Kërko

Papa në Shën Pjetër për Meshën e Pashkëve Papa në Shën Pjetër për Meshën e Pashkëve 

Gëzimi i të Ngjallurit, në Meshën e dytë të Pashkëve në kohë pandemie

Me ritin e Resurrexit dhe spërkatjen me ujë të bekuar, nisi Mesha e së Dielës së Pashkëve, kryesuar nga Papa, në Bazilikën e Shën Pjetrit. Kremtim solemn, ku Homelisë ia zunë vendin ritet e gjestet. Në përfundim, mendimi i Papës për kryepriftin e ri të Shën Pjetrit dhe për kardinalin Comastri. E falënderimi drejtuar të gjithë atyre, që dhanë ndihmesën në kremtimin e Riteve të Triditshit të Pashkëve.

R. SH. - Vatikan

Kumti i mundjes së vdekjes  kthehet  i plotë e i pushtetshëm  në jetën e  secilit e në kremtimin e kryesuar nga Papa Françesku në Altarin e Katedrës, në Bazilikën e Shën Pjetrit. Emocionuese, pjesëmarrja e përshpirtshme e besimtarëve të paktë në numër, sepse edhe sivjet kremtimet u mbajtën në një atmosferë kufizimesh, imponuar nga Covid-19. Morën pjesë në kremtim rreth 150 vetë. Papa u ndalua në shkallët e presbiterit për Ritin e Resurrexit. Dy, diakonët, në të dy anët e Ikonës së Shëlbuesit, ndërsa i treti këndonte Kumtin e Pashkëve e Françesku  kemonte Ikonën.

Siguria, që buron nga Pashkët

Kjo është e diela, në të cilën premtimi bëhet siguri: “Krishti u ngjall! Vërtet u ngjall!”. Na e thotë Ungjilli, që në këtë festë të madhe, çasti më i rëndësishëm i vitit liturgjik, shpallet në gjuhën latine e greke. E, si në kremtimet e tjera, leximet në spanjisht e në anglisht shprehën universalitetin e Kishës

Procesioni me Papën Françesku

Në përfundim të kremtimit, bashkëkremtuesit morën pjesë në procesion me Papën.

Çdo të dielë, me Besojmën, shpallim besimin tonë në fe, në Ngjalljen e Krishtit. Duke u nisur nga ky mister, gjithçka kuptohet në Kishë e çdo kremtim eukaristik e bën aktual. Ekziston, pastaj, një kohë liturgjike në të cilën ky realitet qendror i fesë së krishterë u propozohet besimtarëve në mënyrë më intensive: është Koha e Pashkëve. Çdo vit, gjatë Triditshit të Pashkëve të Krishtit të kryqëzuar, të vdekur e të ngjallur, siç e quan Shën Agostini, Kisha përshkon etapat përfundimtare të jetës tokësore të Zotit: dënimin e Tij me vdekje, ngjitjen në Kalvar, ngarkuar me kryq,  vendosjen në varr. E, “në të tretën ditë” pastaj, Kisha rijeton Ngjalljen: është Pashkë! Është kalimi i Krishtit nga vdekja - në jetë, është vërtetimi i profecive të lashta. E gjithë liturgjia e Kohës së Pashkëve i këndon sigurisë dhe gëzimit të Ngjalljes së Krishtit.

04 prill 2021, 13:18