kalistit. “Të dhemb zemra, kur i shikon meshtarët duke bekuar armët, mjetet e vdekjes”. Dëshmitë e të rinjve nga mbarë bota, drejtpërdrejt ose përmes video-lidhjeve. U paraqiten nismat e reja të Fondacionit papnor.

R. SH. - Vatikan

Mund të bëhet një provë, për t’u bindur se politika e kryen misionin e saj “si forma më e lartë e më e madhe e bamirësisë”, si dhe për të vërtetuar “ndershmërinë e një kombi”: është lufta. “Kur më pyesin mbi rolin e politikës në botë, përgjigjem: shikoni ku ka luftëra. Ku ka luftëra, aty ka edhe politikë të dështuar. Politika, që nuk është e aftë të dialogojë për të shmangur luftën, është e dështuar. Ka marrë fund! Pyetjes së një të riu të Scholas Occurrentes - “Si mund ta ndryshojnë të rinjtë poltikën” - Papa Françesku i përgjigjet po aq qartë: “Të dhemb zemra kur i shikon priftërinjtë duke bekuar armët”.

Prova për politikën, është lufta

“Testi për politikën është lufta; testi për nderin e një kombi, përgjgjja që i jep pyetjes: “A prodhon armë? A i favorizon luftërat? A pasurohesh sepse shet armë, që të vriten të tjerët?”. Kështu e shikojmë nëse një komb  është  moralisht i shëndetshëm” - iu përgjigj Papa, duke folur lirisht, pyetjeve të të rinjve, gjatë vizitës që bëri dje pasdite në Pallatin e Shën Kalistit, selia romake e këtij rrjeti global solidariteti, lindur në Argjentinë e shndëruar në Fondacion papnor, me dëshirën e vetë Françeskut. E akoma - shtoi - mua më dhemb zemra kur i shikoj meshtarët duke bekuar armë. Nuk bekohen mjetet e vdekjes!

Dialogu, kyçi i politikës

“Dashuria është politike, domethënë, shoqërore, për të gjithë. E kur mungon universaliteti i dashurisë, politika venitet, sëmuret, bëhet e keqe” – pohoi Papa duke ftuar për dialog, sepse “opinionet e ndryshme” janë “kyçi i politikës”, që duhet të  dëshirojë gjithnjë “unitet e harmoni”.

“Parlamentet janë kyçi, sepse atje punohet për zgjidhjen e të gjitha problemeve, por duke pasur gjithnjë në mendje se uniteti është shumë më  i lartë se konflikti. Politika nuk është pikarritje, jo! Është udhë, nisje e proceseve…Mosbesimi në politikë vjen sepse ngatërrohet me sipërmarrjet, me “Kjo më duhet, kjo tjetra të duhet.. sa më jep e sa nuk më jep”. Politikë domethënë të ecësh, edhe kur ecja e djeg politikanin. Rëndësi ka të arrish aty ku duhet arritur - kujtoi Papa Françesku.

Pritja e të rinjve

Papa i Romës u prit me duatrokitje të zjarrta në selinë e lagjes romake Trastevere. Disa të rinj, pjesëmarrës në projektin edukativ, i dorëzuan  dhuratat: pemën e jetës dhe një lirë prej druri, duke e ftuar të zgjedhë. Françesku zgjodhi këtë të fundit e, duke luajtur mbi telat e saj notat e para, pohoi  “Të këndosh, është poezi”.

Orë plot me gjallëri rinore

Papa përshëndeti, më pas, zonjën argjentinase Fabiola Yánez, koordinatore  e grupit të bashkëshorteve të presidentëve latinoamerikanë (ALMA), të angazhuara në punën me Shcholas, që folën gjatë takimit. Më pas përshëndeti ministrat italianë Roberto Speranza (i shëndetësisë) dhe Patrizio Bianchi (i arsimit), që morën pjesë në bisedë.  Në vijim Franco Nembrini, njëri nga studiuesit më të shquar të “Komedisë Hyjnore”  recitoi vargjet me të cilat hapet Ferri i Dantes e më pas, Papa përshëndeti  një grup nxënësish, të cilëve u drejtoi pyetjen: “Çfarë do të thotë  të punosh fort gjatë pandemisë?”. “Nuk mundëm t’ia dalim fizikisht, po ia dolëm mendërisht” - ishte përgjigjja. E Papa brohoriti: “Ky është kyçi! Të dalësh! Sepse kur mbyllesh në vetvete, prishesh. Si uji që kur rrjedh është i pastër, po kur ndalet, shndërrohet në kënetë”.

Një seli e re e Scholas, në Sideny

Pasi u ndoq një seri filmash të regjistruar në pesë kontinentet, me veprimtari nga më të ndryshmet të të rinjve: duke kënduar, duke vallëzuar, duke u rënë veglave muzikore, Papa përuroi virtualisht  selinë e re të Scholas në Sydney, që do të punojë me Universitetin Katolik të Australisë për aktualizimin edukativ të enciklikës “Lëvduar qofsh”. Dëgjoi edhe dëshmitë e të rinjve të dalë nga errësira, në dritën e jetës, falë familjes së Scholas e të rinjtë i dhuruan një bluzë futbollistësh. Në vijim Ati i Shenjtë u lidh me vendlindjen e  tij, Argjentinën, duke i çuditur pa masë  të rinjtë, që po merrnin pjesë në një veprimtari për parandalimin e vartësive, të cilën Scholas e çon përpara  në zonën El Impenetrabile, provinca e Cha

Hapja e një pusi, simbol rilindjeje

Gjatë takimit gjithë të pranishmit hapën simbolikisht një pus, në një vazo prej argjile, vendosur në sallë. Ishte simbol rilindjeje, rifillimi, por edhe “rreziku”. Sepse - tha Papa, para se të jepte bekimin përfundimtar - edhe  rrezikimi ka vlerën e vet: “Scholas nuk mund të kuptohet, pa u bërë ballë edhe rreziqeve”.

21 maj 2021, 11:54