Kërko

Atentati i 13 majit 1981 kundër Gjon Palit II Atentati i 13 majit 1981 kundër Gjon Palit II

Infermieri, që ndihmoi Papën Gjon Pali II, pas atentatit: në vuajtje, i lutej Zotit

Më 13 maj 1981, ishte Leonardo Porzia infermieri, që fizikisht e ngriti Gjon Palin II për ta vënë në barelë, pas atentatit në Sheshin e Shën Pjetrit. Ripropozojmë dëshminë e tij në një intervistë për Radio Vatikanin, dhënë më 23 prill 2014, tri ditë para kanonizimit të Papës polak

R.SH. - Vatikan

13 maji 1981 do të kujtohet gjithmonë si data e atentatit kundër Papës Gjon Pali II, pavarësisht se tani kanë kaluar 40 vite. Në orën 17.17, Papa Wojtyła u godit nga dy plumba në Sheshin e Shën Pjetrit, qëlluar drejt tij nga dora e armatosur e Mehmet Ali Ağca. Ati i Shenjtë ra mbi në xhipin, me të cilin po bënte një xhiro për të përshëndetur njerëzit e mbledhur për audiencën e përgjithshme. Përreth tij, frikë e mosbesim, ndërsa dërgohej menjëherë në ambulancën e Vatikanit. E pritën prof. Enrico Fedele, kirurg dhe infermieri Leonardo Porzia, i cili e kapi Papën, sikur po e përqafonte, për ta vënë në barelë. Porzia mbeti me Papën derisa u shtrua në Poliklinikën Gemelli. Ja dëshmia e tij, në një intervistë për Radio Vatikanin, në vitin 2014, që u transmetua në prag të kanonizimit të Gjon Palit II, i cili u shpall shenjt më 27 prill të atij viti:

Atë ditë isha me shërbim në reaprtin e kirurgjisë, në ambulancë: ishim të lidhur me pikat e ndryshme të Ndihmës së Shpejtë në Sheshin e Shën Pjetrit. Papritmas, na erdhi komunikimi: “Kanë qëlluar Papën! Po hyn në Harkun e Kambanave për të ardhur në ambulancë!”. Lajmërova menjëherë kirurgun, prof. Fedele, ai ishte në shërbim. Të gjithë – edhe mjekë të tjerë – dolëm në rrugë… Erdhi xhipi me Atin e Shenjtë.

Kur dëgjuat me radio se kishin plagosur Papën, si e jetuat atë çast?

Gjë e tmerrshme! “O Zot, kanë shtënë kundër Papës!”. U pështjellua gjithë ambulanca.

Kush e ndihmoi Papën, aty shpejt?

Unë. E kishim makinën e ambulancës aty afër, nxorra barelën dhe e kapa me të dyja krahët, e afrova me trupin tim, ashtu siç ishte në xhip dhe e vura në barelë. Kirurgu kontrolloi plagën: sipas dëmit, do të çohej ose në spitalin e Shpirtit Shenjt, ose në Poliklinikën Gemelli… Me një garzë, pastrova gjakun në plagën e Papës.

A pati ndonjë pasiguri kur mbërriti Papa tek ju?

Jo, jo! Qe diçka e atypëratyshme: e ngrita dhe e vura menjëherë në barelë!

Në të vërtetë, për të shkuar në spital, u prit një ambulancë tjetër. Ku ishte?

Ishte e bllokuar nën shtyllat e Sheshit të Shën Pjetrit. Humbi pak kohë, por mbërriti edhe ambulanca e Atit të Shenjtë e dolëm me të.

Po pse ishte e nevojshme të kalohej nga një ambulancë tek tjetra?

Sepse ajo ishte më e pajisur.

Kur hytë në ambulancë, sa vetë ishit?

Ishte shoferi, kamerieri – Gugel – drejtori i Fondit Shëndetësor të Vatikanit, Buzzonetti, kirurgu dhe unë… Ishim nja gjashtë a shtatë. Dolëm nga porta e Shën Anës dhe shkuam në Gemelli.

Si ndihej Ati i Shenjtë?

Ishte i vetëdijshëm… por nuk foli! Jo, nuk foli! Gjatë rrugës, lutej.

Për një keqkuptim, ju u nisët pa roje, apo jo?

Nuk kishim roje me vete! Policia na priste në Harkun e Kambanave, por ne dolëm nga Shën Ana.

Çfarë rruge bëtë?

Dolëm nga Shën Ana, pastaj, Sheshi Risorgimento, Medaglie d’Oro; më lart është rruga Pereira, rrugë fshati, që çon deri në Gemelli… Kur arritëm në gjysmën e rrugës Pereira, nuk punonte më sirena… Pushoi e s’binte më! Edhe ajo na u desh, nuk kishim as makinën e policisë nga mbrapa… Pak me buri e pak si mundëm, arritëm në Gemelli.

