Kërko

Natyra e njeriu Natyra e njeriu

Sot, Dita Botërore e Tokës. Papa: t’i rishikojmë marrëdhëniet me Gjithësinë

Sot, në gjithë botën kremtohet Dita e Tokës, me temën “Restore Our Earth”. Qëllimi i bashkësisë ndërkombëtare është rivendosja e marrëdhënieve më të qëndrueshme me Gjithësinë. Papa Françesku ka folur shpesh për këtë, sidomos në dy enciklikat “Laudato si’” dhe “Fratelli tutti”. E sot, me një tweet, nxit për lidhje pozitive me Zotin Krijues, me të afërmin e me Krijimin

R.SH. - Vatikan

I kemi prishur lidhjet, që na bashkonin me Zotin Krijues, me qeniet e tjera njerëzore dhe me pjesën tjetër të Krijimit. Kemi nevojë t’i shërojmë këto marrëdhënie të dëmtuara, të cilat janë thelbësore për të mbështetur vetveten dhe tërë strukturën e jetës”. Me këtë tweet, sot më 22 prill 2021 në faqen e tij @pontifex, Papa Françesku nënvizon përgjegjësitë e njeriut në marrëdhëniet me natyrën në këtë Ditë Botërore të Tokës, që kurrë si këtë vit, u bën thirrje të gjitha kombeve, veçanërisht atyre të industrializuara, të impenjohen së bashku për të ndalur shfrytëzimin pa kriter të pasurive të planetit.

Me rastin e këtij kremtimi, me nismën e SHBA-ve, në prani të 40 liderëve botërorë, fillon edhe një samit për klimën, i cili mbahet sot e nesër në mënyrë virtuale, pikërisht pasi presidenti amerikan, Joe Biden, u tregua i gatshëm ta përfshijë sërish vendin në Marrëveshjen e Parisit 2015 për mbrojtjen e klimës. Uashingtoni pati dalë prej saj në vitin 2018. Ky takim është një lloj përgatitjeje për Konferencën mbi Ndryshimin e Klimës COP 26, që do të mbahet këtë vit në Glasgow të Skocisë, nga 1 deri më 12 nëntor.

Marrëdhënie, që respektojnë Krijimin e Zotit

Papa Françesku ka kërkuar gjithmonë një aleancë ndërmjet qenieve njerëzore dhe ambientit, sipas konceptit të “ekologjisë së gjithanshme”, përshkruar në enciklikën “Laudato si’”. Gjithçka po ndodh, nga pandemia te ndryshimi i klimës, ka rëndësi për çdo aspekt të jetës, shoqërore dhe ekonomike, etike dhe politike. E gjithçka ndikon në jetën e më të varfërve dhe më të ligshtëve, pohon shpesh Papa, duke bërë thirrje për impenjim kolektiv e solidaritet, për një kulturë kujdesi, e cila ka në qendër dinjitetin njerëzor dhe të mirën e përbashkët. Drejtësia, barazia, siguria, nga pikëpamja e ambientit, janë sot përparësi të patjetërsueshme për Papën Françesku.

Strategjitë e Selisë së Shenjtë

Reduktimi i emetimeve të gazit serë, përdorimi racional i burimeve dhe iniciativa të tjera janë të rëndësishme për të ndaluar shkatërrimin e vazhdueshëm të Tokës. Vetë Selia e Shenjtë është impenjuar t’i çojë në zero emetimet neto në Vatikan, para vitit 2050, duke përdorur si duhet ujin dhe energjinë, duke ndryshuar mënyrën e qarkullimit e të administrimit të mbeturinave, si edhe duke ripyllëzuar tokën. Papa Françesku kërkon edhe një impenjim të fuqishëm në fushën e edukimit e të shkëmbimit të teknologjive më të përparuara me vendet e varfra. Ideja është të favorizohet një model kulturor zhvillimi, që respekton ambientin dhe njeriun, duke u lënë brezave të rinj mundësinë për një të ardhme më të mirë.

22 prill 2021, 14:11