Kërko

Papa Francesko lutet para Kapelës së Shën Faustina Kowalskas Papa Francesko lutet para Kapelës së Shën Faustina Kowalskas 

Kjo kohë ka nevojë për mëshirë

Përshkohet tej e ndanë nga mëshira hyjnore, e gjithë Papnia e Gjon Palit II, i cili e kurorëzoi këtë aspekt të posaçëm me magjisterin e Jubileut të Madh të 2000-it, duke themeluar kremtimin e sotëm të Mëshirës Hyjnore. E po kësaj teme i kushtoi enciklikën e tij të dytë. Pa harruar se mëshira është vazhdimisht e pranishme edhe në papnitë e paraardhësve e të pasardhësve, nga Piu XII – te Françesku.

R. SH. - Vatikan

“E diela e sotme quhet edhe ‘E Diela e Mëshirës Hyjnore’:  është - në këtë vit kushtuar Hyjit Atë - rast i çmuar për të hyrë si besimtarë e si Kishë, në shpirtin jubilar, sipas fjalëve të vetë Jezusit: 'Shpirti i Zotit është përmbi mua; prandaj më… dërgoi për… të predikuar vitin e hirit të Zotit' (Lk 4,18-19). Jam tejet i kënaqur që një numër i madh  meshtarësh e besimtarësh erdhën sot paradite në Sheshin e Shën Pjetrit, për Meshën solemne(…) ndërsa shpreh kënaqësinë time për devocionin tuaj ndaj Jezusit të Mëshirshën, ju inkurajoj nga zemra të jeni, në mjediset e jetës e të punës së secilit, apostuj të mëshirës hyjnore, ashtu siç ishte Faustina Kowalska”.

Këshu shprehej Gjon Pali II në lutjen e Mbretëreshës Qiellore të 7 qershorit 1999. Ishte një vajzë e shekullit të kaluar, një murgeshë e re: në Poloni, ndërmjet dy luftërave botërore iu duk Jezusi” dhe “e porositi”, në se mund të shprehemi kështu, ta pikturonte, siç e kremtojmë sot: të veshur me të bardha, me rreze, një të kuqe e një të bardhë, që shpërthejnë nga kraharori i Tij e që duket sikur na ftojnë të besojmë me gjithë zemër në Të…:

“Është vërtet i madh sot gëzimi im, nësa i propozoj mbarë Kishës, gati si dhuratë të Zotit për kohën tonë, jetën e dëshminë e motrës Faustina Kowalskas. Nga Provania hyjnore jeta e kësaj vajze të përvuajtur të Polonisë u lidh e tëra me historinë e shekullit XX, që po e lëmë pas shpine. Pikërisht ndërmjet Luftës I e II Botërore, Krishti i besoi  mesazhin e tij të mëshirës. Ata, që e kujtojnë, që qenë dëshmitarë e pjesëmarrës  në ngjarjet e atyre viteve e të vuajtjeve të tmerrshme që pasuan për miliona njerëz, e dinë mirë sa i nevojshëm ishte mesazhi i mëshirës. I pati thënë Krishti Motër Faustinës: ‘Njerëzimi nuk do të gjejë paqe, derisa t’i drejtohet me besim mëshirës hyjnore (Ditari, fq.132). Përmes vetë rregulltares polake, ky mesazh u lidh përgjithmonë e jetës me shekullin XX, mijëveçar i fundit e urë drejt mijëvjeçarit të tretë. Nuk është mesazh i ri, po mund të konsiderohet dhuratë e posaçme ndriçimi, që të ndihmon ta jetosh më thellësisht Ungjillin e Pashkëve, për t’i dhuruar një rreze drite edhe burrave e grave  të kohëve tona”.

Ishte 30 prilli i vitit 2000. E Diela in Albis. Gjon Pali II shprehej kështu në kanonizimin e Faustina Kowalskës, në kulmin e Jubileut të Madh

Mëshira Hyjnore dhe Gjon Pali II

Në zemrën e Gjon Palit II figura e motër Faustinës lidhet me një fazë të rëndësishme të jetës së tij, kur, gjatë pushtimit nazist, punonte në një stabiliment. E tregoi këtë në vitin 2002:

“E kujtoj akoma sot rrugën, që të çon nga Borek Falecki- në Debniki. E përshkoja çdo ditë duke shkuar për të punuar në turne të ndryshme, me ‘këpucë’ prej druri në këmbë. Kësisoj këpucësh mathnim asokohe. Si mund ta përfytyroja aso kohe se njeriu me nallane një ditë do të shuguronte Bazilikën  e Mëshirës Hyjnore në Lagiewniki të Krakovisë?”.

E Diela e Mëshirës Hyjnore

Papa Wojtyla e shpalli të dielën e dytë  të Pashkëve “E Diela e Mëshirës Hyjnore”. Françesku, në maj të vitit 2020, miratoi një dekret të Kongregatës për Kultin Hyjnor dhe Disiplinën e Sakramenteve, që e cakton më 5 tetor kujtimin liturgjik të Shën Faustinës, e cila na la pas një mesazh që, siç kujtonte Papa Wojtyla, e shoqëron në çdo hap njeriun e sotëm:

“Mesazhi yt i dritës dhe i shpresës u përhaptë në mbarë botën! I nxitët mëkatarët të kthehen, i zhduktë rivalitetet e urrejtjet, i mbushtë njerëzit e kombeve të ndryshme me frymën e vëllazërimit. E sot, duke i ngulur sytë mbi fytyrën e Krishtit të Ngjallur, e bëjmë tonën lutjen tënde të lëshimit plot besim në duart e Krishtit dhe themi me shpresë të patundur: ‘Jezus, besoj në Ty!’”.

E Papa Françesku vijon të na kujtojë:

“Kjo kohë ka shumë nevojë për mëshirë!”.

11 prill 2021, 11:56