Por, gjatë transportimit, ndodhi edhe një gjë tjetër: pikërisht, kur po punonit ju…

Më dhanë urdhër të vë një flebo, sepse tensioni ishte ulur mjaft… Sa po vija gjilpërën, shoferi ktheu timonin e përfunduam në trotuar. Kishte hyrë në një rrugë me kahe të kundërt e një makinë tjetër po na vinte përballë.

U lëndua Ati i Shenjtë?

Jo, jo, jo! Unë shpova gishtin…

Sa kohë iu desh ambulancës për të arritur në Gemelli?

As një çerek ore.

Atëherë, mbërritët. E atje, gjetët vështirësi të tjera…

Kishim urdhër ta çonim në Qendrën e Reanimacionit. Ndoshta, drejtori kishte folur me Qendrën: atje ishte me shërbim një mjek, që punonte edhe në Vatikan, ishte drejtor i Qendrës së Reanimacionit… Mbërrijmë aty e nxjerrim barelën, por arrin një urdhër tjetër: “Duhet çuar në katin e nëntë!” Në katin e nëntë ishte salla e operacionit… E ç’të bëja atëherë? Vetëm, duke vrapuar si i çmendur, e çova tek ashensori – ishin rreth 100 metra – për të arritur në katin e nëntë.

Çfarë bënte Papa në ato çaste?

Hiç. Ishte mbledhur kruspull në barelë, i dhimbte…

A patët frikë se Papa mund të vdiste?

Po, po!

Kur arritët në katin e nëntë, e latë aty Gjon Palin II?

Në vend që të hyja drejtpërdrejt në sallën e operacionit, e lashë në dhomën ku përgatiten pacientët… I hoqa të gjitha rrobat, i vura në një qese plastike dhe ia dorëzova Gugelit. Drejtori më tha: “Mund të kthehesh tani!”

Papa do të operohej, pastaj, do të shtrohej prapë… Gjithsesi, në thelb, gradualisht, pas pushimit në Castel Gandolfo, do të kthehej në Vatikan. Aty vazhdoi analizat e ju e takonit kur vinte në ambulancën e Vatikanit, apo jo?

Sa herë që vinte për analiza, më thoshte: “Unë ju njoh!” E tha 3-4 herë: “Po unë ju njoh!” E unë përgjigjesha: “Eh Shenjtëri, po!” Por nuk doja t’i thosha: “Unë jam ai që…”.

E nuk ja thatë kurrë?

Jo! Jo!

Personalisht, si e përjetuat këtë udhëtim me Papën në ambulancë, që kur e vendosët në barelë e pastaj, kur e patë në laboratorin e analizave…?

Derisa u kthye në normalitet, për mua ishte pacient. Ai është profesioni im! Pastaj, sigurisht… po ndërhyje te Papa! Gjithsesi, profesionalisht, isha i qetë e gjithçka duhej bërë, u bë: mund të them se nuk u la gjë pa bërë.

Ka edhe një histori të veçantë për flebon, që i vutë Atit të Shenjtë…

Tek ne punonin disa murgesha polake… Të nesërmen, kur shkuam sërish në punë, një murgeshë polake më tha se Gugel ia kishte dhënë të gjitha rrobat e, edhe ç’kishte mbetur nga flebo… Kjo flebo me emrin tim sipër iu dha një instituti murgeshash polake në rrugën Cortina d’Ampezzo, në Romë. Por, me thënë të drejtën, unë vetë s’kam shkuar kurrë atje…

Më 24 dhjetor të vitit të atentatit, 1981, ju dhe kirurgu u pritët nga Papa në audiencë… Ku?

Në paradhomën e Kapelës Sikstine. Është një sallon… Më parë unë e familjarët e mi e pastaj, prof. Fedele me familjarët e tij.

Çfarë i thatë?

Në të vërtetë, s’më dilte asgjë nga goja… Nuk dija ç’ti thoja! Ai falënderoi.

Pra, foli Papa. Ju dha edhe titullin e Kalorësit të Shën Silvestrit. Ç’përshtypje ju bëri Papa në gjithë këtë histori, që kur u plagos e pastaj, kur ju takoi?

Përshtypjen e një njeriu – të themi – që vuante, por njëkohësisht, edhe i udhëhequr nga Zoti. Ishte njeri, që të bënte për vete…

Njeri me Hirin hyjnor?

Me Hirin hyjnor, po!

Ç’përshtypje ju bën tani që e dini se keni mbajtur në duar një shenjt?

Eh, kjo është pyetje milionëshe! Mund të them se ndihem krenar për atë, që bëra: mora në krahë Papën! Arrita ta kryej detyrën time dhe të bëj ç’ishte e nevojshme.

13 maj 2021, 08:46