Kërko

Vatican News
Papa Françesku Papa Françesku  (Vatican Media)

Françesku Veprimit Katolik: u frymëzofshi nga jeta e njerëzve, jo nga idetë më në modë

Papa priti në Vatikan Këshillin e shoqatës laikale me rastin e mbledhjes së 17-të plenare, që do të përfundojë më 2 maj: ju besoj posaçërisht njerëzit e prekur nga pandemia, që rrezikohen të paguajnë haraçin më të lartë - u kujtoi - Stili të jetë ai i dialogut dhe i sinodalitetit, pa rënë në “skllavërinë e organigrameve”.

R. SH. - Vatikan

Cila është detyra e një realiteti si Veprimi Katolik, posaçërisht në një kohë si kjo që po jetojmë? Duke u takuar me një grup përfaqësuesish të Veprimit Katolik Italian, me rastin  e Asamblesë së 17-të Kombëtare, Papa u ofroi një reflektim për detyrat kryesore që ka ky realitet, posaçërisht në një kohë, si kjo që po jetojmë. E reflektimin, në përkim me stilin e tij, Papa e mbështeti mbi tri fjalë, themelore: “ veprim”, “katolik” e “italian”.

Veprim

Mund të pyesim - kujtoi në fillim - çfarë kuptimi ka fjala “veprim”, e, sidomos, kush vepron? Për ta sqaruar këtë fjalë, Françesku u nis nga Ungjilli i Markut, e pikërisht nga çasti kur Krishti i dërgoi apostujt e vet në mbarë botën, për t’ia shpallur Ungjillin çdo krijese:

“Kush vepron, atëhere? Ungjilli na siguron se i takon Zotit të veprojë;  është ai që e thotë fjalën e fundit, duke ecur ‘pa u njohur’ në historinë ku jetojmë, e sidomos, në të sotmen tonë. Pandemia i flaku në erë shumë e shumë projekte e i kërkoi secilit nesh të ballafaqohemi me të paparashikueshmen. E ta pranosh të papriturën, në vend që ta injorosh, do të thotë t’i mbetesh besnik Shpirtit Shenjt e edhe jetës së burrave e grave të kohëve tona”.

Ungjilltari nënvizon se Jezusi “e përforconte fjalën me shenja”. E kjo do të thotë se gjithçka veprojmë e ka një origjinë të përcaktuar: vjen nga dëgjimi dhe nga pranimi i Ungjillit. Por do të thotë edhe se duhet të ketë një lidhje të fuqishme ndërmjet asaj që dëgjohet - e asaj që jetohet.

Më pas, Ati i Shenjtë kujtoi karakteristikat, që duhet të ketë aksioni, domethënë veprimtaria e Aksionit Katolik:

“Para së gjithash, duhet të jetë falas, pa interes. Veprimtaria misionare nuk ka të bëjë me logjikën e fitimit, por me atë të dhuratës. Gjë që kërkon nga ju t’i dëgjoni territoret tuaja, duke u përpjekur t’ua plotësoni nevojat e duke lidhur marrëdhënie vëllazërore me to”.

Historia e Shoqatës suaj është përplot me “shenjtorë të portës përbri”, e është histori, që duhet të vijojë: “shenjtëria është trashëgimi, që duhet ruajtur e thirrje, që duhet mirëpritur”. Këtë duhet të kujtojmë, për të kuptuar identitetin tonë si dishepuj-misionarë - theksoi në vijim Papa, duke kaluar tek shpjegimi i fjalës së dytë.

Katolik

E fjala e dytë është “katolik” - shpjegoi -  fjalë, që e cilëson veprimin e që na kujton se Kisha nuk njeh kufij. Jezusi i thirri dishepujt të jetonin me Të, por edhe duke qenë gjithnjë pranë tyre atje ku jetonin e  ku punonin. E i thirri ashtu si ishin:

“Edhe juve ju kërkohet të fitoni gjithnjë më shumë vetëdijen se ‘të jesh me të gjithë e për të gjithë’ nuk do të thotë ‘ta hollosh’ misionin, ta bësh ‘spirilang’, por ta mbash të lidhur mirë me jetën konkrete, me njerëzit, pranë të cilëve jetoni. Fjala ‘katolik’ pra, do të thotë ‘ të bëhesh i afërt’”.

Pandemia, duke kërkuar forma distancimi, largimi, e bëri edhe më të dukshme vlerën e afërsisë vëllazërore: ndërmjet njerëzve, breznive, territoreve. Sepse distanca nuk bëhet kurrë indiferencë, ashtu si i afërti nuk mund të bëhet kurrë i huaj!

“Në veçanti ju, laikët e Veprimit Katolik, mund ta ndihmoni Kishën dhe shoqërinë ta mendojnë së bashku cilin tip humanizmi duam të ndërtojmë. Edhe ju jeni të thirrur të sillni një ndimesë origjinale për realizmin e ‘ekologjisë së gjithanshme’: me aftësitë tuaja, me pasionin tuaj, me përgjegjësinë tuaj”.

Vuajtja e madhe njerëzore e shoqërore e krijuar nga pandemia krijon rrezikun të bëhet katastrofë edukative dhe emergjencë ekonomike - pohoi Papa - për t’u dhënë, në vijim, të pranishmëve porosinë e dalë nga goja e Jezusit: “Ai, megjithëse ishte Bir, mësoi nga ato që pësoi të jetë i dëgjueshëm”(Heb 5,8). Edhe ne duhet ta pyesim veten: “Ç’mund të mësojmë nga kjo kohë e nga kjo vuajtje?”. “Mëso të jesh i dëgjueshëm!” – përgjigjet Letra drejtuar Hebrenjve. E mëso edhe si duhet të veprosh! Pa harruar përvojën tuaj, që është “katolike”, sepse aktivizon fëmijë, të rinj, të rritur, pleq, studentë, punëtorë: përvojë populli kjo!- kujtoi Papa - për të dhënë, më pas, porosinë: “Mos e humbisni kurrë karakterin popullor”.

Italian

Termi i tretë, për të cilin foli Françesku, ishte “italiane”.

“Shoqata juaj - kujtoi - gjithnjë pjesë e historisë italiane, e ndihmon Kishën në Itali të lindë shpresë për gjithë vendin. Ju mund t’i ndihmoni  bashkësitë kishtare për të qenë tharm dialogu në shoqëri, në stilin e treguar nga Kuvendi i Firencës”.

Kisha e dialogut është Kishë sinodale, që vihet së bashku në dëgjim të Shpirtit Shenjt e të zërit të Zotit, i cili vjen tek ne përmes britmës të të varfërve e të tokës. Pa harruar se të jesh sinodal, nuk do të thotë të kesh plane për të programuar, por stil për të mishëruar.

Duke vlerësuar lart kontributin e Veprimit Katolik Italian, Papa u uroi të pranishmëve punë të mbarë në Asamblenë e tyre, me besim se do të japë ndihmesën në krijimin e bindjes se zëri i laikëve në Kishë nuk duhet dëgjuar “për forcë zakoni”, por “për bindje”, sepse mbarë populli i Zotit është “i pagabueshëm në besim”.

30 prill 2021, 13:47