Urbi et Orbi, Papa: kumtimi i Pashkëve ndihmoftë për ta mundur mendësinë e luftës
R. SH. - Vatikan
Pas kremtimit të Meshës solemne të Dielës së Ngjalljes së Jezu Krishtit, Papa Françesku dha bekimin tradicional të Ditës së Pashkëve. Në mesazhin e tij, një thirrje e fuqishme për t’i ndarë vaksinat me vendet më të varfëra, për të zhdukur kufizimet e lirisë së fesë e për t’iu kundërvënë luftërave të shumta e dhunës së tepruar, që “nuk pushojnë akoma në botë”: “është shkandulluese” që, pavarësisht nga pandemia, me të gjitha vështirësitë që solli, ndeshjet e armatosura vijojnë akoma!
Mesazhi i Pashkëve dhe bekimi i Papës Françesku drejtuar Romës e botës
Të dashur vëllezër e motra: Gëzuar Pashkët!
Sot në të katër anët e botës jehon kumtimi i Kishës: “Jezusi, i kryqëzuari, u ngjall, si pati thënë. Aleluja!”.
Kumtimi i Pashkëve nuk tregon ndonjë mirazh, nuk zbulon ndonjë formulë magjike, nuk rrëfen rrugëdaljen nga situata e vështirë, që po kalojmë. Pandemia është akoma në kulmin e vet e kriza shoqërore dhe ekonomike, shumë e rëndë, posaçërisht për më të varfërit: pavarësisht nga kjo - e është shkandulluese - konfliktet e armatosura nuk pushojnë e arsenalet ushtarake fuqizohen.
Përballë, a më mirë të themi, në mes të këtij realiteti kaq të ndërlikuar, kumti i Pashkëve përmbledh me pak fjalë një ngjarje, e cila të jep shpresën që nuk zhgënjen: “Jezusi, i kryqëzuari, u ngjall!”. Nuk na flet për engjëj, as për fantazma, por për një njeri, një njeri me mish e eshtra, me fytyrë e me emër: Jezus. Ungjilli dëshmon se ky Krisht, i kryqëzuar nën Poncin Pilat mbasi pati thënë se ishte Krishti, Biri i Zotit, në të tretën ditë u ngjall, sipas Shkrimeve e si ai vetë ua kishte parafolë dishepujve të vet.
I kryqëzuari, jo tjetërkush, u ngjall! Zoti Atë e ngjalli të Birin Jezus sepse bëri deri në fund të fundit vullnetin e Tij të shëlbimit: mori mbi vete ligështinë tonë, plagët tona, vetë vdekjen tonë: pësoi dhimbjet tona, mbarti barrën e mbrapshtive tona. Prandaj Hyji Atë e lartoi e tani Jezu Krishti jeton përgjithmonë, është Zoti.
E dëshmitarët kumtojnë një hollësi të rëndësishme: Jezusi i ngjallur i mbart mbi vete plagët në duar, në këmbë, në brinjë.
Këto plagë janë vula e përhershme e dashurisë së tij për ne. Kushdo kalon ndonjë provë të vështirë, në korp a në shpirt, mund të gjejë strehë ndër këto plagë e të marrë prej tyre hirin e shpresës, që nuk të zhgënjen.
Krishti i ngjallur është shpresë për të gjithë njerëzit, që vuajnë akoma për shak të pandemisë, për të sëmurët e për ata, që humbën njeriun e dashur. Zoti e ngushëllon dhe e mbështet punën e mjekëve e të infermierëve. Të gjithë, posaçërisht njerëzit më të ligshtë, kanë nevojë për asistencë e të drejtë për mjekimet e nevojshme. Kjo bëhet edhe më e qartë në këtë kohë, kur të gjithë jemi të thirrur për ta luftuar pandeminë e kur vaksinat janë mjeti kryesor në këtë luftë. Në frymën e “internacionalizimit të vaksinave”, e nxis mbarë Bashkësinë ndërkombëtare në angazhimin e përbashkët për ta shmangur çdo vonesë në shpërndarjen e tyre e për të favorizuar ndarjen e përbashkët, posaçërisht me vendet më të varfëra.
I Kryqëzuari i Ngjallur është ngushëllim për ata, që humbën punën a që kalojnë çaste të vështira ekonomike, pa ndihmën e nevojshme shoqërore. Zoti e frymëzoftë veprimtarinë e autoriteteve publike që të gjithëve, posaçërisht familjeve më nevojtare, të mos u mungojnë ndihmat e nevojshme a mjetet e përshtatshme të jetesës.
Jezusi i ngjallur është shpresë për shumë të rinj, që detyrohen të kalojnë periudha të gjata pa ndjekur shkollën a universitetin e pa e kaluar kohën me miqtë. Të gjithë kemi nevojë të jetojmë marrëdhënie njerëzore reale e jo vetëm virtuale, posaçërisht në moshën kur formohet karakteri e personaliteti. Jam pranë të rinjve të mbarë botës e, në këtë orë, posaçërisht pranë atyre të Mianmarit, që angazhohen për demokracinë, duke ngritur paqësisht zërin, me vetëdijen se urrejtja mund të zhduket vetëm me dashuri.
