Kërko

Vatican News

Papa Françesku “ia besoi Marisë Virgjër të gjitha Nënat”

Papa, duke kujtuar Majin, muajin e Marisë, ia besoi të gjitha nënat ndërmjetësimit të Nënës së Krishtit. “Nëna e Zotit e shtriftë mbrojtjen e saj të kujdesshme mbi të gjitha gratë e i kërkoftë të Birit për secilën, hiret e nevojshme dhe bekimin në jetën familjare, amtare e profesionale”.

R.SH. - Vatikan

“Në këtë muaj maji - kujtoi Papa Françesku në përfundim të audiencës së përgjithshme, mbajtur në Oborrin e Shën Damasit - ne nderojmë Zojën e Bekuar. Po ia besoj Asaj të gjitha nënat, e posaçërisht ato, që presin lindjen e fëmijëve”.

Ndërsa, duke iu drejtuar polakëve, në përfundim të audiencës, në Oborrin e Shën Damasit, u lut: “Nëna e Zotit e shtriftë mbrojtjen e saj të kujdesshme mbi të gjitha gratë e i kërkoftë të Birit për secilën, hiret e nevojshme dhe bekimin në jetën familjare, amtare e profesionale”.

Këtë i kërkoi Nënës - për nënat Françesku. Për të përshëndetur, në përfundim, edhe besimtarët e gjuhës italiane, të cilëve u kujtoi figurën e Shën Filip Nerit, që njihet si “shenjti i gëzimit”e që  kremtohet sot: “Gëzimi qetësues, dhuratë e Zotit, e shoqëroftë dhe e pasuroftë udhën e secilit prej jush”- ishte urimi i Papës.

26 maj 2021, 14:19