Kërko

Vatican News

Papa: kush përqafon Ungjillin, shtrëngon gjithnjë fort edhe Kryqin

Të Enjten e Madhe, në homelinë e Meshës së Bagmit, kremtuar në Bazilikën e Shën Pjetrit, Papa Françesku theksoi se “ora e lajmit të gëzueshëm e ora e persekutimit dhe e Kryqit lidhen ngushtë”

R.SH. - Vatikan

“Fjala e Jezusit ka fuqinë të nxjerrë në dritë çka mbart njeriu në zemër, që zakonisht është përzierje, si gruri me egjrën”. Këtë kujtoi Papa në Meshën e Bagmit, kremtuar sot paradite në Altarin e Katedrës, në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan. Kremtimi u ndoq nga një numër i kufizuar besimtarësh dhe anëtarësh të Këshillit Meshtarak të Dioqezës së Romës, të cilët përtërinë premtimet e bëra në ditën e shugurimit. Gjatë meshës, u bekua bagmi dhe vaji i katekumenëve e i të sëmurëve, që do të shërbejë gjatë gjithë vitit. Papa, pasi hukati në ampulën e Bagmit, shqiptoi lutjen e rastit. Diakoni derdhi në amforat me vaj pak parfum e të gjithë bashkëkremtuesit, pa thënë asgjë, zgjatën dorën e tyre të djathtë drejt Bagmit deri në fund të lutjes.

Ungjilli e Kryqi

Gjatë homelisë, Ati i Shenjtë pohoi se “kumtimi i Ungjillit është gjithnjë i lidhur me pranimin e një Kryqi konkret”. “Drita e butë e Fjalës - nënvizoi Papa - krijon qartësi në zemrat e gatshme e konfuzion dhe refuzim tek ato, që nuk janë të tilla”. “Këtë - shpjegoi Françesku - e shohim vazhdimisht në Ungjill”.

“Fara e mirë e mbjellë në fushë jep fryte - njëqind, gjashtëdhjetë, tridhjetë për një - por zgjon edhe zilinë e armikut, që me ngulm, fillon të mbjellë barërat e këqija gjatë natës (shih Mt 13,24-30,36-43). Dhembshuria e atit të mëshirshëm e tërheq pashmangshëm djalin plangprishës në shtëpi, por zgjon edhe indinjatën dhe inatin e djalit të madh (shih Lk 15,11-32). Bujaria e pronarit të vreshtit është arsye për mirënjohjen e punëtorëve të orës së fundit, por është edhe arsye për komentet e ashpra të të parëve, të cilët ndihen të fyer nga mirësia e pronarit (shih Mt 20,1- 16) Afërsia e Jezusit, që ulet në tryezë me mëkatarët, fiton zemra si ajo e Zakeut, ajo e Mateut, ajo e gruas samaritane, por shkakton edhe përbuzjen e atyre, që besojnë se janë të drejtë. Bujaria e njeriut, që dërgon të birin, duke menduar se do të respektohet nga vreshtarët, ndez tek ata një egërsi përtej çdo mase: jemi para misterit të paudhësisë, që çon në vrasjen e të Drejtit (shih Mt 21,33-46). E gjithë kjo na tregon se kumtimi i Lajmit të Mirë lidhet mistershëm me përndjekjen dhe me Kryqin”.

Çast nga Mesha e Bagmit, kremtuar nga Papa Françesku në Bazilikën e Shën Pjetrit
Çast nga Mesha e Bagmit, kremtuar nga Papa Françesku në Bazilikën e Shën Pjetrit

Me Kryqin nuk bëhet pazar

         Kryqi, kujton Ati i Shenjtë, “është i pranishëm në jetën e Zotit”, madje, edhe para lindjes së tij. Ishte i pranishëm “që në trazimin e parë të Marisë kur e lajmëroi Engjëlli”, “në pagjumësinë e Jozefit kur ndihej i detyruar ta braktiste të fejuarën e tij”. Ai është i pranishëm “në përndjekjen e Herodit dhe në vështirësitë e Familjes Shenjte”. Jezusi pranoi “tradhtinë dhe braktisjen e miqve të tij që në Darkën e Mbrame, pranoi burgimin e paligjshëm, gjykimin shkel e shko, dënimin e tepruar, keqdashjen e paarsyeshme të shuplakave dhe të pështymës së pashpirt”... “Ai e përqafoi krejtësisht Kryqin”. “Sepse në Kryq - tha Papa - nuk ka dyfytyrësi”. “Me Kryqin nuk bëhet pazar”. “Ka diçka në Kryq - shtoi Ati i Shenjtë - që është pjesë përbërëse e gjendjes sonë njerëzore, e kufizimeve dhe brishtësisë sonë”. Është e vërtetë edhe “se diçka nga gjithçka ndodh në Kryq, nuk ka të bëjë me brishtësinë tonë, por me kafshimin e gjarprit, i cili, duke e parë të kryqëzuarin të pafuqishëm, e pickon dhe përpiqet ta helmojë e ta diskreditojë gjithë veprën e tij”. Por Korpi i Krishtit “ishte helm për të, ndërsa u bë për ne ilaç, që neutralizon pushtetin e të ligut”.

