Kërko

Shenjtërorja e Zojës në Pompei Shenjtërorja e Zojës në Pompei 

Audienca e përgjithshme: Papa përsërit ftesën për të thënë Rruzaren

Papa, në përfundim të audiencës, u kujtoi besimtarëve muajin marian, udhëhequr nga 30 shenjtërore, sot nga Shenjtërorja e Zojës Rruzare në Namyang të Koresë së Jugut, duke i ftuar t’i ndjekin lutjet të bashkuar me besimtarët e mbarë botës, me një zë e një zemër të vetme.

R. SH. - Vatikan

Para se t’u drejtonte përshëndetjen e fundit besimtarëve në gjuhë të ndryshme, në përfundim të audiencës, Papa Françesku u drejtoi të gjithëve  ftesën lidhur me muajin marian, që po jetojmë:

“Të udhëhequr nga shenjtoret e botës në këtë muaj maji, ta themi Rruzaren për të kërkuar fundin e pandemisë dhe rifillimin e veprimtarive në shoqëri e në punë. Sot - kujtoi akoma - kësaj lutjeje mariane i prin Shenjtërorja e Zojës Rruzare në Namyang të Koresë së Jugut. Të bashkohemi me ata, që janë mbledhur në këtë shenjtërore e të lutemi posaçërisht për fëmijët dhe adoleshentët”.

Të gjithë bashkë, në Pompei

Pastaj, duke përshëndetur besimtarët në gjuhë të ndryshme, Papa i ftoi të bashkohen  shpirtërisht me kremtimin e lutjes  drejtuar Zojës Rruzare, të shtunën, më 8 maj, në mesditë, në Shenjtëroren e Pompeit. Të gjithë, e posaçërisht të moshuarit, të rinjtë, të sëmurët e të sapomartuarit, Ati i Shenjtë i nxiti t’i luten Marisë “model feje e dëshmitare e palodhur e Fjalës së Krishtit, për të fituar qëndrueshmërinë e krishterë në çastet e vështira, që nuk mungojnë kurrë në jetë!”.

Papa: Zoja e çliroftë njerëzimin nga drama e pandemisë

“Zoja e Papërlyer e çliroftë njerëzimin nga drama e pandemisë dhe i priftë atdheut tuaj dhe familjeve tuaja drejt Birit të saj, Jezu Krishtit. Ju bekoj me gjithë zemër”. Me këto fjalë iu drejtua Papa Françesku, gjatë audiencës, besimtarëve të gjuhës polake:

“Muaji i majit, kushtuar së Lumes Virgjër Mari, është posaçërisht i dashur për ju - nënvizoi - Sipas traditës së etërve tuaj, ju mblidheni ndër kisha, në shtëpi, e edhe para figureve e shtatoreve të Nënës së Zotit, që naltohen në sheshe, duken skajeve të rrugëve e vendosen në kapelat shtëpiake, për ta kundruar bukurinë e Saj, dashurinë, mirësinë”.

E, natyrisht, edhe për të nxjerrë hiret aq të dëshiruara me ndërmjetësinë e Zojës, që bota mbarë e kremton në këtë muaj, kur gjithçka lulëzon!

05 maj 2021, 12:50