Kërko

Lutja e Mbretëreshës Qiellore Lutja e Mbretëreshës Qiellore 

Papa: Jezusi na trajton si miq e na kërkon të mbetemi në dashurinë e Tij

Françesku, në lutjen e Mbretëreshës Qiellore, nënvizoi se Jezusi “na fton të mbetemi në dashurinë e tij”. Mendimi i Atit të Shenjtë shkoi në Jeruzalemin e trazuar nga ndeshjet, e në Kabul. Papa shprehu edhe shqetësimin për situatën në Kolumbi, duke kujtuar, më pas, edhe se në Agrixhento u lumnua Rosario Angelo Livatino e se në shumë vende sot kremtohet festa e nënës. Së fundi, përshëndetja drejtuar njerëzve të prekur nga fibromialgia.

R. SH. - Vatikan

Në Ungjillin e kësaj së dieleje - kujtoi Papa në lutjen e Mbretëreshës Qiellore, kremtuar nga Dritarja e Engjëllit - Jezusi, pasi e krahason vetveten me hardhinë e ne, me shermendët, shpjegon cili është fryti, që sjellim kur mbetemi të bashkuar me Të: ky fryt është dashuria - theksoi menjëherë pas Papa. Përsëriti, pra, rishtas, foljen-kyçe “të mbetesh”. Na ftoi prap të mbetemi në dashurinë e Tij, që lavdia e Tij të jetë në ne e  gëzimi ynë të jetë i plotë.

Zoti është dashuri

Na lind menjëherë pyetja: cila është kjo dashuri, ku Jezusi  na fton të mbetemi, për të pasur edhe ne gëzimin e Tij? - pyeti Papa. Për t’u përgjigjur sakaq  se është dashuria, që e ka zanafillën nga Ati, sepse “Zoti është dashuri”. Rrjedh si lumi në Birin Jezus e, përmes Tij, arrin tek ne, krijesat. Na e kujton ai vetë - nënvizoi Papa – duke na përsëritur: “ashtu si më deshi Ati mua, ashtu ju desha edhe unë ju”. Dashuria, që na e dhuron Jezusi, është si ajo e Atit për të Birin. Na do me të njëjtën dashuri: të pastër, të pakushtëzuar, të painteres. Duke na u dhuruar ne, Krishti na trajton si miq, na bën ta njohim Atin e na fton në të njëjtin mision për jetën e botës.

Të duam, si deshi Krishti

“Por, si mund të mbetemi në këtë dashuri?” - ishte pyetja e re që ua drejtoi Papa besimtarëve - Na e kujton vetë Jezusi: “Nëse do t’i zbatoni urdhërimet e mia, do të mbeteni në dashurinë time”. E urdhërimet e tij Jezusi i përmblodhi në një shprehje të vetme. Është: “Ta doni njëri -tjetrin, si ju desha unë ju!”.

Të duash si deshi Krishti

E të duash, si deshi Krishti - kujtoi Françesku në lutjen e Mbretëreshës Qiellore - do të thotë të vihesh në shërbim të vëllezërve, siç bëri ai vetë, duke ua larë këmbët dishepujve. Do të thotë të dalësh nga vetvetja, të shkëputesh nga siguritë tua njerëzore, nga rehatia, për t’ia hapur zemrën të tjerëve, posaçërisht atyre, që kanë më shumë nevojë:

“Do të thotë  të vihemi në dispozicion me gjithçka jemi e gjithçka kemi. E do të thotë edhe të duash jo vetëm me fjalë, por me fakte”.

Çfarë do të totë ta duash Krishtin?

Çfarë do të thotë ta duash Krishtin? -pyeti në vijim Papa. - “Do të thotë  t’i gjegjesh me një jo të vendosur dashurive të tjera, që të propozon bota: dashurisë për paranë, për suksesin, për pushtetin. Këto rrugë rrenacake të  largojnë nga dashuria e Zotit e të bëjnë gjithnjë më shumë egoist, narcizist e prepotent. Kështu janë ata, që largohen nga Zoti! E prepotenca të çon në zvetënimin e dashurisë, në shpërdorimin e të tjerëve, në sjellje, të cilat i shkaktojnë vuajtje njeriut që do. Mendoj për dashurinë e njeriut të sëmurë, që shndërrohet në dhunë - sa gra janë viktima të saj sot e kësaj dite. Po kjo nuk është dashuri.

