Kërko

Mesha e Rrëshajëve Mesha e Rrëshajëve 

Françesku: sot është koha për të dikuar mëshirën mbi botë

Papa Françesku kremtoi, në Bazilikën e Shën Pjetrit, Meshën e Solemnitetit të Rrëshajëve, që na kujton zbritjen e Shpirtit Shenjt mbi Marinë dhe Apostujt në Çenakull. Me ardhjen e tij, pohoi, për ta gjithçka ndryshoi e Shpirti Shenjt vijon t’i flasë Kishës, duke flakur tutje çdo frikë e duke e shtyrë drejt unitetit!

R. SH. - Vatikan

Shpirti Shenjt është dhurata përfundimtare, dhurata e dhuratave. Ai vijon ta këshillojë Kishën të banojë në të sotmen, pa nostalgji, pa frikë. Duke kërkuar të tërën, jo pjesën e duke e vënë në vendin e parë Zotin, jo forcat vetjake. Ndërsa fliste me dishepujt, Jezusi e quajti Shpirtin Shenjt Paraklit - kujtoi Papa në homeli - domethënë Ngushëllues e Avokat.

Shpirti Shenjt është Ngushëlluesi

Të gjithë ne, posaçërisht në çaste të vështira, si ky që po kalojmë, kërkojmë ngushëllim - theksoi në fillim të homelisë Papa - Po shpesh na pëlqejnë më shumë ngushëllimet tokësore, që veniten shumë shpejt. Ndërsa Jezusi na ofron sot ngushëllimin e qiellit, Shpirtin Shenjt, ‘Ngushëlluesin e përkryer”. Po cili është ndryshimi?  Ngushëllimet e botës janë si ilaçet qetësuese: të japin paqen e çastit, por nuk ta mjekojnë sëmundjen, që të bren përbrenda. Të habisin, por nuk të shërojnë. Veprojnë në sipërfaqe, mbi shqisat, por jo mbi zemrën. Shpirti Shenjt, dashuria e Zotit, bën ndryshe: zbret në pafundësitë tona. Sepse Shpirti Shenjt vepron në shpirtin tonë. Viziton thellësitë e zemrës, si “mik i ëmbël i shpirtit". Është vetë dashuria e Zotit, që nuk na lë kurrë vetëm; sepse të rrish me kë është i vetmuar, do të thotë ta ngushëllosh:

“Motër, vëlla, nëse e ke në shpirt  errësirën e vetmisë, nëse ke brenda teje një mokër, që ta shtyp shpresën, nëse e ke në zemër një plagë, që të përvëlon, nëse nuk gjen rrugëdalje, hapja zemrën Shpirtit Shenjt. Ai, shkruante Shën Bonaventura, ‘ku janë trazirat më të mëdha, atje çon edhe ngushëllimin më të madh. Jo si bën bota që në fatbardhësi të miklon e të  ngushëllon, ndërsa në fatkeqësi të tall e të dënon”(Predikim në tetëditshin e të Ngjiturit të Zotit në qiell)”.

Shpirti Shenjt nuk sillet si shpirti armik, si djalli, që nuk lë gjë pa bërë për të na rrëzuar përdhe - theksoi Papa në vijim të homelisë  të Meshës së Rrëshajëve - Ndërsa Shpirti i të Ngjallurit dëshiron të nga ngrejë përsëri në këmbë. Të shikojmë apostujt: ishin vetëm, të tmerruar, me porta të mbyllura, gjithë frikë. Ndër sy u lodronin ligështitë e tyre, u digjnin dështimet. Vitet e kaluara me Jezusin nuk i kishin ndryshuar. Pastaj marrin Shpirtin Shenjt e gjithçka ndryshon: problemet dhe dobësitë mbeten po ato, e megjithatë, nuk i trembin më e nuk tuten as nga ata, që duan t’u bëjnë keq:

“Ngushëllohen e duan ta dikojnë jashtë vetes këtë ngushëllim. Tani kanë  një frikë të vetme: frikën se nuk do të mund ta dëshmojnë dashurinë, që morën. Jezusi u pati profetizuar: ‘Shpirti Shenjt do të japë dëshmi për mua; e edhe ju jepni dëshmi!”.

