Kërko

Vatican News

Papa Françesku: një shoqëri që nuk e mirëpret jetën, pushon së jetuari

Papa, së bashku me kryeministrin italian, Mario Draghi, hapi punimet e Forumit “Stati Generali della Natalità”(Gjendja e Përgjithshme e Lindjeve), organizuar nga Forumi i Shoqatave Familjare: e trishtuar, t’i shikosh gratë duke fshehur barkun, sepse shihen shtrembër në vendet ku punojnë.

R.SH. - Vatikan

Nga njëra anë “trishtimi për pasigurinë e punës”, nga tjetra “frika, e cila buron nga që rritja e fëmijëve kushton gjithnjë më shumë” e ndrojtja e grave që, kur janë shtatzëna, çkurajohen në punë aq, sa të detyrohen të fshehin barkun”. Të gjitha këto formojnë një “truall” të lëvizshëm, i cili lëkundet nën këmbët e një shoqërie, që rrezikohet të fundoset. E  kontribuojnë për ta bërë gjithnjë “më të akullt e më të errët” dimrin demografik, tashmë të vazhdueshëm në Itali. Papa Françesku foli, në hapje  të Punimeve të “Stati Generali della Natività”, organizuar nga Forumi i Shoqatave Familjare, në Auditoriumin e Rrugës së Pajtimit, kushtuar fatit demografik të Italisë e të Botës.

I pranishëm, kryeministri Draghi

Françesku arriti në orën 9.00 në hyrjen e Auditoriumit, dy hapa larg nga Sheshi i Shën Pjetrit, i ndjekur nga kryeministri Draghi. Në  podium e prisnin tetë fëmijë, që e rrethuan gjatë gjithë takimit; në radhët e para, kryebashkiakja  e Romës, Virginia Raggi dhe autoritete të tjera vendore.

Mbledhjen e hapi kryeministri Draghi, pasuar nga një sërë diskutimesh dhe tri tryezash tematike: përfaqësues bankash, ndërrmarrjesh, sigurimesh, mediash, sporti, të gjithë të bashkuar për një ballafaqim koral lidhur me temën  e lindjeve në një vend që, në vitin 2020 pati  30% lindje më pak.

Vetëm gjysma e të rinjve mendon se mund të ketë më shumë se dy fëmijë

“Pikërisht kjo është prirja, që duhet ndryshuar, për ta rivënë në lëvizje  Italinë, duke nisur nga jeta, nga njeriu” - theksoi Françesku në fillim të fjalës së tij, drejtuar kryesisht të rinjve me ëndrra të ngrira nga akujt e këtij dimri të madh e të çkurajuar deri në atë pikë, sa “vetëm gjysma mendon se mund të ketë më shumë se dy fëmijë gjatë jetës”.

“Italia është në këtë gjendje prej vitesh, me numrin më të ulët të lindjeve në Evropë” - vërejti Papa - “në këtë, që po bëhet Kontinenti i vjetër jo më për historinë e tij të lavdishme, por për moshën e tij tejet të shtyrë:

“Çdo vit është si të zhdukej një qytet me më se dyqindmijë banorë, e në 2020-tën  numri i lindjeve qe më i ulti: jo vetëm për shkak të Covid-it, por kryesisht për prirjen drejt uljes së vazhdueshme, drejt një dimri gjithnjë më të akullt”.

Prindër, ndërmjet shtëpisë e punës, gjyshër, sandalle shpëtimi

Papa citoi fjalët e Presidentit të Republikës, Sergio Mattarella, kur pati pohuar se “familjet nuk janë ind lidhës i Italisë, familjet janë Italia”. Hodhi, më pas, një shikim mbi realitetin e shumë familjeve që në këto muaj pandemie “u detyruan t’i bëjnë shtëpitë vendpunime e shkolla ndërsa prindërve iu desh të bëhen mësues, teknikë informatike, punëtorë e psikologë,” pa harruar këtu “flijimet” që iu kërkuan gjyshërve. Prindër, që rendin ndërmjet shtëpisë e punës, e gjyshër, sandalle shpëtimi në familje, përveçse “kujtesë që i hap rrugën ardhmërisë”:

“Që e ardhmja të jetë e mirë, duhet kujdesi për familjen, posaçërisht për familjet e reja, të kapërthyera nga një mori shqetësimesh, që krijojnë rrezikun t’ua paralizojnë  të gjitha planet e jetës”.

