Kërko

Tokë, shtëpi e punë: tri "T"-të e Papës Françesku Tokë, shtëpi e punë: tri "T"-të e Papës Françesku

Papa: të punohet “për dhe me” popullin, duke ia njohur vlerat shpirtërore

Në videomesazhin e Papës Françesku për pjesëmarrësit në konferencën ndërkombëtare me temë “Një politikë e rrënjosur në popullin”, që mbahet në Londër, u bëhet thirrje politikanëve dhe besimtarëve të mos i injorojnë të varfërit

R.SH. - Vatikan

Papa Françesku kërkon “një politikë jo thjesht për popullin, por me popullin”, duke përmbysur konceptimin e politikës nga populistët, që e shohin atë si veprimtari për njerëzit, por pa i përfshirë ata në vendimarrje. Ati i Shenjtë e bën këtë në një videomesazh për konferencën ndërkombëtare me temë “Një politikë e rrënjosur në popullin”, që u mbajt sot në Londër. Konferenca u organizua nga Qendra e Teologjisë dhe e Bashkësisë në kryeqytetin britanik mbi temat e trajtuara në librin-intervistë të Papës me titull “Të ëndërrojmë. Udha drejt një ardhmërie më të mirë”. Ati i Shenjtë përshëndet edhe Shoqërinë Katolike për Zhvillimin Njerëzor, që kremton 50-vjetorin e ndihmës për bashkësitë më të varfëra në SHBA-të, duke promovuar pjesëmarrjen në vendimet, që kanë të bëjnë me to.

“Tokë, shtëpi e punë” për të gjithë

 Gjithashtu, Papa Françesku vë në dukje organizata të tjera në gjithë botën, që punojnë në këtë fushë, për t’u siguruar njerëzve tri fjalët e famshme, që Bergoglio i përmend shpesh, “tokën, shtëpinë e punën”, sidomos tani, në këto kohë pandemie. I rëndësishëm arsyetimi i Atit të Shenjtë për të theksuar se përgjigjja ndaj populizmit nuk është aspak individualizmi, por politika e vëllazërimit njerëzor, “popullarizmi”, siç e quan Papa.

“Është fjala për të gjetur mekanizma, që u garantojnë të gjithëve një jetë të denjë për t’u quajtur njerëzore, një jetë në gjendje të kultivojë virtyte dhe të farkëtojë lidhje të reja”.

“Popullarizmi” kundër “populizmit”

Papa Françesku shpjegon qartë se populizmi ka si moto: “Gjithçka për popullin, por jo me popullin”, duke mbajtur një qëndrim paternalist ndaj tij e duke e privuar nga dinjiteti për të vepruar në histori, për të ndërtuar të ardhmen, për të shprehur vlerat, kulturën e krijimtarinë e tij. Pikërisht për këtë arsye, Kisha promovon “popullarizmin”, pasi për të është e pamundur të ndahet promovimi i drejtësisë shoqërore nga njohja e vlerave dhe e kulturës së popullit, përfshirë vlerat shpirtërore, që lindin nga takimi me Jezu Krishtin.

Si duhet të jetë bariu i vërtetë i një populli

E këtu, Ati i Shenjtë vë në dukje punën e lëvizjeve popullore në periferitë e botës, përpjekjen e tyre për të ecur së bashku me popullin, duke u kujtuar se Zoti u paraprin gjithnjë. Papa përcakton edhe rolin, që u takon barinjve të Kishës, në këtë kuadër:

“Bariu i vërtetë i një populli, bariu fetar, është ai që ka guximin të ecë përpara, në mes dhe pas popullit. Përpara, për t’i treguar udhën; në mes, për ta dëgjuar popullin e për të mos gabuar; pas, për të ndihmuar ata, që mbeten mbrapa e për ta lënë popullin që, me nuhatjen e tij, të gjejë udhë të reja”.

Një politikë, që nuk e përbuz kulturën e të varfërve

Papa kujton se në librin “Të ëndërrojmë. Udha drejt një ardhmërie më të mirë”, bisedë me gazetarin britanik Austen Ivereigh, kërkon që të gjitha dioqezat e botës të bashkëpunojnë ngushtë me lëvizjet popullore, në mënyrë që të kujdesen më mirë për të varfërit. Njëkohësisht, i kërkon edhe politikës të interesohet për të varfërit.

“Një politikë, që nuk ka interes për periferitë, nuk do të dijë kurrë ta kuptojë qendrën e do të kujtojë se e ardhmja është projektim përmes ndonjë pasqyre. Një mënyrë për të mos pasur interes për të varfërit është përbuzja e kulturës së tyre, e vlerave të tyre shpirtërore e fetare, si duke i mënjanuar, ashtu edhe duke i shfrytëzuar për pushtet. Përbuzja e kulturës popullore është fillimi i abuzimit me pushtetin”.

Ati i Shenjtë përmendi kriterin, që qëndron në bazën e dokumentit për Vëllazërimin Njerëzor, nënshkruar së bashku me Imamin e Madh të Al-Azharit, Ahmad al-Tayyeb, atë të kulturës së dialogut, të bashkëpunimit e të njohjes së ndërsjellë. Vetëm kështu, përfundon videomesazhi i Papës Françesku për konferencën e Londrës, mund “të ndërtojmë një të ardhme nga poshtë, nga një politikë për popullin, rrënjosur në popullin”.

15 prill 2021, 17:30