Kërko

Vatican News

Papa: të krishterët dëshmitarë të Krishtit të Ngjallur për të përhapur paqe e shpresë

Besimi me gjithë mend e me gjithë zemër në Krishtin e vdekur e të Ngjallur, e ndryshon dhe e ndriçon jetën e njerëzve e të popujve. Të krishterët, edhe në situata të vështira e të ndërlikuara të shoqërisë së sotme, duhet të shpallin pa u lodhur kurrë, me jetën e tyre, se Ngjallja e Krishtit është burim shprese e paqeje. Ky pra është misioni i besimtarёve tё krishterё qё posa kremtuan solemnisht Misterin e Ngjalljes ё Jezu Krishtit – misterin e Pashkëve, ngjarje që ia ndryshoi rrjedhën historisë së njerëzimit, e qё është baza e fesë së krishterë.

R.SH. - Vatikan

Të krishterët, edhe në situata të vështira e të ndërlikuara të shoqërisë së sotme, duhet të shpallin pa u lodhur kurrë, me jetën e tyre, se Ngjallja e Krishtit është burim shprese e paqeje. Ky pra është misioni i besimtarёve tё krishterё qё posa kremtuan solemnisht Misterin e Ngjalljes ё Jezu Krishtit – misterin e Pashkëve, ngjarje që ia ndryshoi rrjedhën historisë së njerëzimit, e qё është baza e fesë së krishterë.

Prandaj Kisha me nё krye Papёn i nxit besimtarët ta ripohojnë me forcë këtë të vërtetë themelore të fesë sonë. Zbehja e besimit në Ngjalljen e Jezusit - kujtoi Papa – ka si pasojë zbehjen e dëshmisë së besimtarëve. Në se në Kishë mungon besimi në Ngjalljen e Jezusit, gjithçka ndalet, gjithçka ligështohet. “Përkundrazi, besimi me gjithë mend e me gjithë zemër në Krishtin e vdekur e të Ngjallur, e ndryshon dhe e ndriçon jetën e njerëzve e të popujve. Thua nuk është pikërisht besimi i patundur në Ngjalljen e Krishtit ai, që u jep guxim profetik e durim të pashoq martirëve të të gjitha epokave? A s’ është takimi me Krishtin e gjallë burim i mahnitjes, që i bën mijëra burra e gra të kthehen në rrugën e Zotit e të lënë gjithçka, për të ecur në gjurmët e Krishtit e për ta vënë gjithë jetën e tyre në shërbim të Ungjillit?”.

Ngjallja e Krishtit ёshtё themelore pёr besimin e tё krishterëve. Pёr kёtё Kisha i fton katolikët të jenë dëshmitarë të vërtetë të Krishtit të Ngjallur, duke i çuar kështu mbarë botës gëzimin dhe shpresën e krishterë e duke ia rikthyer nënshtetësinë e plotë fesë së Krishtit në një shoqëri, në të cilën Hyji përjashtohet gjithnjë më shumë nga jeta publike.

Papa i nxiti të gjithë t’ia propozojnë botës arsyet që të shtyjnë të besosh, me butësi e respekt, por edhe me atë forcë që buron nga bashkimi me Krishtin. Ati i Shenjtë rithekson me forcë qendërsinë e Krishtit të Ngjallur si hop vendimtar drejt një përmase jete thellësisht të re për gjithë familjen njerëzore, për historinë e për mbarë universin. Papa nënvizoi se e reja që solli krishterimi, ka forcë t’ia ndërrojë faqen botës. “Jemi të thirrur të bëhemi burra të rinj e gra të reja, për të qenë dëshmitarë të vërtetë të të Ngjallurit e në këtë mënyrë, përçues të gëzimit e të shpresës së krishterë në botë, konkretisht, në atë bashkësi njerëzish në gjirin e së cilës jetojmë”.

Ngjallja e Krishtit ishte si shpërthim drite, shpërthim dashurie, që copëton prangat e mëkatit e të vdekjes. Përuroi kështu një përmasë të re të jetës e të realitetit, nga e cila lind një botë e re, që depërton vazhdimisht në botën tonë, e shndërron atë dhe e bën për vete. Thirrja jonë dhe detyra jonë si të krishterë – na porosit Papa - kërkojnë të bashkëpunojmë që të realizohet plotësisht në jetën tonë të përditshme, frymëzimi që Shpirti Shenjt na e dhuroi në Pagëzim, për t’u bërë kështu dëshmitarë të Krishtit të ngjallur e nismëtarë të paqes e të shpresës.

Duke folur për fenë, si çelës që shërben për të lexuar vuajtjen, Ati i Shenjtë na shpjegon se kryqi, me të drejtë, shkakton frikë, ashtu siç i shkaktoi frikë e ankth edhe vetë Krishtit. Por – nënvizon Papa – kryqi nuk është mohim i jetës, nuk na pengon të jemi të lumtur. Përkundrazi, Kryqi është pohimi më i lartë i jetës, është pohimi më tronditës i Hyjit ndaj njeriut, shprehja më e fuqishme e dashurisë së Zotit për njeriun. Duhet prandaj të jemi gjithnjë gati t’i përgjigjemi kujtdo që na kërkon arsyen e shpresës së krishterë, duke e dëshmuar me jetën tonë Krishtin dhe dashurinë e tij pa mbarim për njeriun.

06 prill 2021, 13:22