Kërko

Vatican News

Nën Kryq, në sheshin bosh, Papa ledhaton të vegjlit

Mbrëmë Udha e Kryqit u kremtua edhe një herë në Sheshin e Shën Pjetrit, me meditimet, lutjet dhe vizatimet e fëmijëve dhe të rinjve të katër realiteteve edukative. Pas reflektimit të njërës nga vajzat e vogla, që ndjehej e braktisur në vetminë e “zonës së kuqe”, Françesku u lut: “Na shndrit, o Zot, në këtë natë të errët, që të mos e humbasim rrugën në këtë kohë të vështirë”.

R. SH. - Vatikan

Papa Françesku, në Sheshin e Shën Pjetrit gati të shkretë, u flet të vegjëlve me duart e tij, që ledhatojnë flokët e një vogëlushi, i cili i afrohet në përfundim të Via Crucis, pastaj përqafon një tjetër, e akoma, shtrëngon në krahë një tjetër. Si të shtrëngonte vetë dritën, që ngadhënjen mbi terrin; jetën, që ngadhënjen mbi vdekjen. Në fund janë tre, ndërmjet tre e gjashtë vjetëve, që e shoqërojnë për disa çaste Françekun, kur largohet nga dritë-hijet e tremes, në këtë natë dramatike. Pastaj, para se Papa të tërhiqet në Bazilikë, së bashku me mjeshtrin e kremtimeve liturgjike, Guido Marini,  poshtë kryqit të madh, që sundon gjithë fasadën e tempullit, i afrohen dy fëmijë të shtëpisë-familje “Nëna e dashurisë Hyjnore”, së bashku me dy rregulltaret edukatore, ndërsa shkolla e këngëtarëve intonon një këngë gregoriane, që e mbush me tinguj jete Sheshin, ku luajnë dritë-hijet.

Kryqi i madh, i ndritshëm sundon mbi Sheshin e zbrazët

Kryqi i madh lëshon, për herë të dytë, dritën e tij mbi Sheshin e zbrazët, për shkak të pandemisë, larg skenës tronditëse të Koloseumit. E mbetet i shtamposur ndër sytë e ndër zemrat, që e ndjekin, nga të katër anët e botës, këtë udhë të paharrueshme Kryqi, e cila vijon në Sheshin  e zbrazët, me Obeliskun në mes, e dritat rreth tij, që duket sikur flasin, sikur premtojnë ngadhënjimin e të Kryqëzuarit! E ndërsa mbartësit e Kryqit lëvizin pikërisht brenda rrethit të madh, të ndritshëm, një murgeshë e një fëmijë mbajnë në duar pishtarin, gati të përqafuar…

Vuajtjet e botës, parë me sytë e të vegjëlve

Meditimet dhe lutjet, shkruar nga skautët e Foligno I dhe nga ata të katekizmit të famullisë romake të Martirëve të Ugandës,  na ndihmuan  t’i prekim me dorë vuajtjet e njerëzimit, posaçërisht në këtë kohë, kur pandemia vijon ta kërcënojë gjithë botën. E t’i shikojmë me sytë e më të vegjëlve. Të katër lexuesve të  njomë: dy vajzave e dy djemëve, ndërmjet të cilëve, edhe një skaut, që nuk mundën ta fshihnin emocionin, në këtë natë kur errësira ndeshej me dritën.    

Vetmia nga “zona e kuqe dhe lutja e Papës

Kur lexuesja më e vogël  arriti në Stacionin e nëntë,  shprehu “trishtimin, që buron nga vetmia” shpesh e padurueshme, e fëmijëve “të braktisur nga të gjithë” e u ankua se i mungojnë shumë gjyshërit, të cilët nuk i takon prej një viti, sepse mund t’i bësh të preken nga Covidi. E njëlloj, edhe mikeshat e  volejbollit e skautët. E Papa, në lutjen e mëpasme, i kërkoi Zotit:

 “Na shndrit, në këtë natë të errët, që të mos e humbasim rrugën, në këtë kohë kaq të vështirë”.

03 prill 2021, 13:48