Papa Françesku: lutem për paqen dhe pajtimin në Venezuelë
R.SH. - Vatikan
Vështrimit të José Gregorio Hernández Cisneros, që vazhdimisht u drejtua kah të fundmit e nevojtarët, populli venezuelan i ka besuar fatkeqësitë dhe dhimbjet. Të gjithë e donin dhe e duan “mjekun e të varfërve” e, edhe Papa Françesku, që, në një videomesazh me rastin e lumnimit të mjekut, nesër në Karakas, i referohet dashurisë që ndiejnë venezuelanët për të.
“Ju betohem se nuk kam gjetur asnjë venezuelan, këtu në Vatikan, as në shesh e as në audiencë private, i cili, në mes të bisedës, të mos më thoshte: kur është lumnimi i Gregorit? Ata e mbanin në shpirt”.
Fryma e pajtimit
Ati i Shenjtë flet për figurën e këtij “besimtari, dishepull të Krishtit”, “njeri të shërbimit universal”, duke e nxitur Venezuelën të ecë përpara, të ndërmarrë “hapa konkretë në favor të unitetit, pa u shkurajuar”.
“Lumnimi i doktor Hernándezit është bekim i veçantë i Zotit për Venezuelën dhe na fton të bëjmë kthesë drejt një solidariteti më të madh me njëri-tjetrin, për të gjetur të gjithë përgjigjen e së mirës së përbashkët, aq të nevojshme për ta rigjallëruar vendin, për ta rimëkëmbur pas pandemisë, me frymë pajtimi”.
Shpresat e popullit venezuelan
Venezuela është vend i goditur rëndë nga pandemia. Papa kujton ata, që i paguan me jetë kushtet e këqia, pa mbrojtjen e nevojshme, në të cilat iu desh të vijonin punën, në këtë situatë. Edhe vetë kremtimi i nesërm do të bëhet me pjesëmarrje të kufizuar, për shkak të koronavirusit. Papa kujton edhe shumë nga venezuelanët, që kanë lënë vendin në kërkim të një jete më të mirë. “Jua njoh vuajtjet – u thotë atyre – jua njoh fenë dhe shpresat e mëdha”.
“I lutem Zotit për pajtimin e paqen ndërmjet venezuelanëve, dua të vij për vizitë tek ju. Uroj që institucionet publike të dinë t’u ofrojnë gjihnjë siguri e besim të gjithëve e që populli i kësaj toke të bukur të gjejë gjithnjë mundësitë për zhvillim e bashkëjetesë”.
Bashkim, pa ndërhyrje
Papa u bën thirrje edhe drejtuesve, afaristëve e njerëzve të Kishës të ecin së bashku drejt bashkimit kombëtar, të punojnë me seriozitet e sinqeritet për paqen e begatinë e vendit, duke u respektuar reciprokisht e duke vendosur të mirën e përbashkët para çdo lloj interesi tjetër.
“I lutem Zotit që asnjë ndërhyrje nga jashtë të mos ju pengojë të ecni në udhën e bashkimit kombëtar. Sa shumë do të doja të vij për vizitë, së paku për t’iu shoqëruar në këtë rrugë. E ju kërkoj të mos harroni të luteni për mua”.
Ndihmoni e falni
Së fundi, Papa Françesku propozon shembullin e të Lumit të ri, që e ktheu Ungjillin në kriterin, i cili e udhëhoqi në jetë dhe e nxiti t’u shërbente me përkushtim të tjerëve. Bëni edhe ju kështu, porosia e Atit të Shenjtë:
“Mirëpriteni njëri-tjetrin, pranojeni njëri-tjetrin, shiheni tjetrin si të barabartë, pa e përçmuar: mos përbuzni askënd. E, edhe shërbejini njëri-tjetrit, jini të gatshëm të shërbeni, por lejojini edhe të tjerët t’ju ndihmojnë, t’ju shërbejnë: të ndihmojmë dhe të lejojmë të na ndihmojnë. Një shembull tjetër është falja e njëri-tjetrit, sepse ne duhet të falim dhe të lejojmë të na falin, të ndihemi të falur. Pra, duhet t’i lajmë këmbët e njëri-tjetrit dhe ta duam njëri-tjetrin”.