Kërko

Vatican News
Paraqitja e letrave kredeciale Paraqitja e letrave kredeciale  (Vatican Media)

Papa Françesku: “kultura e kujdesit” për njeriun dhe ambientin, detyrë morale

Papa pret nëntë ambasadorë të rinj pranë Selisë së Shenjtë: nga Singapori, Zimbabve, Bangladeshi, Algjeria, Sri Lanka, Barbados, Suedia, Finlanda e Nepali. Gjatë pritjes, pohon se të përballosh problemet urgjente si krizat humanitare të lidhura me migrimet si dhe ndryshimet klimatike, është “çështje drejtësie”.

R. SH. - Vatikan

Sfida për zhvillimin e “kulturës  globale të kujdesit”, që frymëzon lidhje të reja dhe strukturat në shërbim të solidaritetit e të drejtësisë shoqërore, por edhe nevoja për t’u bërë ballë “çështjeve të drejtësisë”, si krizat humanitare lidhur me migrimin dhe ndryshimet klimatike, borxhi i Vendeve të varfra dhe “ai ekologjik”- këto problemet e mprehta, të prekura gjatë pritjes. Në fjalën drejtuar nëntë ambasadorëve,  që paraqitën sot letrat e tyre kredenciale, Papa Françesku u rikthye tek thirrja e tij e kohëve të fundit drejtuar bashkësisë ndërkombëtare,  duke ripohuar mbështetjen nga ana e Selisë së Shenjtë të çdo përpjekjeje “për të ndërtuar një botë, në të cilën njeriu të jetë në qendër; financa, në shërbim të zhvillimit të gjithanshëm e të Tokës, shtëpia jonë e përbashkët, që duhet mbrojtur e kujdesur.

Nëntë letra kredenciale, nga Algjeria në Zimbabve

Papa i priti në Sallën Klementine nëntë përfaqësuesit diplomatikë dhe i falënderoi për praninë, pavarësisht nga vështirësitë e udhëtimit në kushtet e pandemisë së Covid-19. E u kujtoi se pikërisht për shkak të coronavirusit, “kriza shoqërore dhe ekonomike u thellua më shumë në të gjithë botën. Dikush humbi mjetet e jetesës, dikush tjetër mbeti me gjithë familjen, pa asnjë mbrojtje shoqërore: e gjithë kjo i bëri më të vetëdijshëm për ndërvarjen, si anëtarë të së njëjtës familje njerëzore, e jo më pak, edhe për nevojën e mbrojtjes së të pambrojturve e të të varfërve, që jetojnë mes nesh”:

“Ndërsa kërkojmë të dalim nga kriza aktuale, shoqëritë tona vihen përballë  sfidës për të bërë hapa konkrete vërtet të guximshme e për të zhvilluar ‘kulturën e kujdesit global’”.

Vështirësitë e bashkësisë ndërkombëtare në kohë pandemie

Një kulturë - nënvizoi Papa duke cituar mesazhin e tij për Ditën Botërore të Paqes të këtij viti - që mund të frymëzojë lindjen e marrëdhënieve të reja  dhe të struktuarave të bashkëpunimit në shërbim të solidaritetit, të respektit e të dinjitetit njerëzor, të asistencës reciproke e të së drejtës shoqërore. Duke kujtuar, më pas, fjalimin e mbajtur shkurtin e kaluar  para Trupit Diplomatik të akredituar pranë Selisë së Shenjtë, Papa nënvizoi se gjatë pandemisë u krijuan vështirësi në rritje, për të mos i quajtur paaftësi, në gjirin e bashkësisë ndërkombëtare, në kërkim të rrugëzgjidhjeve të përbashkëta për problemet e botës sonë.

Migrimet, ndryshimi klimatik dhe “borxhi ekologjik”

Eshtë fjala për çështje urgjente, si migrimet dhe ndryshimet klimatike, e   krizat humanitare, që rrjedhin prej tyre”, por edhe për “borxhin ekonomik, i cili rëndon mbi kurrizin e shumë vendeve, që luftojnë për të mbijetuar”. Pa harruar edhe “borxhin ekologjik”, që i duhet paguar natyrës, si dhe popujve e vendeve të prekura nga zvetënimi ambiental, i shkaktuar nga njeriu dhe nga humbja e biondryshimeve:

“Këto probleme nuk janë thjesht politike a ekonomike; janë çështje drejtësie, një drejtësie, që nuk mund të injorohet e as të shtyhet për më tej. Eshtë fjala për një detyrë morale ndërgenerazionale, sepse serioziteti me të cilin u përgjigemi çështjeve të tilla, përcakton botën, që do t’u lëmë fëmijëve tanë”.

Selia e Shenjtë, për një botë që ka në qendër njeriun

Së fundi Papa pohoi se vepra e diplomatëve është themelore për zhvillimin  e marrëveshjes globale, në gjendje t’u përgjigjet këtyre sfidave etike, që duhet t’i përballojë familja njerëzore:

“Selia e Shenjtë, përmes përfaqësive diplomatike dhe veprimtarisë së saj brenda bashkësisë ndërkombëtare, mbështet çdo përpjekje për ndërtimin e një bote, në të cilën njeriu të jetë në qendër, financa në shërbim  të zhvillimit të gjithanshëm e Toka, shtëpia jonë e përbashkët, e mbrojtur dhe e përkujdesur”.

21 maj 2021, 13:52