Kërko

 Iqbal Masih Iqbal Masih 

Dita kundër skllavërimit të fëmijëve: “Turpërohemi para Zotit”.

Kremtohet sot, 16 prill, Dita ndërkombëtare kundër skllavërisë së fëmijëve, organizuar me nismën e Lëvizjes Kulturore Kristiane, Papa Françesku në një mori rastesh ka kërkuar t’i jepet fund kësaj plage të shoqërisë e, sot, në një tweet të Atit të Shenjtë, lexojmë një qortim të rëndë për ata, që vijojnë ta hapin këtë plagë të rëndë.

R. SH. - Vatikan

Në emër të Iqbal Masih. Pakistanez, që vdiq vetëm 12 vjeç, sepse deshi të mbronte fëmijët nga shfrytëzimi me punë të rënda. U vra në pranverën e vitit 1995. Falë nismës së Lëvizjes Kulturore Kristiane, çdo 16 prill kremtohet Dita ndërkombëtare kundër skllavërisë së të miturve. Në këtë ditë lartohet zëri për kë ka të drejtë të jetojë pa u shfrytëzuar. Sepse ka të drejtën të luajë, të mësojë, të formohet si qytetar. Ky, tweet-i i Papës në këtë ditë, kushtuar të miturve, që nuk mund ta gëzojnë miturinë e tyre në të katër anët e botës, sepse duhet të merren me çka nuk duhet të merreshin:

“Për fat të keq, në këtë botë  që  ka zhvilluar teknologjitë më të sofistikuara, ka ende shumë fëmijë që jetojnë në kushte çnjerëzore, të shfrytëzuar, të keqtrajtuar, të skllavëruar, refugjatë. Për gjithë këtë, ne turpërohemi para Zotit.#EndChildSlavery”.

Historia e Iqbal

Iqbal a Ikbal Masih lindi në vitin 1983, në Pakistan, në një familje shumë të varfër. Kur ishte vetëm katër vjeç, punonte në një furrë. Kur i mbushi pesë, u shit tek një tregtar qilimash. Nisi të punojë 10 deri në 12 orë në ditë, ku ngrënë e ku pa ngrënë Nëntë vjeçar, doli fshehurazi nga fabrika  e mori pjesë, së bashku me fëmijë të tjerë, në një manifestim  të Bonded Labour Liberation Front (BLLF). Si u rikthye në fabrikën e qilimave, nuk pranoi më të punonte, pa pyetur fare për drurin që nisi të hante çdo ditë. Pronari thoshte se borxhi që i kishte familja e tij, në vend që të pakësohej, po shtohej. Atëhere familja, e kërcënuar më keq se fëmija, u detyrua ta braktiste fshatin. Iqbali, i strehuar në një strehë të BLLF, nisi të mësojë.

Të drejtat e fëmijëve

Që nga viti 1993 nisi të udhëtojë e të marrë pjesë në konferenca ndërkombëtare, duke sensibilizuar opinionin publik për të drejtat e mohuara të fëmijëve punëtorë pakistanezë e duke dhënë ndihmesën e tij  në debatin mbi skllavërinë botërore e mbi të drejtat ndërkombëtare të fëmijëve. Në dhjetor 1994, pa i mbushur mirë 11 vjet, mori çmimin Reebok Human Rights Award, nga Universiteti i Bostonit. Në Pakistan, ndërkaq u mbyllën disa nga fabrikat e qilimave: falë Iqbalit, për të miturit u hapën rrugë të reja, të paëndërruara.

Mendimi i Françekut

Në një mori rastesh Papa ka folur për betejën kundër skllavërisë së të miturve, duke theksuar se kjo betejë duhet fituar. Pa tjetër:

“Shumë njerëz, në vend që t’u krijojnë fëmijëve mundësinë të luajnë, i bëjnë skllevër; e kjo është plagë. Një mituri e qetë u krijon fëmijëve kushtet ta shikojnë me besim të nesërmen. Mjerë kush ia zë frymën shpresës së tyre!” - pati qortuar Françesku, në audiencën e përgjithshme  të 12 qershorit 2013. “Ju mendoni se këta, që i tregtojnë njerëzit, që i shfrytëzojnë njerëzit në punë prej skllavi, kanë në zemër dashuri për Zotin? - pohonte Papa një vit më pas, në audiencën e përgjithshme të 11 gushtit 2014, në katekizmin kushtuar frikës së Zotit. “Jo nuk kanë frikë nga Zoti e nuk janë të lum. Frika nga Zoti - uroi -  i bëftë të kuptojnë se një ditë gjithçka mbaron e se duhet të japin llogari para Atij të Lumit”.

16 prill 2021, 16:09