Kërko

Vizita e Papës Françesku në ishullin e Lesbos Vizita e Papës Françesku në ishullin e Lesbos 

Papa në Lesbo: pesë vjet më parë, përqafimi me refugjatët e Morias

Përvjetori i vizitës historike e prekëse të Françeskut ndërmjet migrantëve të ishullit grek, së bashku me patrikun ekumenik Bartolomeu I dhe kryepeshkopin ortodoks të Athinës dhe gjithë Greqisë, Ieronymos. Ishte data 16 prill 2016. Një çast solidarieti, humanizmi e vëllazërimi prekës, me ata që, në ikje nga lufta e dhuna, përshkojnë Mesdheun dhe Egjeun, për të shpëtuar jetën.

R. SH. - Vatikan

Ky i Françeskut në Lesbo, nuk ishte shtegtim gazmor. Përkundrazi, i trishtuar. Kështu e quajti vetë Papa, duke folur me gazetarët në avion, pa shkelur akoma në tokën greke, ku do të takohej me refugjatët e migrantët e kampit në Moría, protagonistë të “katastrofës humanitare më të madhe, pas Luftës II Botërore”, të ikur nga luftërat e dhuna. Françesku, Patriku Bartolomeu dhe kryepeshkopi Ieronymus, tre prijës fetarë, njëri përbri tjetrit, e përqafuan këtë pjesë të njerëzimit të plagosur, “për t’i siguruar afërsinë e për t’i kërkuar botës të mos i mbyllë sytë përballë vuajtjes së atyre, që detyrohen të ikin nga situata konflikti dhe persekutimi”; të atyre, “që nuk janë numra, por që kanë një fytyrë, një emër e një histori”:

“Erdhëm për të tërhequr vëmendjen e botës mbi këtë krizë të rëndë humanitare e për të kërkuar edhe rrugëzgjdhje. Shpresojmë se bota do të zgjohet përballë këtyre situatave vërtet tragjike, në të cilat ndjehet nevoja për gjithçka”.

Këtë kujtoi Papa e, në vijim, përsëriti thirrjen, përballë asaj që po shikonte me sy e po e prekte me dorë:

“Përsëris thirrjen e ngutshme për përgjegjësi e solidaritet, përballë  emergjencës dramatike”.

Është një nga fragmentet e fjalimit, që Papa Françesku u drejtoi qytetarëve dhe mbarë bashkësisë së Lesbos, gjatë një takimi shumë të përzemërt në portin e ishullit.  

Deklarata e përbashkët: mjaft më me udhëtime mortore

Tragjedia humanitare, që jetojnë emigrantët, kërkon përgjigje plot solidaritet, mëshirë, bujari si dhe impenjim të menjëhershëm praktik, sepse “mbrojtja e jetëve njerëzore është detyrë e dorës së parë”. Ky, pohimi kryesor i Deklaratës së përbashkët, nënshkruar në Lesbo nga Papa, Patriku Bartolomeu e Kryepeshkopi Ieronymos, në përfundim të takimit të tyre me refugjatët në ishullin grek.  

Takimi i parë i Papës në Lesbo, ishte ai me kryeministrin grek Alexis Tsipras: argumenti kryesor i bisedimit, kriza e refugjatëve dhe e emigrantëve e, më në veçanti, situata në ishull. U nënvizua se kriza e refugjatëve është problem evropian dhe ndërkombëtar e kërkon përgjigje mirëkuptuese, që respekton ligjet evropiane dhe ndërkombëtare. Papa e vlerësoi sjelljen njerëzore të popullit grek i cili, pavarësisht nga gjendja e vështirë ekonomike, dëshmoi solidaritet e përkushtim ndaj vlerave universale. Përveç kësaj, u nënvizua  nevoja për t’i mbrojtur njerëzit, që të mos humbasin më jetë në përpjekjen për të kapërcyer detin Egje e atë Mesdhe. U fol edhe për luftën kundër rrjeteve të trafikut të njerëzve si dhe për ndjekjen e procedurave të sigurta për arritjen dhe vendosjen në Evropë.

Duke u takuar me kryeministrin Tsipras, në Lesbo, Papa pohoi se kishte ardhur edhe për të falënderuar popullin grek për fisnikërinë e tij. Greqia - kujtoi - është djepi i njerëzimit e duket qartë se vijon të japë shembull humanizmi e ta dëshmojë me guxim bujarinë e saj.

Historia e Nour

Asokohe ishte 31 vjeçare. Kishte ikur me familjen nga rrethinat e Damaskut. Erdhi në Lesbo nga Turqia, me një gomone. Tani Nour me familjen  jetojnë në Romë, ku vajza është biologe në spitalin pediatrik të Krishtit Fëmijë. “Falënderoj Papën Françesku - tregon në Vatican News - për gjithçka bëri për ne. Na ndryshoi jetën, fatin” – pohon - ndërsa i ka ende në bebe të syrit çastet dramatike të nisjes drejt Romës, vendosur 24 orë më parë. Kujton fluturimin… Papën, gjithnjë me buzë në gaz, që i tregon gazetarëve në bord “vizatimin e realizuar nga një fëmijë në kampin e Morias”. Gjithçka që dinte për Vatikanin, vajza që fluturonte pranë Papës, e kishte mësuar nga televizioni. Tani do ta jetonte. Falë Françeskut!

Lesbo, tragjedi pa fund

Në Lesbo jehon akoma një britmë:   

“Kjo nuk përkon me dinjitetin njerëzor! Nuk është e mundur që e gjithë kjo t’i nënshtrohet interesave të tjera e planeve të tjera të progresit, të mirëqenies për njerëzimin, që shkojnë e godasin mu në zemër këto popullsi të persekutuara, të cilat detyrohen të ikin nga shtëpitë, për shkak të luftës e ndeshjeve të vazhdueshme, të njohura nga të gjithë, në Lindjen e Mesme”.

Është britma e Papës si ipeshkëv e si bari – e njeriut, që takohet, që ia hap zemrën kujt ka nevojë e që, njëkohësisht, kumton profetikisht një ardhmëri, të cilën duhet ta kuptojmë të gjithë, duhet ta bëjmë realitet të gjithë, sipas mundësive tona e sipas përgjegjësisë sonë.

16 prill 2021, 14:58