Kërko

Vatican News
Cardinali Christian Tumi Cardinali Christian Tumi 

Papa kujton kardinalin Tumi: një jetë e shkrirë për paqen e pajtimin

Françesku kujton kardinalin kamerunez Christian Wiyghan Tumi, që ndërroi jetë të Shtunën e Madhe, në moshën 90 vjeçare, me një telegram, drejtuar kryeipeshkvit të Douala-së

R. SH. - Vatikan

“Kardinali Tumi la një  gjurmë të pashlyeshme në Kishë e në jetën shoqërore e politike të vendit të vet, duke u angazhuar gjithnjë me guxim në mbrojtjen e demokracisë dhe në promovimin e drejtësisë”: kështu e kujton Papa Françesku kardinalin, që ishte ipeshkëv i Yagoua, kryeipeshkëv i Garoua e, më pas, edhe kryeipeshkëv i Douala-së, në telegramin drejtuar imzot Samuel Kleda-s, kryeipeshkëv i sotëm  i Douala-së.
Papa shkruan: “Duke marrë me dhimbje të thellë lajmin e vdekjes së  vëllait tonë, kardinalit Christian Tumi, dëshiroj t’u shpreh ngushëllimet e mia në lutje, së bashku me Kolegjin kardinalor, familjes e të dashurve të të vdekurit, si dhe të gjithë atyre, që u prekën nga ky mort”.

Kardinali Tumi, njeri i shërbimit, i paqes dhe i drejtësisë

Papa shton se “edhe në moshë të shkuar, kardinali Tumi mbeti gjithnjë në gatishmëri të plotë për t’i shërbyer paqes e pajtimit”. E më pas, në telegramin e tij të ngushëllimit, Françesku kujton gjithashtu se “si u krijua kardinal nga Gjon Pali II, në vitin 1988, qe bashkëpunëtor besnik i Papëve, duke kryer një sërë detyrash brenda Kuries Romake”.

Më pas, lutja: “Zoti e pranoftë  Shërbëtorin e vet në paqen dhe gëzimin e tij! Në shenjë ngushëllimi, në këtë kohë Pashkësh, ju drejtoj ju, Shkëlqesi, Bekimin  Apostolik, ashtu si edhe familjes si dhe të dashurve të Kardinalit të shuar, posaçërisht miqve, që e rrethuan këto vite dhe të gjithë atyre që do të marrin pjesë, me shpresën e ringjalljes, në kremtimet e fundit”.

 

05 prill 2021, 14:55