Kërko

Vatican News

Papa: Charles De Foucauld dhe gjashtë të Lum, Shenjtorë të rinj për Kishën universale

Papa Françesku kryesoi, në Vatikan, kremtimin e Koncistorit të zakonshëm publik lidhur me votimin e shtatë çështjeve të shenjtërimit. Data është akoma për t’u caktuar. Kardinali Semeraro: “E dëshmuan Krishtin duke dhuruar jetën ose duke ushtruar në gjithë jetën e tyre, dashurinë e krishterë”.

R.SH. - Vatikan

Disa duke ofruar jetën deri në martirizim, disa të tjerë duke ushtruar heroikisht dashurinë e krishterë, të gjithë dhanë ndihmesën për të sjellë në botë dëshminë e Ungjillit. Ndaj Kisha do t’i shpallë shenjtorë. Papa  Françesku kryesoi, në Vatikan, kremtimin e Koncistorit të zakonshëm publik lidhur me votimin e shtatë çështjeve të shenjtërimit. Data është akoma për t’u caktuar. Kardinali Semeraro: “E dëshmuan Krishtin, duke dhuruar jetën ose duke ushtruar dashurinë e krishterë”.

Papa Françesku kryesoi sot paradite, në Vatikan, kremtimin e Koncistorit të zakonshëm publik lidhur me votimin e shtatë çështjeve të shenjtërimit. Ndërmjet tyre, Charles De Foucauld, prifti francez, “i varfër ndër të varfër” e “vëlla universal”, siç e quante veten, i cili në fillim të shekullit  të kaluar mbolli farët e Fjalës Hyjnore në zemër të Saharës. "Shenjtorët e shenjtoret dëshmuan se Zoti mund e duhet lumnuar gjithnjë, në ditë të mira e të këqija, sepse është mik besnik e dashuria e Tij nuk mungon kurrë” – shkroi më pas Papa në një Twitter, në faqen e tij të internetit @Pontifex, në nëntë gjuhë

Data e shenjtërimit nuk është caktuar akoma

Ende për t’u caktuar, data e shenjtërimit. Mbi këtë caktim  ndikon  shumë situata e emergjencës shëndetësore. 

Cardinali Semeraro: “Shenjtorët e rinj, ndërmjetës hiresh e mrekullish”

 “Këta të lum jo vetëm që admirohen nga populli i Zotit për shkëlqimin e virtyteve të tyre, por luten edhe si ndërmjetës hiresh e mrekullish” -  tha kardinali Marcello Semeraro, prefekt i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve i cili, pas Orës së Tretë”, ua paraqiti Papës dhe kardinajve  të mbledhur në Sallën e Koncistorit ata, që në epoka të ndryshme e me thirrje të ndryshme dëshmuan, kush me dhuratën e jetës e kush me ushtrimin heroik të dashurisë së krishterë e të virtyteve, fekonditetin e Pashkëve të Krishtit, gurrë shprese”.

Charles De Foucauld

Para se të bëhej “vëlla Karli i Jezusit”, Karli i ri, i lindur në Strasburg, kishte nisur karrierën ushtarake, duke ndjekur gjurmët e të gjyshit, që e kishte rritur jetim që nga mosha 6 vjeç. I lumi i ri gati e kishte harruar fenë gjatë adoleshencës. Po kur po merrte pjesë në një ekspeditë zbulimesh në Marok, në vitet 1883-84,  nisi ta pyesë veten: “Po Zoti, thua ekziston me të vërtetë?”. E edhe ta kërkojë: “O Zoti im - lutej - nëse je, më ndihmo  të të njoh!”. Si u kthye në Francë, De Foucauld u vu në kërkim të Tij e iu lut një meshtari ta ndihmonte.

