Kërko

Vatican News

Kardinajtë e ipeshkvijtë do të gjykohen në Vatikan, pa dallim nga të tjerët

Motu Proprio e re e Papës Françesku, që ndryshon sistemin gjyqësor të Shtetit të Vatikanit. Deri tani, kardinajtë dhe ipeshkvijtë paraqiteshin para Gjykatës së Kasacionit të kryesuar nga një kardinal, por që sot, ata do të paraqiten në Gjykatën e shkallës së parë, si gjithë të tjerët. Gjithsesi, për fillimin e procesit do të nevojitet gjithnjë autorizimi paraprak i Atit të Shenjtë

R.SH. - Vatikan

Tani e tutje, kardinaljtë dhe ipeshkvijtë e akuzuar për vepra penale nga magjistratët e Vatikanit do të gjykohen nga Gjykata e Shtetit të Vatikanit si gjithë të tjerët dhe jo nga një Gjykatë Kasacioni, kryesuar nga një kardinal, siç ndodhte deri më sot. Kjo është risia e Motu proprio-s së Papës Françesku, që ndryshon sistemin gjyqësor të Vatikanit, shpallur në mars 2020. Mbetet gjithsesi, nevoja e një autorizimi paraprak të Papës për të filluar procesin kundër ndonjë kardinali a ipeshkvi.

         Duke përmendur fjalët e shqiptuara me rastin e përurimit të vitit gjyqësor në Vatikan, më 27 mars, Papa kujton “kërkesën parësore, që – edhe përmes ndryshimeve legjislative - në sistemin procesual në fuqi të dalë në pah barazia ndërmjet gjithë anëtarëve të Kishës, si edhe dinjiteti e pozita e tyre e barabartë, pa privilegjet e së kaluarës, që nuk përputhen më me përgjegjësitë e secilit në ‘aedificatio Ecclesiae’”.

         Pra, mbi bazën e parimit të barazisë për të gjithë anëtarët e Kishës, Papa Françesku e shfuqizon nenin 24, që parashikonte përdorimin e Gjykatës së Kasacionit në rastin e kardinajve dhe të ipeshkvijve të akuzuar për krime penale, duke vendosur një gjykim me tri shkallë, si për gjithë të tjerët.

30 prill 2021, 15:11