Kërko

Papa Françesku para Zojës të Shpellës së Lurdës, në Vatikan Papa Françesku para Zojës të Shpellës së Lurdës, në Vatikan 

Muaji i Marisë: në Kopshtet e Vatikanit, Rruzarja e udhëhequr nga Papa

Në lutje, më 31 maj, marrin pjesë edhe fëmijët e famullisë së Shën Marisë della Groticella, në Viterbo. Famullitari, don Giuseppe Curre: “Kur ua dhashë lajmin fëmijëve e katekisteve, shpërtheu një hare e papërmbajtshme.

R. SH. - Vatikan

Nesër, 31 maj, përfundon muaji i lutjes për të kërkuar fundin e pandemisë dhe rifillimin e veprimtarive shoqërore. Domethënë, fillimi i punës normale, që u ndërpre nga sëmundja. E edhe muaji i Zojës. Papa do t’i prijë Rruzares në Kopshtet e Vatikanit, lutje që do të paraprihet nga një procesion solemn. Procesionin do ta shoqërojnë edhe fëmijët e famullisë Shën Maria della Grotticella të Viterbos, që morën Kungimin e parë. Kjo famulli, e para në Itali, vuri në dispozicion të Asl-it të qytetit lokalet e veta, duke i shndërruar në qendër vaksinimi. Famullitari, don Giuseppe Curre, përshkruan, për Vatican News, gëzimin e  fëmijëve, kur e morën vesh lajmin:

“Ishte lajm i bukur për të gjithë, edhe për mua. Kur ua dhashë fëmijëve e katekisteve, shpërtheu hareja. Kënaqësi e vërtetë, kjo!”.

Nesër, për fëmijët  që do të luten në Kopshtet e Vatikanit pranë Papës, do të jetë një çast i veçantë, pikërisht pas kësaj kohe të trazuar nga lockdown, nga distancimi:

“U mësuam, në përgatitje për Kungimin, të bënim një shtegtim e të shkonim në Bolsena, në vendet e mrekullisë eukaristike. Ndërsa sivjet nuk mundëm të shkojmë. Por patëm këtë hirin tjetër: u thirrëm të shkojmë në Romë, pranë Papës. Nuk mund  të kishim hir më të mirë  e më të bukur për fëmijët tanë. Jantë të gjithë plotësisht të kënaqur, përplot me entuziazëm.

30 maj 2021, 12:47