Drita e të Ngjallurit qoftë burim rilindjeje për migrantët, në ikje nga lufta e mjerimi. Në fytyrat e tyre shohim fytyrën e shpërfyturuar e të vuajtur të Zotit, që ngjitet në Kalvar. Mos u mungofshin shenjat konkrete të solidarietit e të vëllazërmit njerëzor, peng i fitores së jetës mbi vdekjen, që e kremtojmë këto ditë. Falënderoj vendet, të cilat i strehojnë me bujari të vuajturit në kërkim të strehës, posaçërisht Libanin e Jordaninë, që mikpresin një mori refugjatësh të ikur nga konflikti sirian.
Populli libanez, që po kalon një periudhë vështirësish e paqartësie, u ngushëlloftë nga Zoti i ngjallur e u ndihmoftë nga Bashkësia ndërkombëtare në thirrjen e tij të veçantë për të qenë tokë e takimit, e bashkëjtesës, e pluralizmit.
Krishti, paqja jonë, premtoftë më në fund të pushojë vringëllima e armëve në Sirinë e dashur e të martirizuar, ku miliona njerëz jetojnë tashmë në kushte çnjerëzore, ashtu si në Jemen, ngjarjet e të cilit rrethohen me një heshje të shurdhër e shkandulluese; e në Libi, ku nëpërduket, më në fund, rrugëdalja nga një dhjetëvjeçar grindjesh e ndeshjesh të përgjakshme. Të gjitha palët në konflikt u angazhofshin vërtetësisht për t’u dhënë fund konflikteve e për t’u krijuar popujve të dërmuar nga lufta, mundësinë të jetojnë në paqe e të nisin rindërtimin e vendeve të tyre.
Ngjallja natyrisht, na çon në Jeruzalem. Për të i kërkojmë Zotit paqe e siguri (krh Ps. 122), që t’i përgjigjet thirrjes për të qenë vend takimi, ku të gjithë mund të ndjehen vëllezër e ku Izraelitë e Palestinezë të rigjejnë forcën e dialogut, për të arritur një rrugëzgjidhje të qëndrueshme, që i shikon dy shtetet duke jetuar pranë e pranë në paqe e prosperitet.
Në këtë ditë feste, mendimi im rikthehet edhe në Irakun, që pata gëzimin ta vizitoja muajin e kaluar e që lutem të mund ta vijojë udhën e nisur të paqëtimit, që kështu të realizohet ëndrra e Zotit për një familje njerëzore derëhapur e mikpritëse për të gjithë bijtë e vet[1].
Forca e të Ngjallurit i mbështetët popullsitë afrikane, ardhmëria e të cilave rrezikohet nga dhuna e brendshme e nga terrorizmi ndërkombëtar, posaçërisht në Sahel e në Nigeri, e po ashtu edhe në Tigray e Cabo Delgado. Vazhdofshin përpjekjet për gjetjen e rrugëzgjidhjeve paqësore të konflikteve, duke respektuar të drejtat e njeriut dhe shenjtërinë e jetës, në dialog vëllazëror dhe konstruktiv, me frymë pajtimi e solidariteti veprues.
Tepër luftëra e tepër dhunë ka akoma në botë! Zoti, që është paqja jonë, na ndihmoftë për ta mundur mendësinë e luftës. I ndihmoftë të burgosurit në konflikte, posaçërisht në Ukrainën lindore e në Nagorni-Karabakh, të kthehen shëndosh e mirë në familjet e tyre e i frymëzoftë qeveritarët e mbarë botës për ta frenuar garën e armatimeve të reja. Sot, 4 prill, kremtohet Dita botërore kundër minave njerivrasëse, mjete djallëzore e të tmerrshme, që mbysin a gjymtojnë çdo vit njerëz të pafajshëm dhe e pengojnë njerëzimin në “ecjen e përbashkët ndër shtigjet e jetës, pa frikë nga kurthet e shkatërrimit e të vdekjes”[2]. Sa e mirë do të ishte bota pa këto mjete mortore!
Të dashur vëllezër e motra, edhe sivjet, në vende të ndryshme, shumë të krishterë i kremtuan Pashkët me kufizime të forta, nganjëherë edhe pa mundur të marrin pjesë në kremtimet liturgjike. Lutemi që këto kufizime, ashtu si çdo kufizim i lirisë së kultit e të fesë në botë, të zhduken e çdo njeri të mund të lutet e ta lumnojë lirisht Zotin.
Ndërmjet vështirësive të tjera, që po kalojmë, nuk duhet harruar kurrë se nga varrët e Krishtit u shëruam (cfr Pt 2,24). Në dritën e të Ngjallurit vuajtjet tona u shndërruan. Atje ku kishte vdekje, tani ka jetë; ku kishte vaj, tani ka ngushëllim. Duke rrokur Kryqin, Jezusi i dha kuptim vuajtjeve tona e tani lutemi që forca mirëbërëse të këtij shërimi të përhapet në mbarë botën. Gëzuar Pashkë e shenjta të gjithëve!
_________________
[1] Krh Takimi ndërfetar në Ur, 6 mars 2021
[2] Shën Gjon Pali II, Engjëlli i Tënzot, 28 shkurt 1999