Kërko

Vatican News

Papa Françesku: shenjtëria nuk është për “specialistët e hyjnores”

Papa i dërgon një videomesazh Kongresit Ndërkombëtar "Gruaja e jashtëzakonshme" kushtuar Shën Terezës së Avilës, i cili përfundon sot në Universitetin Katolik të qytetit kastilian, në 50-vjetorin e shpalles së shenjtes Doktoreshë e Kishës: mirësia e Zotit “është më e madhe se të gjitha të këqijat, që mund të bëjmë dhe Ai nuk e mban mend mosmirënjohjen tonë"

R.SH. - Vatikan

Lutja, që kthehet në vepra, bëhet portë mëshire, që hapet për shpresën, na lejon ta "shijojmë" se Zoti është i madh dhe na nis për udhën e shenjtërisë. Papa Françesku e sheh Shën Terezën e Avilës si gruan, që ia përçoi këtë mesazh të rëndësishëm Kishës, me gjithë jetën e saj. Dhe e shpreh këtë mendim në videomesazhin dërguar Kongresit Ndërkombëtar "Gruaja e jashtëzakonshme", që filloi të hënën e kaluar dhe përfundoi sot në Universitetin Katolik të Shën Terezës së Krishtit në Avila, kushtuar 50-vjetorit të shpalles së shenjtes Doktoreshë e Kishës.

Të krishterët, të thirrur ta risojnë tokën

 "Grua e jashtëzakonshme" - kujton Papa - është shprehja e përdorur nga Pali VI për ta përshkruar këtë grua të re, të aftë të ecë përpara në bashkim me Zotin, t’i bindet Shpirtit Shenjt me butësi, duke mbetur "e gjitha, zjarr i dashurisë së Zotit". "Guximi, krijimtaria dhe përkryerja e Shën Terezës si reformatore - nënvizon Françesku - janë fryt i pranisë shpirtërore të Zotit".

“Ditët tona kanë shumë ngjashmëri me ato të shekullit XVI, në të cilat jetonte shenjtorja. Si atëherë, edhe tani, ne të krishterët jemi të thirrur të bëjmë ç’është e mundur që, përmes nesh, forca e Shpirtit Shenjt të vazhdojë ta ripërtërijë faqen e tokës, me sigurinë që në fund të fundit, janë shenjtorët ata, të cilët i japin mundësi botës të përparojë drejt qëllimit të saj të fundëm”.

Udha e shenjtërisë

Duke kujtuar se shenjtëria favorizon "një mënyrë jetese më njerëzore", Papa Françesku thekson se ajo nuk është për "specialistët e hyjnores", por "thirrje e të gjithë besimtarëve". Gjithsesi, shenjtëria është origjinale, pasi të gjithë thirren për rrugë të ndryshme:

“Shenjtorët na nxisin e na motivojnë, por nuk janë për t’u kopjuar fjalë për fjalë, shenjtëria nuk duhet kopjuar, ‘sepse edhe kjo mund të na largojë nga rruga unike dhe e ndryshme, që Zoti ka ndërmend për secilin prej nesh. E rëndësishme është që çdo besimtar ta gjejë udhën e tij’. Secili prej nesh ecën në rrugën e tij të shenjtërisë, të takimit me Zotin”.

Nga mëkati tek mëshira

Shenja e bashkimit me Zotin, që kultivohet në lutje, duket në vepra. Kjo nënkupton një ndryshim personal, sepse kur ia hap zemrën Shpirtit Shenjt, njeriu bëhet “më i përvuajtur, më i vëmendshëm ndaj nevojave të vëllezërve, bir më i mirë i popullit të Zotit”.

“Një rrugë e tillë nuk është e hapur për ata që e konsiderojnë veten të purifikuar e të përsosur, për katarët e të gjithë shekujve, por për ata që, të vetëdijshëm për mëkatet e tyre, zbulojnë bukurinë e mëshirës së Zotit, i cili i mirëpret të gjithë, i shëlbon të gjithë dhe u bën thirrje të gjithëve të jenë miqtë e tij”.

"Shën Tereza, e cila e konsideronte veten tejet ‘të mjerë e të mjerë’, siç thoshte vetë, e pranon - shpjegon Papa - se mirësia e Zotit ‘është më e madhe se të gjitha të këqijat, që mund të bëjmë, dhe se Ai nuk e mban mend mosmirënjohjen tonë’" . Zoti nuk lodhet duke na falur, por ka rrezik që ne të lodhemi duke e kërkuar faljen e Tij.

Nga lutja, në vëllazërim

 Ideali i vëllazërimit u zbulua nga Shën Tereza, "një grua e jashtëzakonshme, një grua krijuese dhe inovative", përmes lutjes, që ia hap udhën shpresës. Një ideal, që ajo dëshironte ta realizonte në kuvendet e themeluara prej saj; mësim i vlefshëm edhe sot, kur ka "konflikte të vogla" ndërmjet kuvendeve.

“Ashtu si Doktoresha e Kishës, jetojmë në ‘kohë të vështira’, kohë jo të lehta, të cilat kanë nevojë për ‘miq besnikë të Zotit’, miq të fuqishëm. Tundimi më i madh është të dorëzohesh para zhgënjimit, dhimbjes, parandjenjës së trishtuar dhe të pabazuar se gjithçka do të shkojë keq. Ai pesimizëm i shterpët, ai pesimizëm i njerëzve të paaftë për të dhuruar jetën”.

Një pesimizëm, që i bllokon njerëzit në vathën e tyre të mbrojtur.

“Nga ana tjetër, lutja na e hap zemrën, na lejon të shijojmë se Zoti është i madh, se ai është përtej horizontit, se Zoti është i mirë, se na do dhe se historia nuk i ka shpëtuar nga duart. Mund të ecim në rrugë të errëta (shih Ps 23,4), por mos kini frikë nëse Zoti është me ju, Ai ecën gjithmonë krah nesh dhe na udhëheq drejt horizontit, që e dëshirojmë të gjithë: drejt jetës së amshuar”.

Me Të fitohet çdo sfidë dhe zemra është plot gëzim.

Lutja, që duhet kujtuar

Së fundi, Papa na fton të lutemi me fjalët e Shën Terezës së Avilës:

“Mos lejoni asgjë t’ju shqetësojë, mos lejoni asgjë t’ju frikësojë; çdo gjë kalon, vetëm Zoti nuk ndryshon. Më durim, çdo gjë arrihet. Atij që ka Zotin, nuk i mungon asgjë. Zoti, i vetëm, mjafton”.

15 prill 2021, 17:30