Kërko

Vatican News
Papa takohet me John Forbes Kerry, i dëguar i Posaçëm i SHBA-ve për  klimën Papa takohet me John Forbes Kerry, i dëguar i Posaçëm i SHBA-ve për klimën  

Kerry: kriza klimatike, zëri i Papës, më i rëndësishëm se kurrë!

Pas audiencës së djeshme me Françekun në Vatikan, i dërguari i posaçëm i presidentit të SHBA-ve për klimën flet, në këtë intervistë me Vatican News, për sfidat e njerëzimit përballë emergjencave klimatike aktuale.

R. SH. - Vatikan

“Papa është një nga zërat e fuqishme të rajonit e edhe një nga autoritetet morale më bindëse lidhur me temën e krizës klimatike”, e zëri i tij sot është “më i rëndësishëm se kurrë” përballë emergjencave ambientale, që trondisin planetin”. Këtë theksoi John Forbes Kerry, i dërguar i posaçëm i presidentit të SHBA-ve për klimën, në një intervistë dhënë Vatican News, menjëherë mbas takimit që pati në Vatikan me Françeskun:

Ju jeni këtu  për të folur me liderët evropianë për krizën klimatike. Pse kishte rëndësi për Ju edhe përfshirja e një vizite tek Papa, gjatë këtij shtegtimi në Evropë?

“Papa është një nga zërat më të fuqishme në rajon, autoritet bindës moral lidhur me temën e krizës klimatike. E edhe pararendës, duke i përshpejtuar kohët. Enciklika e tij “Lëvduar qofsh”, është dokument  vërtet shumë, shumë i fuqishëm, e shumë  bindës në aspektin moral. Mendoj se zëri i tij do të jetë një nga më të dëgjuarit, që do të na shoqërojë deri në Konferencën e Glasgow, ku besoj se do të marrë pjesë. Kemi nevojë për të gjithë në këtë betejë. Të  gjithë liderët e botës  duhet të bashkohen, e çdo vend të luajë rolin e vet. Mendoj se edhe Ati i Shenjtë  do të flasë, me autoritetin e tij të pashoq moral”.

Papa Françesku ka folur për rëndësinë që ka pjesëmarrja e të gjithëve në dialog, për të arritur marrëveshjen lidhur me veprimet konkrete. Janë interesa tejet të ndryshme në lojë; ka vende ekonomikisht të fuqishme - si SHBA-të - por edhe vende në rrugë zhvillimi, që kanë interesa lidhur me këtë çështje. Thënë me dy fjalë:  si mund të çohet përpara dialogu? E çfarë mund të ofrojnë, por edhe të kërkojnë, SHBA-të nga vendet e tjera?

“Ju keni të drejtë. Ka shumë ndryshime ndërmjet vendeve, ndërmjet atyre, që mund të bëjnë, e atyre që po bëjnë sot. E këto ndryshime u përfshinë në  Marrëveshjen e Parisit në konceptin e përgjegjësisë së përbashkët, por të diferencuar. Kemi të gjithë përgjegjësi të përbashkët, e ky është kyçi.  Nga ana tjetër nuk mund të presim që një ekonomi e vogël, një vend krejt i vogël, me sasi fare të vogla gazi serrë, të  bëjë të njëjtën gjë, që bëjmë ne, vendi i dytë në botë në këtë drejtim. Të gjithë duhet të bëjmë hapa para. Posaçërisht SHBA-të. Por edhe  20 vendet e tjera më të zhvilluara në botë. E po e bëjmë. Kemi të gjithë të njëjtën detyrë. Shpresojmë shumë se edhe Papa Françesku do të mund të japë ndihmesën e tij për të arritur objektivin e dëshiruar”.

Vërtet mund të arrihet ky objektiv?

“Mund ta bëjmë. E kjo ka rëndësi. Njerëzit duhet ta dinë se kjo është  e realizueshme. E duke e bërë, mund të krijojmë miliona vende pune. Mund të kemi ajër më të pastër. Mund të kemi shëndet më të mirë. Mund të kemi më pak raste kanceri. Mund të kemi më pak probleme lidhur me ajrin e  ndotur, ku të rriturve u zihet fryma e fëmijët përfundojnë në spital gjatë verës, për shkak të azmës. E mund të jemi edhe më të sigurt, sepse mund të varemi nga energjia e përtëritshme, energjia alternative, energjia e qëndrueshme. E në krijimin e këtyre energjive alternative, ka mundësi të pafundme krijimtarie. Këtë duhet ta bëjmë të gjithë së bashku!”.

Në ç’mënyrë SHBA-të - superfuqi ekonomike e politike - e Selia e Shenjtë - Shtet fare i vogël, por me autoritet të madh moral e shpirtëror - mund të bashkëpunojnë në luftën për një ekologji globale pozitive e në luftën për ndryshime klimatike?

“Ati i Shenjtë është një nga zërat më të fuqishme të Planetit, për të mos thënë më i fuqishmi. Thirrja e tij drejtuar njerëzve për të bërë një hap para, për të qenë të arsyeshëm e për ta jetuar përgjegjësinë tonë si qenie njerëzore lidhur me kujdesin për veprën krijuese të Zotit, ka ndikim të jashtëzakonshëm. E të gjithë duhet të jemi përgjegjës në kujdesin për gjithësinë. Por meqë Ai qëndron mbi politikën e jashtë konflikteve kombëtare, mendoj se mund t’i prekë njerëzit e t’i çojë në tryezën e dialogut me bindjen se bëhet fjalë për një detyrë të përbashkët. Shenjtëria e Tij, Papa Françesku, ka aftësinë ta galvanizojë veprimtarinë e vendeve të ndryshme. Është në gjendje t’i vërë në lëvizje qytetarët e vendeve të ndryshme për t’u kërkuar qeverive të bëjnë çka është e nevojshme për Planetin. Mendoj se bota ka respekt të jashtëzakonshëm për Papën Françesku e nuk ka dyshim se është një nga liderët më të rëndësishëm. Mendoj, prandaj, se Papa mund të flasë me autoritet të veçantë për ndjenjën e detyrës e për nevojën  që të bëjmë një hap para të gjithë bashkë, pavarësisht nga përçarjet e sotme në botë. Zëri i Tij është më i rëndësishëm se kurrë!”.

16 maj 2021, 11:04