Kërko

Vatican News

Papa, dominikanëve: pranverë e re ungjillore, që u flet njerëzve të sotëm

Letër e Papës Françesku për eprorin e përgjithshëm të Urdhrit të Predikatarëve, në 800-vjetorin e vdekjes së themeluesit: “Të kapërcehen strukturat ekonomike e politike të padrejta, të punohet për zhvillimin e gjithanshëm të çdo individi e populli”.

R.SH. - Vatikan

Në 800-vjetorin e vdekjes së Shën Dominikut nga Caleruega, themeluesit spanjoll të Urdhrit të Predikatarëve, kujtimi shkon në vizitën e Papës Françesku në Bolonjë, pesë vjet më parë, më 2 tetor 2017, kur, për disa çaste, në heshtje, Ati i Shenjtë u lut para “Arkës”, monumentit realizuar për varrin e shenjtit (i cili vdiq në Bolonjë në vitin 1221), në bazilikën kushtuar atij. “U luta veçanërisht për Urdhrin e Predikatarëve, - shkruan sot vetë Papa Françesku, në një letër për fratin Gerard Francisco Timoner, epror i përgjithshëm i Urdhrit - duke i kërkuar që anëtarët e tij të kenë hirin e këmbënguljes në besnikërinë ndaj karizmës së tyre themelore dhe ndaj traditës së shkëlqyer, trashëgimtarët e së cilës janë”. E më pas, shton: “Kërkova, si dhuratë të veçantë, shtimin e konsiderueshëm të thirrjeve në jetën meshtarake e rregulltare”.

Të kapërcehen strukturat e padrejta ekonomike e politike

Në letrën e nënshkruar më 24 maj, në Shën Gjonin në Lateran, Papa u beson dominikanëve, por edhe gjithë të krishterëve, këtë mandat: “Forconi lidhjet e miqësisë shoqërore, kapërceni strukturat e padrejta ekonomike dhe politike dhe punoni për zhvillimin e gjithanshëm të çdo individi e populli”. Familja dominikane, së cilës i drejtohet Ati i Shenjtë, përqafon sot si jetën kundruese, ashtu edhe veprat apostolike, si vëllazëritë meshtarake e laike, ashtu edhe institutet shekullare e lëvizjet rinore. Të gjitha, frymëzuar nga “varfëria dhe thjeshtësia” e shën Dominikut Guzman, i cili, si student në Palencia, pati shitur librat e tij të çmuar, për të ngritur një lëmoshtari e për t’u dhënë bukë të varfërve. “Në kohën tonë, të karakterizuar nga ndryshime epokale e nga sfida të reja për misionin ungjillëzues të Kishës - shton Papa - Dominiku mund të shërbejë si frymëzim për gjithë të pagëzuarit, të cilët thirren, si dishepuj misionarë, për të arritur në çdo ‘periferi’ të botës me dritën e Ungjillit dhe me dashurinë e mëshirshme të Krishtit”.

Të punojmë për vëllazërimin

Një mision tjetër është ai i vëllazërimit, nënvizon Papa në letër, duke përmendur sa e theksoi Shën Dominiku “rëndësinë e jetës së përbashkët”, aq sa kur themeloi Urdhrin, nuk deshi të quhej zv.epror, por Fra Dominiku. Një “ideal vëllazërimi”, shton Papa, i cili mori formë konkrete në një “proces sinodal”, pra, në “një formë gjithëpërfshirëse qeverisjeje, ku të gjithë morën pjesë në procesin e shoshitjes dhe të vendimmarrjes, në përputhje me rolet dhe me autoritetin e tyre përkatës, përmes sistemit të kapitujve në të gjitha nivelet”.

Dominikanët martirë dhe laikët e impenjuar në ungjillëzim

Në letrën e Papës Françesku nuk mungon kujtimi i dominikanëve, “martirizimi i të cilëve ka qenë në vetvete një formë e fuqishme predikimi”. Ati i Shenjtë përmend edhe burrat e gratë e shumta, që “çuan gëzimin e Ungjillit në periferitë e shoqërisë dhe të botës”, “mijëra terciarët dominikanë dhe anëtarët e Lëvizjes Rinore Dominikane, që pasqyrojnë rolin e rëndësishëm dhe të domosdoshëm të laikëve në veprën e ungjillizimit”.

Mirënjohja e Papës shkon edhe tek fretërit e parë, që punuan në universitetet e sapolindura në Evropë: “Apostullimi intelektual i Urdhrit, shkollat ​​e tij të shumta dhe institutet e studimeve të larta, kultivimi i shkencave kishtare dhe prania në botën e kulturës, nxiti takimin ndërmjet fesë dhe arsyes, ushqeu gjallërinë e besimit të krishterë dhe promovoi misionin e Kishës për t’i tërhequr mendjet dhe zemrat drejt Krishtit”.

24 maj 2021, 14:27