Më pas nisi shtegtimin në Tokën Shenjte  e atje, në viset ku jetoi Krishti, gjeti thirrjen e tij: t’i kushtohej i tëri Zotit, duke i përngjarë Krishtit me ndjet të fshehtë e të heshtur. I shuguruar meshtar në moshën 43 vjeçare (1901), Charles De Foucauld shkoi në shkretëtirën algjeriane të Saharës, fillimisht në Beni Abbès, i varfër ndërmjet të varfërve; më pas, në Jug të Tamanrasset me Tuareg dell’Hoggar. Jetoi një jetë në lutje, duke medituar vazhdimisht Shkrimin Shenjt e me dëshirën për të qenë për të gjithë “vëlla universal”. Vdiq 58 vjeç, mbrëmjen e 1 dhjetorit 1916,  i vrarë nga një bandë cubash në kalim. Benedikti XVI  e lumnoi në vitin 2005.

Lazri

Laiku i parë indian që u lumnua, Lazri, i njohun me emrin Devasahayam, ishte baba familjeje e martir. Bir i një brahmani në mbretërinë induiste të Travancore, i përkiste klasës së luftëtarëve. U kthye në krishterim e mori Pagëzimin në moshën 33 vjeçare. Kthimi i tij u konsiderua tradhti e ai, i rrezikshëm për mbretërinë. Prandaj u arrestua e u torturua nga ushtarakët, që morën urdhër ta vrasin. Akuza? Tradhtar i induizmit. Benedikti  XVI e shkroi në librin e të Lumëve më 2011.

Pesë të tjerët janë:

Maria Francesca e Jezusit, themeluese e Motrave Terciare Kapuçine. E kaloi një pjesë të mirë të jetës në Amerikën Latine, në shërbim të të varfërve. Më 1892 Instituti i saj nisi të përhapej me shpejtësi në të gjithë Kontinentin. E ajo e kaloi gjithë jetën duke vizituar bijat e saj, derisa mbylli sytë në Montevideo, në vitin 1904, për t’u lumnuar 89 vjet më pas, nga Gjon Pali II, në vitin 1993.

Maria Domenika Mantovani

Qe eprorja e parë  e Institutit të Motrave të Vogla të Familjes së Shenjtë, themeluar prej Domenikës dhe të lumit Giuseppe Nascimbeni, atë i saj shpirtëror Gjoni Pali II e shpalli të lume në vitin 2003.

César De Bus

I lindur në Provenza e i formuar nga jezuitët, qe meshtar që iu kushtua predikimit dhe katekizmit. Themeloi Kongregatën e Etërve të Doktrinës së Krishterë më 1572, për formimin e besimtarëve. Vdiq mëngjesin e Pashkëve 1603, në Avignone. Pali VI e deklaroi të Lum, më 1975.

Luigi Maria Palazzolo

Meshtar nga Bergamo, themeloi Kongregatën e Motrave të Varfra dhe të Vëllezërve të Familjes Shenjte për edukimin e vajzave jetime e të braktisura. Krijoi edhe shkollat e mbrëmjes për të rritur. U shua nga vuajtjet fizike e morale në moshën 58 vjeçe. Më 1963 Gjoni XXIII e lumnoi.

Giustino Maria Russolillo

Meshtar nga  Pianura, në provincën e Napolit, e vuri gjithë jetën në shërbim të thirrjeve meshtarake. Qe predikatar, konferencier, shkrimtar.  Për shkak të veprimtarisë së tij të palodhur, iu desh të duronte shumë keqkuptime. Ia ofroi të gjitha vuajtjet Virgjërës Mari. Benedikti XVI e radhiti ndër të Lum, në vitin 2011.

Tetë kardinaj, në Urdhërin e Presbiterëve

Në përfundim të Orës  së Tretë të lutjes e të Koncistorit u ndoq Optatio e tetë Kardinajve që kaluan nga Urdhëri i Diakonëve, në atë të Presbiterëve. Janë kardinajtë: Angelo Amato (Diakonia e Shën Marisë në Aquiro); Robert Sarah (Shën Gjon Bosko, në Udhën Tuscolana); Francesco Monterisi (San Paolo alla Regola); Raymond Leo Burke (Shën Agata e Gotëve); Kurt Koch (Zoja e Zemrës së Krishtit); Mauro Piacenza (Shën Pali në Tre Burimet); Gianfranco Ravasi (Shën Gjergji në Velabro); Walter Brandmüller (Shën Giuliano i Fiamingëve).

03 maj 2021, 16:52