Kërko

Vatican News

Papa lutet për atë Carlassare, misionar i plagosur në Rumbek

Françesku lutet për misionarin italian të plagosur në Sudanin e Jugut. Atë Carlassare, ipeshkëv i ri, u transferua në një spital në Kenia për të marrë trajtim të përshtatshëm, ndërsa presidenti Salva Kiir bën thirrje për përfundimin e shpejtë të hetimeve

R.SH. - Vatikan

Papa Françesku lutet për atë Christian Carlassare. Drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit, Matteo Bruni, informoi se Ati i Shenjtë është i shqetësuar për misionarin 43 vjeçar kombonian, plagosur në një sulm në Sudanin e Jugut, ndërmjet 25 e 26 prillit. Vetë Papa e pati caktuar më 8 mars ipeshkëv të dioqezës së Rumbekut, qytet me shumicë dinka, etnia më e pranishme në vendin, ku atë Carlassare u mirëprit me gëzim 16 prillin e kaluar. Komboniani nga Vicenza (Itali) është jashtë rrezikut, i transferuar në një spital në Nairobi, ku iu nënshtrua transfuzionit të gjakut, pas sulmit në shtëpinë e tij, dy netë më parë, kur dy vetë e qëlluan disa herë në këmbë. Presidenti i Sudanit të Jugut, Salva Kiir, u kërkoi autoriteteve lokale një hetim të shpejtë për sulmin, që të kapen autorët. “Autoritetet - tha Salva Kiir - nuk do të lejojnë që veprimet e disa kriminelëve të kushtëzojnë planet e Kishës”.

Falja e atë Carlassare

“I fal ata, që më qëlluan”: këto ishin fjalët e para të atë Carlassare, shugurimi ipeshkvnor i të cilit është planifikuar për 23 maj. Misionari i ftoi të gjithë të luten jo për të, “por për njerëzit e Rumbekut, të cilët vuajnë më shumë se unë”. Atë Christian është ipeshkvi më i ri italian në botë, i vendosur në krye të një dioqeze, që kryesohej nga një misionar tjetër, edhe ai kombonian, atë Cesare Mazzolari, i cili vdiq në vitin 2011, disa ditë para shpalljes së pavarësisë së Sudanit të Jugut.

Të panjohura, arsyet e sulmit

Arsyet e mundshme të sulmit janë ende të panjohura. Deri tani, janë arrestuar 24 persona të dyshuar. Sipas hetuesve, arsyeja nuk është vjedhja, pasi asgjë nuk mungon në qelën e meshtarit. Të parët, që e ndihmuan atë Carlassare-n, ishin punonjësit shëndetësorë të organizatës “Mjekët për Afrikën CUAMM”, qendra e së cilës është afër Kuries, gjë që shmangu më të keqen. Që prej vitesh, zona e Rumbekut është në qendër të konflikteve tribale, me të cilat, ndoshta, ka të bëjë edhe ky sulm i fundit.

27 prill 2021, 08:42