Kërko

Vatican News

#LaudiatoSi6: Papa, dinjiteti i njeriut dhe kujdesi për gjithësinë

Kanë kaluar gjashtë vite nga botimi i enciklikës “Laudato si’” të Papës Françesku, e dyta e papnisë së Bergoglio-s. Kushtuar kujdesit për shtëpinë e përbashkët, dokumenti ishte në qendër të Vitit të veçantë, që iu kushtua më 2020, në 5-vjetorin e publikimit. Gjatë këtyre 12 muajve, Ati i Shenjtë i ka përmendur shpesh temat e enciklikës, duke i trajtuar në kuadrin e vështirë të pandemisë së koronavirusit

R.SH. - Vatikan

Është e nevojshme një ndërhyrje e gjithanshme “për të luftuar varfërinë, për t’u kthyer të përjashtuarve dinjitetin e njëkohësisht, për t’u kujdesur për natyrën”. Enciklika “Laudato si’” e Papës Françesku, botuar më 24 maj 2015, mbush gjashtë vjet. Në gjendjen e sotme, kur vijon emergjenca, për shkak të pandemisë së koronavirusit, reflektimet e Atit të Shenjtë janë më se aktuale. Nuk ka dy kriza të ndara, një ambientale e një shoqërore, përkundrazi - thekson Françesku në dokument – po jetojmë një “krizë të vetme e të ndërlikuar shoqëroro-ambientale” (139), e cila e nxit secilin prej nesh të pyesë se çfarë “lloj bote dëshirojmë t’u transmetojmë atyre, që do të vijnë pas nesh, fëmijëve që po rriten” (160).

Viti i veçantë i përvjetorit

Në maj të vitit të kaluar, Papa shpalli një vit të veçantë reflektimi dhe thellimi, që përfundon në këto orë, duke tërhequr edhe një herë vëmendjen për “britmën e tokës dhe të të varfërve” e duke u kërkuar të gjithëve të impenjohen për shtëpinë e përbashkët e për më nevojtarët. Tani, me ndihmën e Dikasterit për Shërbimin e Zhvillimit Njerëzor dhe të Javës “Laudato si’” - e cila përfundon nesër, me paraqitjen e një Platforme Nismash të veçanta, kujtuar nga vetë Papa, dje, në lutjen e Mbretëreshës Qiellore - Kisha universale dëshmon udhën e bërë deri tani, nën shenjën e ekologjisë së gjithanshme, si edhe projektet e së ardhmes (@VaticanIHD # LaudatoSi6 # LaudatoSiWeek #LaudatoSiYear).

Mendimi i Papës: pandemia dhe klima

Gjatë këtij Viti, Papa Françesku i ka përmendur vazhdimisht temat e enciklikës, duke i inkuadruar ato në emergjencën aktuale, shkaktuar nga pandemia e koronavirusit. Në videomesazhin për “Virtual Climate Ambition Summit” - videokonferencë ndërkombëtare, organizuar nga OKB-ja - Ati i Shenjtë vuri në dukje se pasojat e pandemisë u janë shtuar atyre të shkaktuara nga ndryshimi i klimës, që ndikon sidomos mbi të varfrit e të pambrojturit.

Papa bën thirrje për impenjim kolektiv e solidar, për kulturën e kujdesit, që ka në qendër dinjitetin e njeriut dhe të mirën e përbashkët. E premton: “Shteti i Vatikanit impenjohet të zvogëlojë në zero emetimet neto të gazit serë, para vitit 2050, duke intensifikuar përpjekjet për administrimin e mirë të ambientit, që vijojnë tashmë prej disa vitesh. Këto përpjekje duhet të mundësojnë përdorimin racional të burimeve natyrore si uji dhe energjia, ta bëjnë energjinë më të frytshme, lëvizjen më të qëndrueshme, të nxisin ripyllëzimin dhe ekonominë qarkulluese edhe në trajtimin e mbetjeve”.

Me rastin e Kohës së Krijimit, nga 1 shtator deri më 4 tetorin e kaluar, Papa Françesku denoncon borxhin ekologjik të sotëm, shkaktuar nga shpërdorimi i burimeve natyrore dhe nga përdorimi i tepruar i hapësirave të përbashkëta për trajtimin e mbetjeve. Ati i Shenjtë kërkon “drejtësi riparuese” dhe fton të shlyhet borxhi i vendeve të varfra, për t’u lejuar atyre të përballojnë pandeminë.

Ekonomia e Françeskut

Në videomesazhin për të rinjtë e takimit “Economy of Francesco”, nëntorin e kaluar, Papa vë në dukje përjashtimin e shumë të rinjve dhe të shumë familjeve nga sistemi ekonomik mbizotërues, i cili privilegjon interesat sektoriale në vend të së mirës së përbashkët. Kërkon ndryshimin e stilit të jetesës e të modeleve të prodhimit e të konsumit, edhe përmes edukimit. Vërtet, në tetor, në videomesazhin për Global Compact on Education, nënvizon se është koha “për të nënshkruar një pakt edukativ global për dhe me brezat e rinj”, pasi edukimi është “ilaçi i natyrshëm kundër kulturës individualiste”. E ardhmja, nënvizon Papa Françesku, nuk është “ndarja, varfërimi i aftësisë për të menduar e për të imagjinuar, për të dëgjuar, dialoguar e për ta kuptuar njëri-tjetrin”, por impenjimi i “familjeve, bashkësive, shkollave dhe universiteve, institucioneve, feve, qeveritarëve, njerëzimit mbarë” për të mirën e përbashkët.

Takim, dialog e bashkëpunim

Një bashkëpunim, të cilin Ati i Shenjtë e kërkon edhe për popullsitë e shpërngulura, që detyrohen të migrojnë, për shkak të luftrave e të dhunës, por edhe si pasojë e fatkeqësive natyrore të shkaktuara nga ndryshimi i klimës. Në parathënien e “Orientimeve baritore” për të shpërngulurit klimatikë, propozuar nga Dikasteri për Shërbimin e Zhvillimit të Gjithanshëm Njerëzor, Ati i Shenjtë fton “të përpiqemi ta shohim vuajtjen e çdo historie” personale, që të jemi të vetëdijshëm për dhimbjen e të tjerëve, duke e bërë tonën e duke kuptuar kështu, kontributin që mund të japë secili në lehtësimin e vuajtjeve.

Duke ripropozuar konceptet e enciklikës “Laudato si’”, Papa Françesku nënvizon gjithnjë se nuk do të dalim nga kriza si ajo e klimës, ose e Covid-19, “duke u mbyllur në individualizëm, por vetëm duke qëndruar së bashku, përmes takimit, dialogut dhe bashkëpunimit”. Siç tha majin e vitit të kaluar, “më keq se kriza, është vetëm drama e humbjes së rastit” për ta shfrytëzuar atë, që të bëhemi më të mirë.

24 maj 2021, 12:02