E trishtuar, të shikosh gra që detyrohen ta fshehin barkun në punë

 Lidhur me paralizimin e lindjeve, Papa kritikoi situatën në të cilën jetojnë shumë gra në vendet e punës, të trembura deri në atë pikë nga mendimi se shtatzania mund të bëhet shkak për humbjen e punës, sa ta fshehin barkun:

“Si është e mundur që një grua të ketë turp nga dhurata më e bukur, që mund të ofrojë jeta? Jo gruaja, po shoqëria duhet të turpërohet, sepse një shoqëri që nuk e mirëpret jetën, pushon së jetuari. Fëmijët janë shpresa, që e bën të rilindë një popull”.

Shtesë page, për çdo fëmijë  

U mirëprit edhe propozimi i Ipeshkvit të Romës, sipas të cilit është e domosdoshme të ketë shtesë page për çdo fëmijë. Çek i veçantë për nevojat konkrete të familjeve, që bënë e bëjnë një mori flijimesh, dhe shenjë  e fillimit të reformave shoqërore, që vënë në qendër fëmijët dhe familjen:

“Nëse familjet nuk janë në qendër të së tashmes, nuk do të ketë as të ardhme; por nëse familjet rinisen, rifillon gjithçka”.

Në radhë të parë, dhurata

Skenari është i vështirë e ardhmëria, e paqartë, por Papa Françesku  shikon tashmë në horizont “pranverën”. E që pranvera të lulëzojë, propozon tre mendime. Në radhë të parë, “dhuratën”:

“Çdo dhuratë merret, e jeta është dhurata e parë, që mori secili nesh…  Jemi të thirrur ta transmetojmë. E  fëmija  është dhurata më e madhe për të gjithë e vjen para së gjithash”.

Më pas Papa theksoi se nuk mund të ushqehet prodhimi, as të ruhet ambienti, “nëse nuk do të kujdesemi për fëmijët”. Prej tyre varet zhvillimi i qëndrueshëm.

E së dyti, vuri fort theksin mbi rolin e shkollës, ku duhen shikuar “fytyrat” jo “notat” e të rinjtë duhet të formojnë jo vetëm mendjet, por edhe, e kryesisht, zemrat:

“E trishtueshme të shikosh modele,  të cilat mundohen vetëm të duken gjithnjë të bukur, gjithnjë të rinj, gjithnjë në formë. Të rinjtë nuk rriten falë fishekzjarreve të dukjes, e fitojnë pjekurinë nëse joshen nga ata, që kanë guximin të ëndërrojnë ëndrra të mëdha, që flijohen për të tjerët, që i bëjnë mirë botës në të cilën jetojnë. E të mbetesh gjithnjë i ri nuk varet nga selfiet e shtrirja e rrudhave! I ri mbetesh kur mund ta shikosh veten, një ditë, në sytë e fëmijëve të tu”.

Nganjëherë “transmetohet mesazhi se të realizohesh, do të thotë të fitosh para e të arrish suksese, ndërsa fëmijët shikohen si gjë e tepërt, që i pengojnë aspiratat personale. Kjo mendësi - sipas Françeskut - “është gangrenë për shoqërinë dhe e bën të paqëndrueshme të ardhmen”.

Solidaritet strukturor

Fjala e tretë, së fundi, është “solidaritet”. Solidaritet “strukturor”, i qëndrueshëm për strukturat e mbështetjes së familjeve dhe ndihmesën  për lindjet:

“Në radhë të parë, duhen politika familjare me frymëmarrje të gjatë, largpamëse; jo të bazuara mbi konsensusin e menjëhershëm, por mbi rritjen e së mirës së përbashkët me afat të gjatë. Këtu qëndron ndryshimi ndërmjet mbarështimit të pasurisë publike dhe qenies politikanë të mirë. Duhet t’u ofrohet të rinjve garanci për punë të qëndrueshme, siguri për shtëpinë, dëshirë për të mos u larguar nga Vendi”.

Më pas, Françesku kujtoi edhe nevojën për një ekonomi që promovon jetë, jo sende të nevojshme, që formon, duke informuar, e një informacion “që ka formatin e familjes” dhe vuri theksin kryesor  mbi lindjet.

“Pa lindje, nuk ka ardhmëri”

Në përfundim, një fjalë e thjeshtë, e sinqertë:

 “E falënderoj secilin nga ju dhe të gjithë ata, që besojnë në jetën njerëzore e në ardhmërinë. Nganjëherë më duket se bërtas në shkretëtirë, se luftoj kundër mullinjve të erës! Po ju ecni përpara, mos u ndalni, sepse është gjë e bukur ta ëndërrosh të mirën e ta ndërtosh të ardhmen. E, pa lindje, nuk ka ardhmëri”. 

14 maj 2021, 12:48