Të duash si do Zoti, do të thotë ta vlerësosh njeriun që ke pranë, ta respektosh lirinë e tij, ta duash, ashtu siç është, pa kërkuar shpërblim:

“Në përfundim mund të themi se Jezusi na kërkon të banojmë në dashurinë e Tij, jo në idetë tona, jo në kultin e vetvetes; të rrimë larg nga preteksti për t’i kontrolluar të tjerët, për t’i nënvleftësuar të tjerët, por për t’u besuar  e për t’ua dhuruar vetveten”.

Që gëzimi të jetë i plotë 

Më pas, pyetja e Papës: “E ku na çon  kjo dëshirë për të mbetur në dashurinë e Zotit?". Na e thotë vetë Jezusi: “Që gëzimi im të jetë në ju, e gëzimi juaj të jetë i plotë”. Gëzimin, që e ka Krishti, sepse në bashkim të plotë me Atin, dëshiron ta kemi edhe ne, si të bashkuar me të. Është gëzimi, që buron nga shpirti, kur e dimë se Zoti  na do, se pavarësisht nga pabesitë tona, na bën t’i përballojmë me fe provat e jetës, na bën të përshkohemi nëpër kriza,  për të dalë prej tyre më të mirë. E pikërisht kur e jetojmë këtë gëzim, e  kuptojmë se jemi dëshmitarë të vërtetë, sepse gëzimi është shenjë dalluese e të krishterit.

Këtë theksoi Papa, për të përfunduar, si zakonisht, me lutjen drejtuar Marisë:

“Na ndihmoftë Virgjëra Mari për të mbetur në dashurinë e Jezusit  e për t’i dashur përherë e më shumë të gjithë,  duke e dëshmuar, kështu, gëzimin e Zotit të ngjallur!”.

Urime të gjitha nënave!

Pas lutjes mariane, mendimi i Atit të Shenjtë shkoi në Jeruzalemin e trazuar nga ndeshjet dhe tek viktimat e atentatit të djeshëm në Kabul. Papa shprehu edhe shqetësimin për situatën në Kolumbi, duke kujtuar, më pas,  se në Agrixhento u lumnua Rosario Angelo Livatino e se në shumë vende sot kremtohet festa e Nënës. Më pas, edhe përshëndetja drejtuar njerëzve të prekur nga  fibromialgia.

Papa Françesku kujtoi në përfundim, se sot, në shumë vende, kremtohej festa e nënës. “T’i përshëndesim - ftoi - të gjitha nënat e botës, edhe ato, që nuk janë më mes nesh. Një duartrokitje për nënat!”.

 

09 maj 2021, 13:40

Ç’është lutja e Mbretëreshës Qiellore?

Lutja fillestare e Mbretëreshës Qiellore, ose thjesht “Mbretëresha Qiellore”, është një nga katër lutjet mariane (të tjerat janë Alma Redemptoris Mater, Ave Regina Coelorum dhe Salve Regina).

Ishte Papa Benedikti XIV ai që, në vitin 1742, porositi të thuhej, në vend të Engjëllit të Tënzot, duke qëndruar në këmbë, si shenjë e fitores mbi vdekjen , gjatë Kohës së Pashkëve, domethënë, që nga e Diela e Pashkëve, deri tek Dita e Rrëshajëve.

Thuhet, ashtu si Engjëlli, tri herë në ditë: në  agim, në mesditë e në muzg, për t’ia kushtuar ditën Zotit e Marisë.

Kjo lutje e lashtë, sipas një tradite të përshpirtshme, duhet ta ketë fillesën  aty nga shekulli VI ose shekulli X, ndërsa përhapja e saj dokumentohet që nga gjysma e parë e shekullit XIII, kur u përfshi në Shkurtoren françeskane. Përbëhet nga katër fraza të shkurtëra, që përfundojnë me Aleluja e është lutja, që besimtarët ia drejtojnë Marisë, Mbretëreshë e Qiellit, për t’u gëzuar bashkë me të për ngjalljen e Krishtit.

Papa Françesku, më 6 prill 2015, pikërisht gjatë lutjes së Mbretëreshës Qiellore në ditën pas Pashkëve, foli për gjendjen shpirtërore, me të cilën duhet thënë kjo lutje:

“… i drejtohemi Marisë duke e ftuar të gëzojë, sepse Ai, që e mbajti në kraharor, u ngjall, siç pati premtuar, e ia besojmë veten ndërmjetësimit të saj. Në të vërtetë gëzimi ynë është pasqyrim i gëzimit të Marisë, sepse është ajo, që i ruajti e i ruan në zemër ngjarjet e jetës së Jezusit. Ta themi, prandaj, këtë lutje  me mallëngjimin e bijve, që janë të lum, sepse e Lume është edhe Nëna e tyre.

Engjëlli i Tënzot/Mbretëresha Qiellore e fundit

Lexo gjithçka >