Kërko

Vatican News

Papa: ipeshkvijve të Brazilit, do të kapërcejmë pandemitë, por vetëm të bashkuar

Me rastin e seancës së tyre plenare, Papa u drejtohet ipeshkvijve të vendit të madh të Amerikës Latine - Brazilit të goditur rëndë nga pandemia: feja është mbështetje dhe shpresa jep guximin pёr tu ngritur përsëri.

R.SH. - Vatikan

"Përmes jush dua t'u drejtohem të gjithë brazilianëve, në një kohë kur ky vend i dashur po përballet me një nga provat më të vështira në historinë e tij".  Kёshtu thotё Papa Françesku në videomesazhin dërguar pjesëmarrësve të Asamblesë sё 58-të të përgjithshme të Konferencës kombëtare të Ipeshkvijve të Brazilit (Cnbb), qё po zhvillohet online mbi temën "Shtylla e Fjalës së Zotit - Gjallёrimi biblik i kujdesit baritor" ( 12-16 Prill 2021).

"Do të doja, para së gjithash, të shprehja afërsinë time me qindra mijëra familje që qajnë humbjen e një të dashuri - thotë Papa në spanjisht -. Të rinj e të moshuar, baballarë e nëna, mjekë dhe vullnetarë, shёrbёtorё të shenjt, të pasur dhe të varfër: pandemia nuk ka përjashtuar askënd prej vuajtjeve. Mendoj veçanërisht në ipeshkvijtë që vdiqën viktima të Covid".

"I lutem Zotit që t'u japë të vdekurve prehjen e përjetshme - vazhdon Papa - e t'u japë ngushëllimin zemrave të pikëlluara të të afërmve, të cilët shpeshherë nuk kanë pasur mundësi madje as t'u thonë lamtumirë të dashurve të tyre. Ky largim pa u përshëndetur, pa u thënë lamtumirë, ky largim në njё vetmi tё thellё është një nga dhimbjet më të mëdha pёr ata që largohen e edhe pёr ata që mbesin".

"Feja jonë në Krishtin e ngjallur na tregon se mund ta kapërcejmë këtë moment tragjik – thotё akoma Papa Françesku -. Shpresa jonë na jep guximin të ngrihemi përsëri. Bamirësia na shtyn të qajmë me ata që qajnë dhe t'u japim një dorë, veçanërisht atyre të cilët kanë më shumë nevojë, në mënyrë që të buzëqeshin përsëri. E bamirësia ne si ipeshkvij na shtyn të zhvishemi. Mos kini frikë të zhvisheni. Të gjithë e dinë se nga çka". "Është e mundur të kapërcehet pandemia, është e mundur të kapërcehen pasojat e saj - siguron Papa -. Por ne do të kemi sukses vetëm nëse jemi të bashkuar. Konferenca Episkopale e Kishёs Katolike tё Brazilit duhet të jetë një gjё e vetme në këtë kohë, sepse njerëzit që vuajnë janë vetëm një gjё e vetme".

"Të jesh instrument pajtimi, të jesh instrument uniteti – i nxit Papa Bergoglio ipeshkvijtë e Kishёs sё Brazilit -. Ky është misioni i Kishës në Brazil. Sot më shumë se kurrë! Pikёrisht për këtë është e nevojshme t’i lini mënjanë ndarjet, mosmarrëveshjet". Është e nevojshme tё bashkoheni nё atё qё ёshtё thelbësore. Me Krishtin, për Krishtin dhe në Krishtin, në mënyrë që të rizbulohet 'uniteti i Shpirtit me dhuratёn e paqes' (Efes. 4: 3) ".

"Vetëm atëherë, si Barinj të Popullit të Zotit - shton Papa -, mund t’i frymëzoni jo vetëm besimtarët katolikë, por edhe të krishterët e tjerë, si dhe burrat e grat e tjerë vullnet mirë, në të gjitha nivelet e shoqërisë, madje edhe në nivelet institucionale e qeveritare, mund t’i frymëzoni qё të punohet së bashku për të kapërcyer jo vetëm koronavirusin, por edhe një virus tjetër, i cili prej kohësh ka infektuar njerëzimin: virusin e indiferencës, qё lind nga egoizmi e krijon padrejtësi shoqërore".

15 prill 2021, 18:37