Kërko

Papa takon një refugjat, gjatë vizitës në Centro Astalli të Romës, më 2013 Papa takon një refugjat, gjatë vizitës në Centro Astalli të Romës, më 2013

Papa: nacionalizmi dhe individualizmi e cënojnë unitetin, larmia është pasuri

Mesazhi i Papës Françesku për Ditën e 107-të Botërore të Migrantëve dhe Refugjatëve, që do të kremtohet më 26 shtator: “Për Kishën, takimi me të huajt është terren pjellor për zhvillimin e ekumenizmit dhe të dialogut ndërfetar”

R.SH. - Vatikan

Në një epokë në të cilën “nacionalizmat e mbyllur e agresivë dhe individualizmi radikal e shkërmoqin, ose e prishin unitetin, si në botë ashtu edhe brenda Kishës”, në Mesazhin e tij për Ditën e 107-të Botërore të Migrantëve dhe Refugjatëve, Papa Françesku ëndërron një ardhmëri shumëngjyrëshe. Një të ardhme, në të cilën Kisha është “gjithnjë e më përfshirëse” për migrantët e refugjatët e besimeve të ndryshme fetare, në mënyrë që të çojë përpara dialogun ekumenik dhe ndërfetar; një të ardhme, në të cilën bota “të pasurohet nga larmia dhe nga marrëdhëniet ndërkulturore” e  kufijtë të shndërrohen në “vende takimi”. Mesazhi papnor u paraqit sot në një konferencë për shtyp në Vatikan.

Udhë e përbashkët në një botë në krizë

 Në të, Ati i Shenjtë përmend sërish pasojat e pandemisë së koronavirusit, duke paralajmëruar se “reagimi më i keq”, pas ajo të kalojë, do të ishte  “një konsumizëm edhe më i ethshëm dhe forma të reja të vetëmbrojtjes egoiste”. Papa promovon atë “ne” për gjithë njerëzimin, e cila i kundërvihet individualizmit dhe është në qendër të misterit të Krishtit, vdekur e ngjallur që të gjithë të jenë “një gjë e vetme”.

Pikërisht për këtë arsye, Mesazhi i Papës për Ditën e Migrantëve e të Refugjatëve titullohet “Drejt një ‘ne’ gjithnjë e më të madhe” e synon ta nxisë njerëzimin të mendojë në numrin shumës, duke i përfshirë të gjithë në shoqëri e duke menduar se askush nuk shpëton i vetëm, por është në të njëjtën barkë me të tjerët, siç pasi theksuar më 27 mars 2020, në Sheshin e Shën Pjetrit bosh, kur koronavirusi bënte kërdinë. Ati i Shenjtë vë në dukje se gjatë emergjencës shëndetësore, për shkak të individualizmave, që shpesh arrijnë në nivele shtetërore, çmimin më të lartë për pasojat e paguajnë jo rrallë “të huajt, migrantët, të mënjanuarit, që banojnë në periferitë ekzistenciale”. “Jemi të thirrur – kërkon Françesku – të impenjohemi që të mos ketë më mure, të cilat na ndajnë, të mos ketë më ‘të tjerë’, por vetëm një ‘ne’, e madhe sa krejt njerëzimi”.

Një Kishë gjithnjë e më përfshirëse

Katolikëve, Ipeshkvi i Romës u kërkon të jenë më besnikë ndaj fesë së tyre, pasi Zoti u kërkon t’i pranojnë të gjithë, pavarësisht nga ndryshimet, duke i harmonizuar ato, pa e shpërfytyruar identitetin e tyre. “Në takimin me të huaj, migrantë, refugjatë nga më të ndryshmit dhe në dialogun ndërkulturor, që mund të lindë, - shkruan Papa - na jepet mundësia të përparojmë si Kishë, të pasurohemi reciprokisht. Në fakt, kudo ndodhet, çdo i pagëzuar është anëtar me të drejta të plota në bashkësinë kishtare lokale, anëtar i një Kishe të vetme, banor i së njëjtës shtëpi, anëtar i së njëjtës familje”. E në punën e tij për të ndihmuar migrantët e refugjatët, pa prozelitizëm, kërkon Ati i Shenjtë, çdo i krishterë të gjejë terrenin për një dialog ekumenik e ndërfetar të sinqertë, që e pasuron.

Të pasurohemi nga ndryshimet reciproke

Këtë frymë gjithëpërfshirëse Papa e kërkon edhe për botën: “Të rikompozohet familja njerëzore, për të ndërtuar së bashku të ardhmen në drejtësi e paqe, duke u siguruar që askush të mos përjashtohet”, bën thirrje ai. E ardhmja e shoqërisë, që sheh Ati i Shenjtë, është shumëngjyrëshe, pasuruar nga ndryshimet kulturore dhe nga marrëdhëniet ndërmjet njerëzve. Në këtë këndvështrim, “migrimet bashkëkohore na japin mundësinë për ta kapërcyer frikën e për t’u pasuruar nga larmia e dhuratave të secilit. Pra, nëse duam, mund t’i shndërrojmë kufijtë në vende takimi të privilegjuara, ku mund të lulëzojë mrekullia e një ‘ne’ gjithnjë e më të madhe”, shkruhet në dokument.

Kujdesi për Shtëpinë e përbashkët

Në mesazhin papnor nuk mungon thirrja për kujdes ndaj Shtëpisë së përbashkët, Gjithësisë së krijuar nga Zoti. Ati i Shenjtë vë në dukje përgjegjësinë për botën, që u lëmë brezave të ardhshëm, aspekt i rëndësishëm i asaj “ne”-je, që e kërkon vazhdimisht në gjithë dokumentin. Është impenjim “personal dhe kolektiv”, që “kujdeset për gjithë vëllezërit dhe motrat, të cilët vazhdojnë të vuajnë ndërsa përpiqemi të realizojmë një zhvillim më të qëndrueshëm, më të ekuilibruar dhe më gjithëpërfshirës”. Një impenjim, thekson Papa Françesku, i cili “nuk bën dallime ndërmjet vendasve dhe të huajve, ndërmjet banorëve dhe të ardhurve, pasi është thesar i përbashkët e askush nuk duhet përjashtuar nga kujdesi për të e nga përfitimet prej tij”.

Lutja: “O Zot, beko çdo gjest mikpritjeje dhe ndihme”

Papa e përfundon Mesazhin me një lutje:

O Atë i Shenjtë dhe i dashur,

Biri yt, Jezu Krishti na mësoi

se në Qiell ndihet gëzim i madh

kur ndokush, që ishte humbur,

gjendet më në fund,

kur ndokush, që ishte përjashtuar, refuzuar e mënjanuar

përfshihet sërish në atë “ne” tonën,

që bëhet gjithnjë e më e madhe.

Po të lutemi t’u japësh të gjithë dishepujve të Krishtit

dhe gjithë njerëzve vullnetmirë

hirin për të bërë vullnetin Tënd në botë.

Bekoje çdo gjest mikpritjeje dhe ndihme,

që e vendos çdo të mërguar

në atë “ne” të bashkësisë e të Kishës,

që kjo toka jonë të bëhet,

ashtu siç e pate krijuar Ti vetë,

Shtëpi e përbashkët e gjithë vëllerëzve e motrave. Amen.

06 maj 2021, 11:38