Kërko

Vatican News
Shtegtim migrantësh Shtegtim migrantësh 

Papa: “turp” për ndihmën mohuar 130 migrantëve të mbytur në det

Pa lutjes së Mbretëreshës Qiellore, Papa shprehu “pikëllimin e tij të thellë” për tragjedinë e re në Mesdhe, mbytjen e 130 migrantëve. “Janë njerëz, jetë njerëzore, që për dy ditë me rrallë kërkuan ndihmë më kot, sepse ndihma, aq e dëshëruar, nuk u erdhi! Në vend të saj, erdhi vdekja! Të lutemi për ta, e edhe për njerëzit që “mund të ndihmojnë, por u pëlqen më tepër të kthejnë kokën mënjanë, për të mos parë çka ndodh”. Kujtoi edhe 82 viktimat e zjarrit të rënë në një spital për Covid-in në Bagdad si dhe dramën e ishujve Sant’Vincent e Granadine, shkaktuar nga shpërthimi vullanik.

R. SH. - Vatikan

Dhimbje e madhe - e çast “për t’u turpëruar”. Papës Françesku i qan zemra për 130 jetë  të këputura e i ka në mendje fytyrat e atyre, që  kërkuan ndihmë dy ditë me rrallë,” po ndihma nuk u erdhi kurrë”.

Pas lutjes mariane të Mbretëreshës Qiellore në Sheshin e Shën Pjetrit, Papa kujtoi tragjedinë, që iu shtua shumë të tjerave në ujërat e Mesdheut,  ku u hap një varr i ri për 130 migrantë. Për 130 njerëz! Për 130 jetë njerëzore!

Të lutemi për kë mund të ndihmojë, por e kthen kokën nga ana tjetër

E Papa nuk mund të mos u kërkonte të gjithëve të mendojnë për këtë tragjedi të re:

“Është çasti i turpit. Të lutemi për këta vëllezër e motra, e sidomos, për njerëzit e shumtë, që vijojnë  të vdesin gjatë këtyre udhëtimeve dramatike. E të lutemi edhe  për ata, që mund të ndihmojnë, por u pëlqen më shumë të kthejnë kokën në anën tjetër. Të lutemi… në heshtje…”.

Të lutemi edhe për 82 viktimat e zjarrit, që ra në spitalin e Bagdadit

Papa vijoi të kërkojë lutje edhe për viktimat në Irak, duke kujtuar zarrin që ra mbrëmë në një spital për të sëmurë nga Covid, në Bagdad. Deri tani numërohen më se 82 të vdekur - saktësoi-  e në vijim kujtoi  se lutet edhe për popullsinë  e ishujve Sant Vincent e Granadine, ku shpërthimi i një vullkani po shkakton  shumë dëme e fatkeqësi”.

10 martirët e lumnuar në Guatemalë “dëshimitarë të dashurisë”

Françesku kujtoi edhe se të premten e kaluar, në Santa Cruz del Quiché të Guatemalës, u lumnuan José Maria Gran dhe nëntë shokë të tij martirë, tre meshtarë e shtatë laikë të Kongregatës së Misionarëve të Zemrës së Krishtit, vrarë ndërmjet viteve 1980 e 1991, “kohë e persekutimit të egër kundër Kishës katolike, që angazhohej trimërisht në mbrojtje të të varfërve”. Të frymëzuar nga besimi i patundur në Krishtin “u bënë  dëshmitarë heroikë të drejtësisë e të dashurisë. Shembulli i tyre na bëftë ta jetojmë më bujarisht e më burrërisht Ungjillin”- uroi Ati i Shenjtë.

25 prill 2021, 13:51