Kërko

Kardinali Parolin duke kremtuar, në Milano,  Meshën  për Universitetin Katolik Kardinali Parolin duke kremtuar, në Milano, Meshën për Universitetin Katolik 

Papa Françesku, Universitetit Katolik: formo të rinj për një ardhmëri shprese

Në përfundim të lutjes mariane të Mbretëreshës Qiellore, Papa Françesku kujtoi ditën e 97-të të Universitetit të Zemrës së Krishtit, duke uruar të vijojë misioni edukativ, për të cilin është i thirrur e duke bekuar gjithë bashkësinë. Në Milano, seli e Universitetit Katolik, që sivjet feston 100-vjetorin e themlimit, u kremtua Mesha, kryesuar nga sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin.

R. SH. - Vatikan

“Sot në Itali kremtohet Dita kushtuar Universitetit Katolik të Zemrës së Krishtit i cili, që prej njëqind vjetësh, kryen një mision me vlerë për formimin e breznive të reja”. E kujtoi Papa Françesku, pas lutjes së Mbretëreshës Qiellore, duke uruar që Ateneu “ të vijojë ta kryejë misionin e tij edukativ, për t’i ndihmuar të rinjtë të jenë protagonistë të një ardhmërie  të pasur me shpresë. Bekoj nga zemra - përfundoi Françesku - personelin, profesorët e studentët e Universiteit katolik”.

Kardinali Parolin kremtoi Meshën, në Milano

Kremtimi u zhvillua në sallën e madhe të Universitetit katolik në Milano,  seli kryesore e Ateneut, i cili sot - pohoi kardinali Pietro Parolin, duke cituar Mesazhin e Konferencës Ipeshkvnore Italiane për ditën e sotme festive - “është i thirrur të përballojë sfida jo më pak impenjative, se ato fillestare” në drejtimin akademik, me risimet e nevojshme për didaktikën dhe kërkimin shkencor, por edhe për të zhvilluar plotësisht misionin e tretë, i cili ishte që në fillim, shpirti i tij”. Duke e kujtuar me mirënjohje shekullin e kaluar, gjatë të cilit institucioni katolik vijoi zhvillimin, sekretari i Shtetit të Vatikanit e ftoi të shikojë përpara, duke mos e harruar kurrë detyrën e tij, “hapjen e mendjeve” të të rinjve jo vetëm për njohuritë, por kryesisht për  dijen e Zotit, zbuluar në Jezusin.

Frika e dishepujve të Krishtit e frika jonë

Ungjilli i liturgjisë së sotme na kujton se Jezusi “ua hapi dishepujve mendjen për t’i kuptuar Shkrimet’ kur ata ishin të tronditur thellë, të pushtuar keqas nga frika. Jezusi i ngjallur - komentoi Hirësia e Tij Parolin - u dukej si fantazmë, e druheshin se kishte ardhur  për t’i larë hesapet me ata, që e kishin tradhtuar, e kishin braktisur":

“Dukej se kështu, më në thellësi, u lindte një frikë tjetër, ajo ‘fetare’. Sepse i Gjithëpushtetshmi, dihet, të kall frikë, e kjo frikë, të dashur vëllezër e motra, na ngjitet edhe ne. Na skicohet shpesh në shpirt një figurë e Zotit,  që nuk të ngjall vetëm nderim, por edhe frikë. E edhe mendimin: ‘Ç’do të më bëjë Zoti, nëse do të sillem keq? Ç’ gjë do të më kërkojë, nëse besoj në Të? Thua do të më vërë në ndonjë provë?  Eshtë vulosur në shpirtin tonë, si vulë e errët e natyrës sonë të rënë në mëkat, një figurë e rreme, e shtrembëruar e Zotit, fryt i frikës sonë. Ngulet në zemrën tonë mendimi mbytës i një Zotit padron, jo Atë, kontrollor kokëfortë, gjykatës i ashpër”.

Zoti na do edhe në ligështitë tona

"Po Krishti, përmes gjesteve e fjalëve, u dëshmon dishepujve të tij fytyrën e vërtetë të Zotit. I lë ta prekin, ulet të hajë me ta, i fton t’ia shikojnë plagët e gozhdave mbi këmbë e mbi duar, duke e zhdukur plotësisht distancën ndërmjet Zotit e njeriut”. Tregon se mori mbi vete ligështitë njerëzore:

“Plagët e Tij, kanale të hapura të mëshirës, na ftojnë, kështu, t’ia besojmë ligështitë tona, sepse Zoti na do edhe atje, në varfërinë, për të cilën turpërohemi. Plagët e të Ngjallurit, shenja të pashlyeshme të dashurisë së Tij për ne, na tregojnë se asnjë gozhdë mëkati, asnjë plagë jete, asnjë brerje ndërgjegjeje e së kaluarës, nuk mund të jetë pengesë për qëndrimin e  Tij të mëshirshëm ndaj nesh”.

Sepse Jezusi mori mbi vete dhimbjen e botës - nënvizoi kardinali Parolin.

Mos kini frikë nga detyra edukative, që ju kërkohet

Hapi që duhet bërë - vërejti kardinali - është ta mirëprisni Zotin edhe në skajet më të fshehura të jetës, atje ku jeton frika jonë, ku jetojnë dyshimet, mbylljet. E ftesën e Krishtit për  të mos pasur frikë, Kardinali ua drejtoi të gjithë atyre, që studiojnë e punojnë në Universitetin Katolik:

“Mos kini frikë përballë një kohe, që duket e paqartë e plot me shndërrime epokale! Mos kini frikë përballë asaj, që Papa Françesku, me fjalë të ashpra, por besoj realiste, e quajti ‘katastrofë edukative’,  duke i ftuar të angazhohen familjet, bashkësitë, shkollat, universitetet, institucionet, fetë, qeveritarët, mbarë njerëzimin, ‘për të formuar njerëz të pjekur e për t’i ndihmuar të rinjtë  të jenë protagonistë të një udhe të re”.

18 prill 2021, 15:53