Kërko

Vatican News

Papa: vëllazërim, që më të ligështit të mos jenë “material për t’u hedhur”

Në Sallën e Koncistorit, Papa Françesku priti në audiencë Vëllazërinë “Chemin Neuf”, që impenjohet në shërbimin për më të varfërit, duke u përpjekur t’i përfshijë në shoqëri. Ju inkurajoj të mos kini frikë të ndërtoni ura, në një botë, ku ngrihen akoma shumë mure nga frika e të tjerëve, nënvizoi Ati i Shenjtë

R.SH. - Vatikan

Shërbimi për të tjerët, sidomos për të rinjtë e për më të mënjanuarit e shoqërisë, si migrantët, ishin argumentet e trajtuara sot nga Papa Françesku me anëtarët e Vëllazërisë e të Bashkësisë “Chemin Neuf” (Rruga e re), që nga Franca erdhën në Romë për ta takuar. Ati i Shenjtë i falenderoi për këtë udhëtim, që e bënë pavarësisht nga rreziqet e pandemisë së koronavirusit.

Reflektim për migrantët në Romë

         E përmendi edhe arsyen e qëndrimit të tyre në Romë. Bashkësia, që numëron rreth 2 mijë anëtarë të përhershëm, të cilët veprojnë gati në gjithë botën, është mbledhur për të reflektuar mbi praninë e migrantëve dhe për mikpritjen e tyre në Evropën e sotme. “Vërtet – u tha Papa – e dini mirë se kur flitet për migrantë e për të shpërngulur, tepër shpesh, ndalemi tek numrat. Por nuk janë numra, janë njerëz! Nëse i takojmë, edhe do t’i njohim. E duke i njohur historitë e tyre, do të arrijmë t’i kuptojmë”.

Bashkësia “Chemin Neuf”

         Bashkësia “Chemin Neuf” është katolike me frymë ekumenike. Lindur nga një grup karizmatik lutjesh në vitin 1973, tani ka 2.000 anëtarë të përhershëm në 26 vende, dhe 12.000 vetë, që shërbejnë nëpër misione. Themeluesi i saj është jezuiti, atë Laurent Fabre. Bashkësia e ka marrë emrin nga rruga ku ndodhej shtëpia e parë e Bashkësisë, në Lion, e cila quhej “Montée du Chemin Neuf” (E përpjeta e Rrugës së Re). Frymëzuar fuqimisht nga Ripërtëritja Karizmatike dhe e mbrujtur me përshpirtërinë injaciane, Bashkësia punon për unitetin, jo vetëm për atë ndërmjet të të krishterëve, por edhe për bashkimin e njerëzve, të bashkëshortëve e të familjeve. Në të përfshihen laikë dhe rregulltarë katolikë, anglikanë, protestantë dhe ortodoksë. Në vitin 1992, kardinali Albert Decourtray themeloi institutin rregulltar të së drejtës dioqezane, të cilit i përkasin meshtarët dhe rregulltarët e Bashkësisë. Më 14 shtator 2009, kardinali Rodé, prefekt i atëhershëm i Kongregatës për Institutet e Jetës Rregulltare dhe Shoqërive të Jetës Apostolike, e njohu si institut i së drejtës papnore.

Shërbejuni të tjerëve, me forcën e Ungjillit

         Ati i Shenjtë, në audiencën e sotme, i nxiti t’u shërbejnë të varfërve dhe të mirës së përbashkët. “Në garën e shfrenuar për pasuri, për karrierë, nderime e pushtet, të ligështit e të vegjlit, shpesh, injorohen dhe refuzohen, ose konsiderohen si të padobishëm – vërejti Papa Françesku. - Prandaj, uroj që impenjimi dhe entuziazmi juaj në shërbim të të tjerëve, plazmuar nga forca e Ungjillit të Krishtit, t’u rikthejnë shumë njerëzve, veçanërisht të rinjve, shijen për jetën dhe shpresën për të ardhmen”.

Kishë e varfër, me të varfërit

         Më pas, Ati i Shenjtë përmendi Nxitjen Apostolike “Christus Vivit”, kushtuar të rinjve, duke e nxitur Bashkësinë “Chemin Neuf” të impenjohet me fe në ndërtimin e një shoqërie të re, në të gjitha fushat, sidomos në familje, në shtetin social e në politikë, në mënyrë që të zgjerohet Mbretëria e Zotit mbi tokë. E të mos ketë frikë t’i shembë muret e ngritura nga frika ndaj të tjerëve, ndaj kulturave të tyre. “Përmes nismave, projekteve dhe veprimtarivë tuaja, - theksoi Papa - ju e bëni të dukshme Kishën e varfër ‘me’ dhe ‘për’ të varfërit, një Kishë në dalje, pranë njerëzve në vuajtje, në vështirësi, pranë të mënjanuarve e të përjashtuarve”.

Kthesa ekologjike

         Papa Françesku i kërkoi Bashkësisë “Chemin Neuf” që, së bashku me të rinjtë e shoqërive ku veprojnë, të kujdesen për shtëpinë e përbashkët. Nevojitet një kthesë ekologjike, që i jep njeriut dinjitet, i jep vlerë krijimtarisë së tij dhe aftësisë për të promovuar të mirën e përbashkët. Pandemia, përsëriti Ati i Shenjtë mendimin e shprehur edhe në raste të tjera, na ka mësuar se askush s’mund të shpëtojë i vetëm.

Krishti është i gjallë e na prin

         Së fundi, para se t’ua besonte të gjithë të pranishmit Zojës së Bekuar e mbrojtjes së Shën Injacit, Papa Françesku i nxiti të mos harrojnë se Krishti është i gjallë e na bën thirrje të ecim pas gjurmëve të Tij, duke u mbështetur mbi guximin dhe entuziazmin e secilit. “Më të – uroi Ati i Shenjtë – qofshi ajo flakë, që u bën të lindë shpresa në zemër shumë të rinjve të shkurajuar, të trishtuar, pa perspektivë. Bëni të lindin lidhje miqësie, bashkëpunimi vëllazëror, për një botë më të mirë”.

30 prill 2021, 12:02