Kërko

Kriza në Ukrainë Kriza në Ukrainë 

Papa Françesku: të frenohen tensionet në Ukrainën lindore

Në përfundim të lutjes së Mbretëreshës Qiellore nga dritarja e studios së tij private, Papa ftoi për promovimin e besimit e të pajtimit në zonën teatër tensionesh ndërmjet Rusisë e Ukrainës.

R. SH. - Vatikan

Duke e ndjekur Papën, që flet me një zë, në të cilin ndjehet fort dhimbja, është e lehtë t’i përfytyrosh pamjet që ofron kronika, kur flet për ngjarjet në Detin e Zi, në kufirin ndërmjet Rusisë e Ukrainës si dhe për mundësinë  e zgjerimit të skenarit të luftës edhe ndër kombe të tjera. Papa Françesku  kërkon përsëri, nga Roma, të ulen tensionet, që ndërkaq kanë arritur kulmin në një teatër lufte, që  specialistët  do ta quanin “me intensitet të ulët”, domethënë, me përdorim të kufizuar armësh. Nuk e shikon me këtë sy Françesku, që shpreh gjithë shqetësimin e tij për ngjarjet në vijim ndër disa zona të Ukrainëns lindore ku - kujton - muajt e fundit u shpeshuan shkeljet e ndalimit të zjarrit:

“Vërej me shqetësim rritjen e veprimtarive ushtarake. Ju lutem, e uroj nga gjithë zemra të shmanget thellimi i tensionit e të bëhen gjeste të afta për të promovuar besimin reciprok e për të favorizuar pajtimin dhe paqen, aq të nevojshme e të dëshirueshme”.

Kjo thirrje flet edhe një herë për vëmendjen që tregon gjithnjë Françesku për të pambrojturit, të cilët mbeten në darën e strategjive politiko-ushtarake:

“Të shikohet edhe situata e rëndë humanitare e popullsisë, së cilës i shpreh gjithë afërsinë time e për të cilën ju ftoj të lutemi”.

Falemimëria e thënë së bashku me Sheshin, e lehtëson trishtimin e Papës  i cili, në vijim, i shoqëron besimtarët në Casamari, për të kujtuar lumnimin e djeshëm në Abacinë çisteçense, të Simeon Cardon dhe pesë shokëve të tij murgjër, të vrarë në vitin 1799, kur ushtarët francezë në tërheqje nga Napoli, plaçkitën kisha e manastire. Pikërisht në atë kohë, këta dishepuj të butë të Krishtit rezistuan me guxim heroik deri në vdekje, për të mbrojtur Eukaristinë nga dhunimi:

“Shembulli i tyre na nxit për një besnikëri më të madhe ndaj Zotit, të aftë për ta shndërruar shoqërinë e për ta bërë më të drejtë e më vëllazërore”.

 

18 prill 2021, 13:42