Çast nga Mesha e Bagmit, kremtuar nga Papa Françesku në Bazilikën e Shën Pjetrit
Çast nga Mesha e Bagmit, kremtuar nga Papa Françesku në Bazilikën e Shën Pjetrit

Kryqi na çliron nga i Ligu

Ka një “Kryq në shpalljen e Ungjillit”, por është “Kryq që shpëton”. Për shkak të gjakut të Jezusit, derdhur në të, ai Kryq shndërrohet në forcën e “fitores së Krishtit, që e mund të keqen, që na çliron nga i Ligu”. Kur e pranojmë Kryqin së bashku me Krishtin, theksoi Papa, arrijmë ta dallojmë e të mos e pijmë helmin e shkandullit, “me të cilin djalli do të përpiqet gjithnjë të na helmojë, kur papritmas, duket një kryq në jetën tonë”.

“Nuk shkandullohemi, sepse Jezusi nuk u shkandullua duke parë që lajmi i tij i mirë i shëlbimit për të varfërit nuk tingëllonte i pastër, por në mes të britmave dhe të kërcënimeve të atyre, që nuk donin ta dëgjonin Fjalën e tij. Nuk shkandullohemi, sepse Jezusi nuk u shkandullua kur iu desh të shërojë të sëmurë e të lirojë të burgosur në mes të diskutimeve dhe të polemikave moraliste, legaliste, klerikale, që zgjonte sa herë që bënte mirë. Nuk shkandullohemi, sepse Jezusi nuk u shkandullua  kur u dha shikimin të verbërve në mes të njerëzve, që mbyllnin sytë për të mos parë, ose shikonin nga ana tjetër. …E nuk shkandullohemi kur shpallja e Ungjillit nuk është e frytshme, për shkak të fjalëve tona elokuente, por për hir të forcës së Kryqit. Nga mënyra me të cilën e përqafojmë Kryqin, duke kumtuar Ungjillin - me vepra dhe, nëse është e nevojshme, me fjalë – bëhen të dukshme dy gjëra: vuajtjet, që na shkakton Ungjilli, nuk janë tonat, por ‘vuajtjet e Krishtit në ne’ (2 Kor 1,5), prandaj, ‘ne nuk shpallim veten, por Jezu Krishtin Zot’ dhe ne jemi ‘shërbëtorë, për shkak të Jezusit’ (2 Kor 4,5)”.

Çast nga Mesha e Bagmit, kremtuar nga Papa Françesku në Bazilikën e Shën Pjetrit
Çast nga Mesha e Bagmit, kremtuar nga Papa Françesku në Bazilikën e Shën Pjetrit

Zoti na përgjigjet me mënyrën e tij hyjnore

Papa e përfundoi homelinë me një kujtim personal, të cilin e lidhi me një reflektim: “Zoti na jep gjithmonë çka i kërkojmë, por e bën këtë me mënyrën e tij hyjnore”. “Kjo mënyrë nënkupton kryqin. Jo nga mazohizmi, por nga dashuria”. Papa e përshkroi atë kujtim me këto fjalë:

“Një herë, në një çast tejet të errët të jetës sime, i kërkova Zotit një hir, që të më çlironte nga një situatë e vështirë dhe e rëndë. Shkova t’u predikoja Ushtrimet Shpirtërore disa murgeshave e ditën e fundit, siç ishte zakon në atë kohë, erdhën të rrëfeheshin. Erdhi një murgeshë shumë e moshuar, me sy të qashtër, vërtet të shndritshëm. Ishte grua e Zotit. Prandaj, ndjeva dëshirën që t’i kërkoja diçka për mua e i thashë: “Motër, si pendim, lutu për mua, sepse kam nevojë për një hir. Nëse ia kërkon ti Zotit, do të ma japë me siguri”. Ajo priti një kohë të gjatë, sikur po lutej e, pastaj, më tha: “Sigurisht që Zoti do të ta japë atë hir, por mos gabo: do të ta japë me mënyrën e tij hyjnore”.

Çast nga Mesha e Bagmit, kremtuar nga Papa Françesku në Bazilikën e Shën Pjetrit
Çast nga Mesha e Bagmit, kremtuar nga Papa Françesku në Bazilikën e Shën Pjetrit
01 prill 2021, 11:44