Kërko

7 vite më parë, kanonizimi i Gjon Palit II dhe i Gjonit XXIII

Ajo datë historike, në të cilën dy papë shpalleshin shenjtorë e dy papë bashkëkremtonin meshën, është edhe sot, për botën e lënduar nga pandemia, një faqe e pashlyeshme feje e shprese

R.SH. - Vatikan

Ishte 27 prill 2014, ora 10.14, e Diela e dytë e Pashkëve, dita e festës së Mëshirës Hyjnore. Në këto koordinata përmblidhet një faqe e rëndësishme në historinë e Kishës: është dita, në të cilën Papa Françesku shpall shenjtorë Papën Gjoni XXIII dhe Papën Gjon Pali II, para një numri të madh besimtarësh, që nuk u dukej fundi: ishin së paku 800.000 vetë. Por “të pranishmit” ishin edhe më shumë. Më se dy miliardë njerëz ndiqnin kremtimin përmes mediave: pamjet nga zemra e krishterë e Romës dhe e botës, mbushur me shtegtarë, alternoheshin me planet e para mbi sixhadet, ku ishin pasqyruar figurat e shenjtorëve të rinj, me fytyrën e Papës Françesku e me atë të njërit prej më se 800 bashkëkremtuesve, të Papës së nderit Benedikti XVI. Ishte festë e fesë, me një lumë njerëzor, që gjarpëronte ndërmjet Sheshit të Shën Pjetrit, rrugës së Pajtimit dhe zonave fqinje. Kisha e Koncilit II të Vatikanit, Kisha e ftuar të mos ketë kurrë frikë, ishte e gjitha aty atë ditë, në zemrat e njerëzve të Zotit, që e kishin përshkuar e po vijonin ta përjetonin historinë e dhjetëvjeçarëve të fundit. Pikërisht, ndër palët e kësaj historie, sidomos në çastet kulmore të trazirave të saj, spikatën dy burrat, që lartoheshin më 27 prill 2014 në nderimet e altarit, Anxhelo dhe Karol, dy papë, që me jetët e tyre i dhanë botës një dëshmi të pashlyeshme. Ata janë tashmë shenjtorë, shembuj për t’u ndjekur dhe për t’u imituar.

Të shikojmë plagët e Jezusit

Kanë kaluar vetëm shtatë vite nga ai 27 prill. Sot, na duket sikur jetojmë në një botë tjetër. Por edhe në këto kohë të shpërfytyruara nga një vuajtje planetare, që paralizon shumë sektorë të strukturës shoqërore, shihet në horizont Shpresa. Në homelinë e tij, ditën e kanonizimit, Papa Françesku kujtoi se kjo Shpresë është e lidhur fort me atë Njeri, i cili, pavarësisht nga Kryqi, kapërceu errësirën dhe vdekjen. Shën Gjoni XXIII dhe Shën Gjon Pali II - tha Papa – “patën guximin t’i shikonin plagët e Jezusit”, “t’i preknin duart e Tij me varrë dhe brinjën e shporuar”. Ata ishin “dy burra të guximshëm”, të cilët “shihnin Jezusin në çdo njeri, që vuante”. U përballën me tragjeditë e shekullit XX, “por nuk u mposhtën”. “Në ta, ishte më i fortë Zoti; ishte më i fortë besimi në Jezu Krishtin”. “Më e fortë për ta - shtoi Papa Françesku - ishte mëshira e Zotit”. Fjalë që sot, ndërmjet varrëve të botës dhe plagëve të emergjencës shëndetësore, e nxisin edhe një herë njerëzimin e vuajtur të besojë në Zotin, t’i kthejë sytë kah Jezusi. Të shohë plagët, por të mos mposhtet e së bashku, si vëllezër e motra, ta kapërcejë krizën.

Shën Gjoni XXIII

Lindur në Sotto il Monte më 25 nëntor 1881, Angelo Giuseppe Roncalli u shugurua meshtar në vitin 1904. Më 1921, u thirr në Romë nga Benedikti XV si president për Italinë në Këshillin Qendror të Veprës Papnore për Përhapjen e Fesë (Propaganda Fide). Katër vite më vonë, Papa Piu XI e emëroi vizitator apostolik në Bullgari. Në vitin 1935, u emërua legat apostolik në Turqi dhe Greqi. Nëntë vjet më vonë, Piu XII e emëroi nunc apostolik në Paris. Më 1953 u krijua kardinal dhe u emërua Patriark i Venedikut. Angelo Roncalli u zgjodh Papë më 28 tetor 1958 dhe mori emrin e Gjonit XXIII. Mësimi i tij shoqëror përmbahet në enciklikat “Mater et magistra” (1961) dhe “Pacem in terris” (1963). Gjatë papnisë së tij, mblodhi Koncilin II Ekumenik të Vatikanit. Ndërroi jetë në mbrëmjen e 3 qershorit 1963, një ditë pas Rrëshajëve.

Shën Gjon Pali II

Lindur në Wadowice të Polonisë, më 18 maj 1920, Karol Józef Wojtyła ndoqi seminarin e madh klandestin në Krakov që nga viti 1942, gjatë Luftës II Botërore. U shugurua meshtar më 1946 dhe 12 vite më vonë u emërua ipeshkëv ndihmës i Krakovit nga Papa Piu XII. Më 13 janar 1964, mori detyrën e kryeipeshkvit të Krakovit nga Papa Pali VI, i cili e krijoi edhe kardinal më 26 qershor 1967. U zgjodh Papë më 16 tetor 1978. Gjatë papnisë së tij, Gjon Pali II bëri 104 udhëtime apostolike, përfshirë edhe të fundit jashtë Italisë, në Lurdë, më 14 dhe 15 gusht 2004. Më 13 maj 1981, e kujtojnë të gjithë atentatin kundër tij në Sheshin e Shën Pjetrit. Papa do të thoshte gjithnjë se e shpëtoi Zoja e Fatimës. Pas një qëndrimi të gjatë në spital, e fali atentatorin. Ndërroi jetë në Pallatin Apostolik të Vatikanit, të shtunën, më 2 prill 2005, në prag të së Dielës in Albis, ose të Mëshirës Hyjnore, të cilën e themeloi vetë.

27 prill 2021, 15:49