Kërko

Vatican News

Papa: financa të jetë në shërbim të njerëzve, pa rregulla është spekulim

Në videon e publikuar nga Rrjeti Botëror i Lutjeve, në maj, Papa kërkon lutje që përgjegjësit botërorë të financave të bashkëpunojnë me qeveritë për të mbrojtur më nevojtarët

R.SH. - Vatikan

“Ekonomia reale, ajo që krijon vende pune, është në krizë”, shumë njerëz janë pa punë, ndërsa “tregjet financiare nuk kanë qenë kurrë aq hipertrofike sa tani”. Nga distanca e “botës së financave të mëdha prej jetës së shumicës së njerëzve”, fillon reflektimi i Papës Françesku në videon, që si çdo fillim muaji, paraqet ndjetin e lutjes për majin, publikuar sot nga Rrjeti i Lutjeve. Kësaj radhe, Ati i Shenjtë përqendrohet në rrezikun e spekulimeve nga ana e financave botërore, që mund t’i krijojnë edhe më tepër vështirësi gjithë njerëzimit:

“Financat, nëse nuk kanë rregulla, kthehen thjesht në spekulime, nxitur nga politikat monetare. Kjo gjendje s’mund të vazhdojë gjatë. Është e rrezikshme. Për të shmangur që të varfrit t’i paguajnë sërish pasojat, duhen vendosur rregulla rigoroze për spekulimet financiare. Spekulime. Dua ta nënvizoj këtë term”.

Na duhet një ekonomi, që nuk lë askënd pas

Kështu, Papa përvijon një drejtim për ndryshimin. “Financat të jenë mjet shërbimi, mjet për t’u shërbyer njerëzve dhe për t’u kujdesur për shtëpinë tonë të përbashkët!”, kërkon Ati i Shenjtë, duke theksuar se “kemi ende kohë për të filluar një proces ndryshimi global, për të vënë në jetë një ekonomi tjetër, më të drejtë, gjithëpërfshirëse, ​​të qëndrueshme, që nuk lë askënd pas”.

“Le ta bëjmë këtë! E të lutemi që përgjegjësit e financave të bashkëpunojnë me qeveritë për të vendosur rregulla për tregjet financiare dhe për të mbrojtur qytetarët në rrezik”.

Pandemia dhe ndërhyrjet e Papës Françesku

Pak më shumë se një vit pas fillimit të pandemisë globale Covid-19, pasojat ndihen fuqimisht, përfshirë ato ekonomike dhe financiare, kujton njoftimi për shtyp, që shoqëron videon. “Prodhimi i Brendshëm Brut Botëror (PBB) – theksohet në të - në vitin 2020, ishte më i ulti që nga fundi i Luftës II Botërore: miliona njerëz mbetën përgjithmonë, ose përkohësisht, pa punë, ndërsa qeveritë kanë shpërndarë miliarda dollarë në ekonomitë e tyre për të shmangur dëmet” e pakthyeshme. Në letrën e tij drejtuar Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, kohët e fundit, Papa Françesku kujton se “shumë nga vëllezërit dhe motrat tona në familjen njerëzore, veçanërisht ata në periferitë e shoqërisë, faktikisht, janë përjashtuar nga bota financiare”. Prandaj, është e rëndësishme që tregjet të mbështeten nga ligje dhe rregullore, që kanë për qëllim të sigurojnë funksionimin e tyre për të mirën e përbashkët, “duke garantuar që financat - në vend që të jenë thjesht spekulative, ose të financojnë vetëm vetveten - të punojnë për objektiva shoqërore tejet të nevojshme në kuadrin e emergjencës globale shëndetësore aktuale”.

Zhvillim, jo spekulim

Në temat e prekura nga video me ndjetin e lutjes për muajin maj jehojnë edhe reflektimet e shprehura nga Papa Françesku, për shembull, në enciklikën “Laudato si’”, në të cilën kujtohet se politika dhe ekonomia, në dialog, duhet të jenë në shërbim të jetës. Edhe në enciklikën “Fratelli tutti” theksohet se u takon qeverive dhe modeleve të tyre financiare të “rehabilitojnë një politikë të shëndetshme, që nuk i nënshtrohet diktatit të financave” dhe “të vendosin sërish në qendër dinjitetin njerëzor”. Kësaj radhe, përgatitja e videos së Papës është bërë bashkë me Dikasterin për Shërbimin e Zhvillimit të Gjithanshëm Njerëzor e me mbështetjen e Federatës Italiane të Bankave të Kreditit Kooperativ, një rrjet prej 250 bankash me 1 milion e 350 mijë ortakë, që prej më se një shekulli promovon bashkëjetesën shoqërore e zhvillimin e qëndrueshëm e të përgjegjshëm.

04 maj 2021, 16:02