Shpirti ngushëllues është edhe Avokat

Në rrethanat historike kur jetoi Jezusi - shpjegoi Françesku në vijim të homelisë - avokati nuk i kryente detyrat, ashtu si sot; në vend që ta mbronte të pandehurin, rrinte pranë tij e ia çiçëllonte   në vesh fjalët, që duhet të shqiptonte për t’u mbrojtur:

“Kështu bën Shpirti ngushëllues,‘Shpirti i së vërtetës’, që nuk na zëvendëson, por na mbron nga falsitet e së keqes, duke na frymëzuar mendime e ndjenja. E këtë e bën me delikatesë, pa na detyruar: propozon, nuk imponon!”.

Tri këshillat e Shpirtit

Tri, janë këshillat kryesore që na jep Shpirti Ngushëllues e që Papa i kujtoi gjatë homelisë së Meshës të Rrëshajëve.

Këshilla e parë: “Jeto në të sotmen”

Këshilla e parë: “Jeto në të sotmen”. Në të sotmen, jo në të ardhmen! E sotmja ka përparësinë! Mos rri duke qarë për të kaluarën. As duke u trembur nga e sotmja. Shpirti Shenjt të kujton hirin e së sotmes. Nuk ka kohë më të përshtatshme për ne, sesa e sotmja: është çasti për të bërë mirë, për ta bërë jetën dhuratë. Të jetojmë në të sotmen!”.

Këshilla e dytë: “Kërko të tërën, jo pjesën”

Pastaj Shpirti Shenjt - kujtoi Papa - të këshillon: “Kërko të tërën, jo pjesën”. Parësinë e ka pikërisht e tëra, bashkësia, në unitet, por që nuk është kurrë uniformitet. Shpirtit Shenjt i pëlqen të veprojë në bashkësi. E aty t’i sjellë edhe risitë.

T’i shikojmë Apostujt. Ishin shumë të ndryshëm… Kishin ide politike të kundërta, vizione krejt të larmishme. Pastaj marrin Shpirtin Shenjt  mësojnë të mos i vënë në plan të parë këndvështrimet njerëzore, por bashkësinë e Zotit:

“Sot, nëse dëgjojmë Shpirtin Shenjt, nuk përqendrohemi tek konservatorët e progresistët, tradicionalistët e inovatorët, të djashtët e të majtët; nëse kriteret janë këto, do të thotë se në Kishë harrohet Shpirti Shenjt! Po Ngushëlluesi na nxit drejt unitetit e harmonisë në larmi. Na bën t’i shikojmë pjesët e të njëjtit Korp si vëllezër e motra. Ta kërkojmë, pra, bashkësinë”.

Kjo ftesa e Papës në homeli.

Këshilla e tretë: “Vëre Zotin para vetvetes!”

Së fundi, këshilla e tretë e madhe: “Vëre Zotin para vetes!”. Vetëm nëse zbrazemi nga vetvetja, i lëmë hapësirën e duhur Zotit e vetëm në se besojmë në Të, rigjejmë vetveten! Nuk mund ta shpëtojmë askënd me  forcat tona. Vetëm si të varfër në shpirt, bëhemi të pasur në Shpirtin Shenjt. E kjo vlen edhe për Kishën:

“Kisha nuk është organizatë njerëzore. Është tempulli i Shpirtit Shenjt. Jezusi solli  zjarrin e Shpirtit mbi tokë e Kisha riformohet me vajin e hirit, me forcën e lutjes, me gëzimin e misionit, me bukurinë çarmatosëse të varfërisë. Ta vëmë, pra, Zotin, në vendin e parë!”.

Në përfundim, lutja e Papës drejtuar Shpirtit Shenjt:

“O Shpirti Shenjt, Shpirt ngushëllues, ngushëlloi zemrat tona. Na bëj misionarë të ngushëllimit tënd, ngushëllues të mëshirshëm për botën. Avokati ynë, Këshilltar i ëmbël i shpirtit,  na bëj dëshmitarë të së sotmes së Zotit, profetë të bashkimit për Kishën dhe njerëzimin, apostuj të mbështetur mbi hirin, që gjithçka krijon e gjithçka rinon”.

23 maj 2021, 11:51